Mungesa e karavanit të solidaritetit sot në kohë të pandemisë është varfëria jonë e lartë që ka zënë vend në shpirtin tonë. Ne që heshtim para atyre që vuajnë jemi shumë më të varfër, më shumë për t’na vajtuar
Mirishahe LIMANI HILER/ Gjenevë
Më shumë se 2.500 njerëz kanë pritur deri në tri orë të shtunën jashtë një qendre sportive në Gjenevë për të hyrë në radhë mbrenda e të marrin njërën nga pakot e ushqimit të shpërndara nga Karavani i Solidaritetit, vlera e së cilës ishte vetëm 20 franga.
Karavani i Solidaritetit ishte organizuar nga qytetarë të vullnetit të mirë dhe duke parë nevojën aq të madhe iu është bashkangjitur edhe qyteti i Gjenevës.
Njerëzit që pritnin radhën e tyre në një varg të gjatë prej qindra metrave me aq durim për të siguruar disa artikuj ushqimorë elementarë ishin kryesisht ata që jetojnë ilegalë e që deri para masave të marra nga shkaku i pandemisë punonin në ekonominë shtëpiake ose në restorante dhe që gjetën veten papritmas pa të ardhura financiare.
Në mesin e tyre kishte familje të cilat edhe ashtu para pandemisë jetonin me të ardhura tejet të ulëta kështu që kriza aktuale ata i ka prekur deri tek mungesa e bukës në sofrën e tyre.
E gjithë kjo ndoshta do të ju duket e pabesueshme të ndodhë pikërisht në njërin nga qytetet më të pasura edhe në botë!
Janë faktorë të ndryshëm që mund të ilustrojnë këtë varfëri për të cilën mund të flasim njëher tjetër.
Krejt ajo që më nxitë të rrëfej përmes këtyre rreshtave se çpo ndodhë në Gjenevë, nuk është barrë që bartë se si të organizohet karavani i solidaritetit këtu. Është një situatë për keqardhje por edhe më me shumë keqardhje dhe ajo që më intereson më shumë është karavani i solidaritetit në vendin tim të lindjes.
A ecën karavani i solidaritetit në Gjilanin tim prej nga disa familje më shkruajnë se i kanë sofrat thatë?
Sa shumë kanë dështuar organizmat zyrtarë të shumë komunave të cilat kamë parë se shpërndanin ato pak ndihma në emër të formacioneve politike apo në emër të kryetarëve të komunave?
Edhe sa koronavirus duhet të vijnë e të prekin ndërgjegjëjen kolektive? Të prekin arsyen e të qenit Njeri?
Në qytetin e Gjilanit unë njoh edhe ata që ju i keni harruar!
Njoh ata që as barnat që i përdorin në terapi qe 20 vite nuk mund t’i paguajnë sot. Lufta ua mori gjymtyrët e trupit e ne « të mëdhenjtë » e politikës ua morëm lirinë e të jetuarit me dinjitet njerëzor!
Ku ecën karavanet e solidaritetit në tokat shqiptare?
Në Ferizaj është thënë se pandemia ka prekur zemrat e atyre që ndajnë me të tjerët kafshatën e tyre.
Pse njerëzit e shumë shtëpive si ato të Gjilanit tim anë e këndë Kosovës duhet të ndrydhin lotin e të mos mund të kërkojnë ndihmë nga shteti i tyre.
Tek e fundit, është paraja e tyre, jo e pushtetarëve!
Pse nuk iu lejohet atyre të presin radhën e tyre në rreshta prej qindra metrash e të marrin ato që kanë nevojë ?
Pse duhet të jetojnë fshehtas ata që vuajnë?
Pse ju « politikanët e medhenjë » bëheni gazi i botës duke u shfaqur pas atyre qindra pakove ushqimore në ekrane, e në anën tjetër mijëra familje « shtypni » e i « shtyeni » të jetojnë bashk me varfërinë e tyre në heshtje?
Varfëria e tyre është vetëm materiale mos të harrojmë.
Çdonjêri prej nesh nesër mund të jemi në pozitën e tyre.
Mungesa e karavanit të solidaritetit sot në kohë të pandemisë është varfëria jonë e lartë që ka zënë vend në shpirtin tonë .
Ne që heshtim para atyre që vuajnë jemi shumë më të varfër, më shumë për t’na vajtuar . Heshtja jonë vret!
3 maj 2020