Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un me shumë gjasa ka qëndruar “i fshehur” për shkak të shqetësimeve nga koronavirusi kur u duk se ishte zhdukur muajin e kaluar, thonë burime nga agjencia e spiunazhit në Korenë e Jugut.
Madje siç raporton Skynews, agjencia beson se Kim Jong Un nuk kishte kryer ndonjë operacion.
Të Mërkurën, Komiteti i Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut (NIC) i tha inteligjencës parlamentare të vendit se raportet për ndonjë sëmundje ishin “të pabaza”, duke shtuar se Kim “nuk kreu asnjë operacion për zemrën”.
BBC raporton gjithashtu se agjencia ka deklaruar që Kim kishte vazhduar me detyrat e tij normale gjatë kohës larg mediave shtetërore.
Anëtari i komitetit Kim Byung-kee tha: “Kim Jong Un ishte përqendruar në konsolidimin e punëve të brendshme si forcat ushtarake dhe takimet parti-shtet, dhe shqetësimet e pandemisë së koronavirusit kanë kufizuar më tej veprimtarinë e tij publike. Megjithëse Koreja e Veriut pohon se ka zero raste, nuk mund të përjashtohet se ka një shpërthim atje duke pasur parasysh se ata kanë pasur shkëmbime aktive të njerëzve me Kinën përpara se të mbyllnin kufirin në fund të janarit.”