• Today is: Friday, March 29, 2024

NUK MUND TË KETË PARANDALIM EFIKAS TË VETËVRASJES

fakti
May06/ 2020

Nuk ka një mënyrë plotësisht efektive për ta ndaluar njeriun që ta vrasë veten. Njerëzit që kanë ide vetëvrasëse jetojnë gjatë me ato ide. Por në këtë debat duhet të përfshihen specialistë të psikiatrisë, të psikologjisë e sociologjisë e jo të jetë debat mes politikanëve siç po ndodh në Kosovë për rastin tragjik

 

Nga Dr. Liri LOSHI/ Kanada

 

Kur dikush vret veten, publiku duhet të hesht dhe të ngushëllojë familjen. Çdo diksurs, apo veprim tjetër është i pakuptimtë. E të kërkosh që minsitri i shëndetësisë të japë dorëheqje pse dikush ka vendosur t’i japë fund jetës në mënyrën që ai, apo ajo dëshiron, është paradoks i madh.

Në momentin kur unë po shkruaj, dikush në planetën tonë është duke e vrarë veten. Edhe në momentin kur ti lexuesi im po kapërcen nëpër këtë shkrim timin, një person po ia marrë jetën vetes. Sipas statistikave të OBSH nga vetëvrasjet vdes një njeri çdo 40 sekonda. Merreni pra me mend se nuk kalon kurrsesi minuti që dikush ta vrasë veten e disa politikanë kërkojnë që të dorëhiqet ministri i shëdetësisë pse dikush e ka vrarë veten!

Nuk ka një mënyrë plotësisht efektive për ta ndaluar njeriun që ta vrasë veten. Njerëzit që kanë ide vetëvrasëse jetojnë gjatë me ato ide. Pastaj ata e bëjnë edhe planin e vetëvrasjes. Dhe, e realizojnë atë në momentin kur mendojnë se janë plotësuar kushtet për realizimin e atij plani. Ka edhe vetëvrasje impulsive, por prapë shkaktar kryesor i tyre mbetet sëmundja e quajtur depresion. Ka edhe shkaqe tjera, natyrisht.

Këtu në Halifax ku jetoj unë janë dy ura të mëdha që lidhin brigjet e një ngushtice të Oqeanit Atlantik. Njëra urë ka rrethoja të larta të hekurta, aq të larta sa njeriu e ka të pamundur të ngjitet mbi to e të hedhet poshtë urës, ku e pret oqeani i cekët apo edhe toka me rerë dhe gurë. Po u hodhe nga ajo lartësi nuk ke shansa të shpëtosh! Pra, realizimin e planit për vetëvrasje, e ke të sigurtë. Mirëpo, askush nuk mund të ngjitet lart dhe së këndejmi askush nuk mundet as ta mbysë veten duke u hedhur nga kjo urë. Por, situata nuk është e pa “shpresë”! Vetëm pak më tutje është ura tjetër që ka një rrethojë jo shumë të lartë, apo të arritshme për ata që duan të hipin lartë. Dhe, njerëzit, ata që kanë vendosur të vetëvriten duke u hedhur nga lartësia e shrytëzojnë këtë mundësi. Nuk dihet sa njerëz vetëvritën nga kjo urë, meqë të dhënat mbahen sekret për publikun për shkak të të ashtuquajturit efekti “copycat” që nënkupton stimulim për vetëvrasje në të njëjtin vend. Por në qarqet joformale flitet per dhjetëra njerëz brenda vitit.

Kam lexuar që një nënë, pasi kishte humbur djalin e vet, kishte kërkuar që mbi urë të ngritet barrierë plotësisht e mbyllur që të mos ketë qasje askush për ta shfrytëzuar urën si mjet të vetëvrasjes. Deri më tash qyteti nuk e ka bërë gjë të tillë. Nuk kam dëgjuar që dikush të këtë kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e kujtdoqoftë për mos ngritjen e kësaj barriere. Se a do të ndikonte kjo në uljen e numrit të vetëvrasjeve është temë për debat. Por në këtë debat duhet të përfshihen specialistë të psikiatrisë, të psikologjisë e sociologjisë e jo të jetë debat mes politikanëve siç po ndodh në Kosovë për rastin tragjik.