• Today is: Wednesday, May 8, 2024

​Kurti kërkon hetime për zbardhjen e rastit të vdekjes së 26-vjeçarit nga Gjilani

fakti
May03/ 2020

Një person nga Gjilani ka vdekur si pasojë e hedhjes nga kati i pestë i njërit prej konvikteve në Prishtinë, ku po qëndronte në karantinë. Lajmin e ka konfirmuar , zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha. Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Shtip të Maqedonisë, kur një i ri ka bërë vetëvrasje pas një grindjeje verbale me bashkëshorten rreth virusit korona. Në të njejtën periudhë në Maqedoni janë regjistruar edhe nëntë raste të tentim vetëvrasjes dhe po bëhen hetime nëse këto raste ndërlidhen me virusin korona

 

“Me datë 03.05.2020, rreth orës 17:20, ekipet e emergjencës dhe Policia kanë shkuar te Qendra e Studenteve dhe një person është përcjell me autoambulance në drejtim të Klinikes Emergjente. Njësitet e policisë dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas procedurave hetimore do të sqarohen rrethanat tjera”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarëve, 26-vjeçari ka ardhur dje nga Gjermania dhe ka refuzuar të hyjë në karantinë për
shkak të problemeve shëndetësore, por kjo nuk është marrë parasysh. Ai është dërguar në Qendrën Emergjente, ku sipas mjekëve, pacienti është pranuar pa shenja jete.
Mjeku specialist në Qendrën Emergjente, Blerim Hyseni, i cili ka bërë pranimin e tashmë të ndjerit në Emergjencë, ka thënë për KosovaPress se lëndimet e pacientit kishin qenë shumë të rënda, ndërsa për shkaktarin e vdekjes do të pritet raporti nga ekspertiza e mjekut ligjor.
“Në orën 17:30, në Qendrën emergjente është sjellë me urgjencë, pacienti një i ri 26-vjeçar, pa shenja jete. Sipas asaj që ne kemi vlerësuar, pacienti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, në bazë të lëndimeve që ka pasur lëndime të rënda, vdekjeprurëse. Në pranim ka qenë pacienti pa shenja jete, me gjakderdhje nga veshi, hunda dhe goja. Prej lëndimeve të dukshme që ne i kemi parë kanë qenë këto, mirëpo për shkaktarin denitivisht të vdekjes fjalën e ka ekspertiza e mjekut ligjor, për të cilën edhe kemi kërkuar ekspertizën”, tha Hyseni.

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e një personi sot në Qendrën e Studentëve.

Ata përmes një komunikate për media kanë thënë se personeli mjekësor i karantinës, ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë ndihmën e parë viktimës.

“Sot më 3 maj, 2020, në ora 17:16 ekipi menaxhues i Karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë është njoftuar nga një zyrtar i Policisë së Kosovës në Qendrën e Studentëve se një person është gjetur në oborrin e Konviktit Nr. VII, me dyshim se ka rënë nga kati V-të. Menjëherë personeli mjekësor i Karantinës së Qendrës së Studentëve ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë personit në fjalë ndihmën e parë si dhe e ka njoftuar emergjencën”, thuhet në njoftim.

Siç njoftohet, në vendin e ngjarjes personi është reanimuar nga ekipi mjekësor i Karantinës deri në arritjen e autoambulancës me ekipin mjekësor, të cilët, gjithashtu, kanë vazhduar me reanimim edhe gjatë transportimit të tij për në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

“Personi ka vazhduar të reanimohet edhe në Klinikën Emergjente nga ekipet kujdestare, të cilët e kanë vazhduar kujdesin e avancuar. Për fat të keq, me gjithë përpjekjet e mjekëve në Klinikën e Emergjencës, personi nuk ka mbijetuar. Organet e hetuesisë janë duke u marr me sqarimin e rrethanave të vdekjes. Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen e thellë për këtë rast tragjik dhe u shpreh familjes së të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit të tyre”, thuhet në njoftim.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai ka thënë se viktima ishte student në Gjermani.

“U trondita me lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të 26-vjeҫarit, A.M, i cili ishte student i shkëlqyer i masterit, në Gjermani. Humbje e madhe për familjen e për Gjilanin. Komuna e Gjilanit do t’i qëndrojë afër familjes. Zoti ua lehtësoftë dhembjen”, ka shkruar ai.

Ngushëllimet e Kurtit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen tragjike të 26-vjeçarit nga Gjilani sot në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Me keqardhje dhe pikëllim morëm vesh për lajmin e rëndë të vdekjes tragjike të një qytetari të Kosovës nga Gjilani në Qendrën e Studentëve të shndërruar në karantinë në këtë kohë të pandemisë së COVID-19”, tha Kurti.

Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, ndërsa ka kërkuar nga mjekësia ligjore dhe organet e rendit të hetojnë zbardhjen e rrethanave të vdekjes.

Ndërkaq, 26 vjeçari ka gjetur vdekje pasi është hedhur nga kati i katërt i konviktit. Ai ishte nga Gjilani dhe të shtunën ishte kthyer nga Gjermania.

Qendra e Studentëve në Prishtinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë tashmë është shndërruar në karantinë për shtetasit kosovarë që vijnë nga shtetet e ndryshme.

Udhëheqësit e subjekteve politike kanë shprehur ngushëllime

Udhëheqësit e subjekteve politike në vend kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë thirrje që organet e drejtësisë të punojnë në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij.

“Jam trishtuar nga vdekja tragjike e të riut 26 vjeçar nga Gjilani. Lajmi për humbjen e tij na tronditi të gjithëve. Në këto momente të dhimbshme, më lejoni që në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tragjike të gjithë familjarëve dhe miqve të tij. Gjithashtu iu bëj thirrje, të gjitha organeve të punojnë në drejtim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të kësaj vdekje tragjike”, ka shkruar ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur ngushëllime për familjen e të riut 26 vjeçar nga Gjilani që vdiq sot në karantinën e qendrës së studentëve.

Ai ka thënë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit, andaj sipas tij, është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet.

“Ndarja nga jeta në karantinën e Qendrës Studentore, e djaloshit 26 vjeçar nga Gjilani, është shumë e dhimbshme. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve. Humbja tragjike e jetës së këtij të riu është një akt i rëndë dhe që mbart përgjegjësi shtetërore, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit. Andaj, është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet”, ka shkruar ai./ Gazeta FAKTI