• Today is: Monday, November 25, 2024

NESËR NUK VOTOHET QEVERIA, GJYKATA E PEZULLON DEKRETIN E PRESIDENTIT

fakti
May01/ 2020

Vendimi i djeshëm i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që përmes një dekreti e ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër, është pezulluar përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo është bërë pas kërkesës së 30 deputeteve të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, që kanë kërkuar që fillimisht të pezullohet vendimi deri në një vendim përfundimtar të Kushtetueses.

Kjo do të thotë që nesër nuk mund të mbahet seanca e thirrur nga LDK-ja për në ora 13:00.

Vendimi i plotë i Gjykatës:

Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 1 maj 2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 1 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KO 72/20 dhe KO 61/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

  1. Vendim për masë të përkohshme

Lënda: KO 72/20

Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës

së Kosovës

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin  z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë edhe masë të përkohshme mbi Dekretin, “në mënyrë që të parandalohen dëmet e pariparueshme për palën dhe institucionin”. Më 1 maj 2020, brenda afatit të përcaktuar, Gjykata ka pranuar komente lidhur me masën e përkohshme nga palët në vijim: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Arban Abrashi dhe deputeti Shkëmb Manaj.

Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

– Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:

  1. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;

II.  TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;

Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar.

Kurti: Vendimi i Kushtetueses nuk prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës

 

Pas vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pezullimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi ndaj mandatarit Avdullah Hoti, ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka thënë se, kërkesa e LVV-së ishte e pranueshme dhe e arsyetuar rreth pretendimeve përkitazi me dispozitat kushtetuese.

“Qeveria mbështeti kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit, sepse parashtruesit kanë dorëzuar një kërkesë e cila është prima facie e pranueshme si dhe është substancialisht e arsyetuar rreth pretendimeve përkitazi me dispozitat kushtetuese të saktësuara në kërkesë”, ka thënë Kurti.

Qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë.

Sipas Kurtit, ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës.

“Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, ka thënë Kurti.

Osmani: Po mbrohet integriteti institucional

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se e vlerëson lart faktin që Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta trajtojë këtë çështje, megjithëse ditë feste, në mënyrë që të mbrohet integriteti institucional në rrethanat e krijuara.

“Në funksion të kësaj, unë i kam drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese komente (në afatin që ishte caktuar nga ana e Gjykatës), me të cilat kam arsyetuar pse vendosja e masës së përkohshme është e nevojshme, pa paragjykuar vendimin final të Gjykatës për pjesën meritore të rastit. Në këto komente kam sqaruar se “vendosja e masës së përkohshme mbi ekzekutimin ose ndërmarrjen e veprimeve që rrjedhin nga dekreti është po ashtu e domosdoshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë në sistemin tonë politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundërkushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni. Në këtë mënyrë, përveç se është në përputhje të plotë me interesin publik, vendosja e masës do të parandalojë shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm në kuptim të funksionimit kushtetues dhe ligjor të institucioneve më të larta kushtetuese në vend.”

“Si kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe njeri i që respekton gjithnjë vendimet e institucioneve të pavarura, do të kujdesem që Kuvendi t’i ndërmarrë të gjithë hapat në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe i ftoj të gjithë udhëheqësit politikë e institucionalë që t’i respektojnë vendimet e kësaj gjykate, pavarësisht nëse pajtohen me to ose jo”.

Thaçi: Do ta respektoj në plotëni vendimin e Kushtetueses

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullim të dekretit për mandatarin për formimin e qeverisë.

Përmes një postimin në “Facebook”, Thaçi ka thënë se e respekton këtë vendim e po ashtu bën thirrje ndaj partive politike që ta bëjnë të njëjtën.

Ky është postimi i tij i plotë:

Sapo u njoftova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. HTH.