Prishtinës nga sot (e diel) nuk qëndron më e mbyllur për qarkullim. Pas tri javë qëndrimi në karantinë, ekipet policore në hyrje-daljet e qytetit janë larguar. Masa e karantinës është hequr nga MSH-ja pasi në pesë ditët e fundit nuk ka asnjë rast të ri me COVID-19. Në ditën e parë të heqjes së kësaj mase, në rrugët e Prishtinës kishte një numër të madh të qytetarëve dhe veturave.
Gjatë ditës së sotme, KosovaPress qëndroi në disa nga hyrje-daljet e kryeqytetit, të cilat për tri javë kanë qenë të bllokuara. Me këtë rast u pa një fluks i madh i makinave e në disa vende ishin kthyer edhe kolonat e dikurshme para se vendi të përfshihej nga pandemia COVID-19.
Edhe pse sheshet kryesore “Skënderbeu”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”, vazhdojnë të jenë të bllokuara, kjo nuk po ua pamundëson qytetarëve lëvizjet.
Madje ata thonë se heqja e karantinës ka qenë vendim i duhur, për faktin se rastet e reja me Covid-19 kanë pësuar rënie.
Bajram Kastrati thotë se karantinimi në Prishtinë është dashur të largohet kohë më parë, derisa theksoi se kjo e fundit ia ka pamundësuar të vazhdojë punën.
Pavarësisht heqjes së karantinës, ka edhe prej atyre qytetarëve që konsiderojnë se duhet vazhduar me masat e mbrojtjes nga përhapja e COVID-19.
Dan Gashi thotë se masat për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje të rrezikshme janë zbatuar mirë nga ana e qytetarëve.
E Rrahman Rrahmani shprehet i bindur se situata me pandeminë COVID-19 do të kalojë, nëse qytetarët vazhdojnë të tregojnë kujdes dhe të respektojnë distancën sociale.
Deri më tash në Prishtinë janë konfirmuar gjithsej 68 raste me COVID-19, prej tyre dy të vdekur.
Masa e karantinës u vendos më 11 prill, pas konfirmimit të 20 rasteve vetëm brenda një dite. Ishte vetë ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, i cili në konsultim me kryetarin Shpend Ahmeti, mori vendim për shpalljen e kryeqytetit si zonë karantine. Me këtë vendim për tre javë u ndaluan hyrje-daljet në Prishtinë dhe aty mund të kalohej vetëm me leje speciale.