• Today is: Friday, May 3, 2024

NË SERBI HIQET GJENDJA E JASHTËZAKONSHME, ZGJEDHJET MBAHEN MË 21 QERSHOR

fakti
May05/ 2020

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi do të mbahen më 21 qershor, bëri të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ai u takua paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike, që kanë paralajmëruar daljen në zgjedhjet e ardhshme.

Zgjedhjet në Serbi duhet të mbaheshin më 26 prill, por janë shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Më 15 mars, autoritetet serbe kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Është njoftuar se Parlamenti i Serbisë do ta heqë gjendjen e jashtëzakonshme të mërkurën, më 6 maj.

Vendimi për zgjedhjet pasoi një takim të presidentit serb me përfaqësuesit e partive politike, që kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e reja.

Pjesa më e madhe e partive opozitare në Serbi ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet, duke akuzuar presidentin serb për sundim autokratik, shkelje të lirisë së medies, sulme ndaj veprimtarëve të opozitës, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Presidenti serb dhe mbështetësit e tij që mbajnë shumicën në parlamentin me 250 vende, i kanë mohuar vazhdimisht pohimet e tilla.
Agjensia amerikane e lajmeve Associated Press thirret në burime të analistëve në Beograd sipas të cilëve Vuçqi instiston që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, për shkak të rënies së popullaritetit të partisë së tij, pas masave të rrepta qeveritare gjatë kohës së pandemisë së virusit korona.

Vuçiç tha se nuk pret që të ketë ndonjë tubim të madh zgjedhor gjatë muajit maj, ndërsa për qershor tha se do të konsultohen mjekët. Serbia ka konfirmuar mbi 9,500 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 197 viktima./Gazeta FAKTI