Ata që bëjnë përpëlitjet e fundit politike për t’i shmangur zgjedhjet e reja parlamentare dhe për të mbetur “me zor” në postet e larta, do ta bëjnë gabimin më të madh politik, për çka do ndëshkohen shumë nga vota qytetare dhe e lirë.Ky popull e kjo rini fantastike nuk amniston më askë që shkel parimet demokratike dhe votën e shenjtë qytetare. Me mjete politike demokratike ky vend do të ndryshojë.Ky proces ka nisur më 6 tetor 2019 dhe është proces i pandalshëm.
Nga Valentina SARAÇINI
Deputeti apo deputetja që nuk ka dije, kulturë elementare demokratike, integritet dhe përgjegjësi për të vlerësuar e pastaj për të vepruar, brenda proceseve demokratike dhe bazuar vetëm në ligje e në Kushtetutë, nuk janë as përafërsisht të denjë për të qenë deputetë. Shumë deputetë janë vetëkompremetuar në 20 vjetët e fundit në Kuvendin e Kosovës!
Gjatë 20 vjetëve të kaluar zakonisht liderët partiakë, kanë përzgjedhur tipin e deputetit të “dëgjushëm” duke i trajtuar ata si mbledhës ” të shkathët” të votave, ose si makinë votimi sipas interesave e pazareve meskine të klaneve politike partiake dhe ndërpartiake,të ashtuquajturat koalicione, pa fije morali e parimi demokratik.
Kur ka bërë vaki të kemi deputet-e me dije e integritet, liderët partiakë i kanë shpërfillur në mënyra të ndryshme, deri edhe u kanë kurdisur ndërskëmbza politike, intriga të ulta të luftës së ulët politike brenda partisë. Rasti më i freskët dhe më skandalozi në hisorinë e 20 vjetëve është shpërfillja e Vjosa Osmanit, një fituese e shkëlqyer e zgjedhjeve, një politikane e intelektuale me mendim, qëndrim dhe integritet të lartë.
Për dallim nga deputetët me integritet si Vjosa Osmani dhe disa të tjetë, jo rrallë kemi pasur deputet-e që e kanë dhënë votën “PËR” në Kuvend, edhe pse i njëjti apo e njëjta deputete me vite ka kritikuar një lider, veprimet e tij, si në rastin e votimit të Presidentit aktual. Ju kujtohet se si ajo seancë shpërfaqi qartë qasjen e liderit partiak të LDK ndaj deputetëve. Pati presione por edhe një lloj korruptimi specifik të deputetëve-deputeteve, në stilin e jep votën “për” merr shpërblim, p.sh. post në diplomaci…
Këto sjellje dëshmuan karakterin e qullosur politik të një kaste politikanësh që shantazhin dhe korruptimin e kanë mënyrë të vetme veprimi, pavarësisht në cilën pozitë janë, deputet, kryetar komune, ministër, kryeministër a President…Dhe kjo sjellje e dominoi gjithandej, pothuaj çdo hallkë të shtetit dhe shoqërisë. Kjo lloj qasjeje dhe sjellje, e ngjizur thellë dhe gjatë në klasën politike dhe eksponentët e sajë, ka bërë të mundur sot eskalimin e paparë të papërgjegjësisë politike, deri në shfrytëzimin e mënyrave mafioze të intrigës dhe luftës për pushtet …
Gjeneza e së keqes, fatkeqësisht ndodhet edhe në faktin se edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës është dominuar ndër vite e vite edhe nga deputetë me injorancë të theksuar, deri edhe me shenja të dukshme të mangësisë në dijet elementare, shkrim dhe lexim, rrjedhimisht edhe mungesë të artikulimit të mendimit….Kjo ka ndikuar të rritet indinjata e qytetarëve. Tjetra, qytetarët e kanë vërejtur me vite se deputetët tanë shpesh nuk mendojnë fare për interesin e qytetarëve, të cilëve ua kanë “lypë” votën.Sepse, ndaj asaj vote janë sjellur sikur ua ka dhënë lideri i partisë, sepse ky ua ka bërë ” të mirën jetësore “, i ka futur në listën e votimit, prandaj ia kanë “borxh” tërë jetën t’i binden urdhërave e kërkesave të tija, pra edhe lojrave të pista politike në dëm të vendit!
Kjo antilogjikë i ka përcjellë gati shumicën e deputetëve të partive politike që kanë qeverisur 20 vjet! Kjo është një nga aryset thelbësore që shoqëria e vendit tonë ka shkarë në mentalitet korruptues,e në logjikën e babëzisë për ta zhvatë sa më shumë paranë e shtetit… Sepse, eksponentët kryesorë të partive ishin bartësit dhe timonierët e korrupsionit e besa edhe të krimit të organizuar, për të cilin shpresoj do të merret vesh më shumë në të ardhmen.
Kapja e shtetit nuk bëhet kurrë nese shumica e deputetëve do të dinte, e do të donte ta zhvillojnë shtetin ligjor e demokratik. Pra, kapja e shtetit disi u bë me heshtjen e mosreagimin e shumicës së deputetëve. E, pse heshtnin deputetët?
Për 20 vjet u promovua tip i deputetit a deputetes që i vardiset interesave të klanit që drejton partinë, si edhe tip i deputetëve që rolin e mandatit të deputetit e përjetojnë si punësim, punë me pagë shumë të mirë, mëditje e status që kurrë se kanë ëndërruar e lerë më ta kenë merituar. Apo tipi i deputetëve që kanë familjarë me biznese.
Kuptohet ka pasur dhe ka përjashtime në gjitha partitë, ka edhe deputetë me zotësi e merita. Kanë qenë zëra të spikatur, por fatkeqësisht zëra të pakët që nuk kanë pasur përkrahje as të partisë së vet, e lëre më të kenë ndikuar në vendimmarrje apo në zbatimin e ligjeve.
Sëkëndejmi nuk çuditem pse sot si shoqëri kemi mbërritur në pikën kritike të shkeljes drastike të parimeve demokratike dhe Kushtetutës. Pse them në pikën kritike? Ngase u shkel vullneti i votuese, që me votën e lirë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, përcaktuan qartë për një koalicion LVV-LDK, me dy personalitetet politike më të votuara Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
Ndërkaq, LDK-ja duke rrëzuar Qeverinë legjitime, duke injoruar qëndrimin e Vjosa Osmanit, kryeparlamentare dhe njeriu më i votuar i LDK-së, (e cila kundërshtoi rrëzimin e Qeverisë), ka hyrë në fazën e kompremetimit të madh moral e politik.Kjo është e pafalshme , sepse LDKe ka mbajtur për 3 dekada epitetin e partisësi me bagazh dhe përgjegjësi historike,si asnjë parti tjetër. Nga LDK pritej të jetë pjesë e kthesës dhe e ndryshimit të madh në të mirën e vendit, kështu e pa elektorati LDK -në në zgjedhjet e fundit.
Jo rastësisht për të gjitha ndodhitë e furishme antidemokratike dhe kundërkushtetuese gjatë pandemisë COVID 19 (mars-prill 2020), përgjegjësia, pos te Presidenti i vendit, si nxitësi i gjithë këtij uragani politik, do të bjerë më së shumti te LDK. Pra uragani politik dëmin afatgjatë ja bëri LDK–së.
Dihet se veprimet e Presidentit të vendit, nuk e kanë befasur shumë opinionin dhe njohësit e politikës. Sjelljet e tija politike janë parë si një inat e mllef i pritur karshi LVV dhe Albin Kurtit. Por, tash po dihet se halli i Presidentit duket është shumë i madh dhe është temë më vete.
Ajo që duhet theksuar sot është se si pasojë e ndjekjes së verbër të lojës politike antikushtetuese të Presidentit të vendit nga kreu i LDK, në të ardhmen nuk fiton LDK-ja asgjë tjetër pos një Qeveri antikushtetuese që përpara se të vetërrëzohet, ose të rrëzohet nga Kushtetuesja, do të hyjë në ndonjë pazar me harta e “marrëveshje” si kredhje në mjegullnajën ku është mpiksur “dialogu” me Sërbinë ?!?!
Deputetët e LDK-së mbase duhet ta dinë se Presidenti është një person dhe çfaredo të jenë pasojat politike e ligjore ndaj veprimeve të tija antikushtetuese, ato pasoja do t’i mbajë vetë ai. Ndërsa kreu i LDK duke mbështet Presidentin e dëmton partinë. LDK rrezikon në zgjedhjet e ardhshme të përgjysmojë përkrahjen e elektoratit, e kjo falë kreut të LDK-së dhe deputetëve që e mbështesin atë.
Andaj, që ta shpëtojnë deputetët LDK-në, duhet mos ta votojnë Qeverinë “e re” në kohë pandemie, përkatësisht mos ta miratojnë SHKELJEN E KUSHTETUTËS.
Por, nëse deputetët e LDK-së , por edhe ata të partive të tjera votojnë “Qeveri të re”, në zgjedhjet e ardhshme LDK ndodh ta marrë epitetin “parti e vogël”, ndërsa partitë e vogla do bëhen “më të vogla”. E, atëherë kam drojë se as Vjosa Osmani nuk mund t’ja kthejë LDK-së epitetin e partisë së madhe. Kurse, liderët e partive të tjera do të vetëdijesohen me vonesë për gabimin që e kanë bërë duke ndjekur lojën e Presidentit aktual dhe kreut aktual të LDK. Për dallim nga këta PDK mund të ketë shpresa solide që në zgjedhjet e ardhshme të rris numrin e votave, si edhe ta mbajë epitetin “parti e madhe”, duke u bërë partia e dytë në vend.
I pëlqeu apo nuk i pëlqeu dikujt, LVV do të ketë rritje të madhe si parti në zgjedhjet e ardhshme. Pikërisht veprimet e kreut aktual të LDK e ndihmojnë rritjen e elektoratit të LVV…
Çështja është se a është zhvillim pozitiv për skenën politike në Kosovë nëse LDK-së i përgjysmohet elektorati? Prandaj, sot si asnjëherë më parë deputetët e LDK, por edhe të partive të tjera duhet ta dinë se nuk mund të votojnë shkeljen e Kushtetutës, sepse pavarësht nga cila parti janë ata janë betuar për mbrojtjen dhe zbatimin e Kushtetutës, por njëheri dëmtojnë partinë e tyre.
Mbase edhe më përpara ka pasur shkelje të Kushtetutës.Por të gjithë duhet ta dinë sot se Kosova, populli dhe rinia nuk janë si para 10 a 15 vitesh…Përvojat e situatave e bëjnë të vetën. Ka evoluuar qasja dhe qëndrimi kritik politik i elektoratit , e që tash më e dëshmoi se din të ndëshkojë ose të shpërblejë me votë .
Shkelja e vullnetit të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, rrëzimi i Qeverisë në kohë pandemie, shkelja e Kushtetutës për t’i dhënë mandat partisë jofitusese ta bëjë “Qeverinë e re”, si edhe gjitha shqetësimet e tjera kolektive, të shkaktuara javët e ditët e fundit edhe nga disa mediume me zërat antishqiptarë e “zëdhënës” të interesave serbe e ruse, do të reflektojnë dukshëm në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.
Ata që bëjnë përpëlitjet e fundit politike për t’i shmangur zgjedhjet e reja parlamentare dhe për të mbetur “me zor” në postet e larta, do ta bëjnë gabimin më të madh politik, për çka do ndëshkohen shumë nga vota qytetare dhe e lirë.
Ky popull e kjo rini fantastike nuk amniston më askë që shkel parimet demokratike dhe votën e shenjtë qytetare.
Me mjete politike demokratike ky vend do të ndryshojë.Ky proces ka nisur më 6 tetor 2019 dhe është proces i pandalshëm. Sa më shpejtë të vetëdijesohen të gjitha partitë politike, aq më mirë për vetë partitë, për zhvillimin e vendit dhe brezat që vijnë.
28 prill, Brezovicë