• Today is: Sunday, November 24, 2024

Ismail Kadare: Leximi i Hamletit

fakti
April28/ 2020

1

Kisha pesë vjet që shkoja në shkollë dhe, natyrisht, çdo stinë mësoja gjëra të reja. Një pjesë e tyre ishin vërtet të reja, por disa nuk ishin veç të dëgjuara edhe më parë, por të kuptuara gabim, kështu që, gjithsesi, tingëllonin ndryshe. Kështu, për shembull, atë pranverë mësuam që vendi ynë ishte republikë. Po atë ditë, mësuesi na shpjegoi se para disa vitesh Shqipëria paskësh qenë mbretëri. Sipas mësuesit, në atë kohë ne ishim katër ose pesë vjeç. Kështu që diçka duhej të mbanim mend.

Në të vërtetë, nuk na kujtohej ndonjë gjë e madhe, ndonëse kishim turp ta pranonim. Ishim të bindur se nuk ishte e lehtë të gjeje ndryshimin midis mbretërisë dhe republikës, aq më tepër që prindërit tanë, qoftë në mbretëri, qoftë në republikë, ishin po ata, madje të tillë ishin edhe kushërinjtë. Dikush u kujtua të thotë se edhe shtëpitë ishin po ato.

Biseda për shtëpitë e ndërlikoi më pas gjithçka. Sipas atyre që dëgjonim nga të mëdhenjtë, jo vetëm që shtëpitë ishin të gjitha të kohës së vjetër, por, për të saktësuar gjërat, duhej thënë se shumica e tyre ishin më të moçme se vetë mbretëria. Shkurt, ato ishin të një kohe tjetër, asaj të perandorisë.

Ishte hera e parë atë pranverë që mësuam se Shqipëria, përpara se të ishte mbretëri, paskësh qenë perandori ose, më saktë, pjesë e një perandorie. Diku e kishim dëgjuar këtë fjalë, por vetëm tani mësuam që një perandori ishte dhjetë apo njëzet herë më e madhe se mbretëria dhe kryeqyteti i saj, bashkë me perandorin, domethënë sulltanin, ndodheshin gjithmonë tepër larg.

Dihej se zbulimet tërhiqnin shpesh njëri-tjetrin, kështu që ne, këtë herë me mendjen tonë dhe pa ndihmën e mësuesit, i dhamë shpjegim diçkaje që më parë nuk e kishim vënë re: shtëpitë e hershme, domethënë ato të perandorisë, ishin shumë herë më të mëdha se ato të mëvonshmet, në atë masë që perandoria kishte qenë më e madhe se mbretëria. Sa për republikën, qysh se ajo ishte vendosur ende nuk ishte ndërtuar asnjë shtëpi, kështu që trajta e tyre s’dihej.

Gjëja e parë për të cilën u nguta të sigurohem, ishte që shtëpia e prindërve të mi ishte e kohës perandorake. Një gjë e tillë bënte mu që larg. Si të mos isha rritur në të, por të kisha bujtur befas, po vija re me habi madhësinë e dhomave, hajatet e zbrazëta, mesoret e panevojshme dhe musandrat pa kuptim.

Në shkollë, në orën e mërzitshme të gjeometrisë m’u kujtua një tjetër mufkë e shtëpisë sonë: ajo s’e kishte për gjë që gjatë çdo meremetimi të pillte dhoma ose të gëlltiste pa të keq një apo dy të tilla. Kjo ishte, me sa dukej, arsyeja që askush s’i donte meremetimet, me përjashtim të babait. Në të vërtetë, në prag të tyre, edhe ai dukej sikur s’i donte, ngrysej ditë me radhë, nuk fliste me askënd, gjersa vendimi më në fund merrej, meremetimi fillonte dhe bashkë me të, si të çlirohej nga një ngërç, tim eti i kthehej e folura e natyrshme.

Në klasën tonë, gjysma e nxënësve i kishin shtëpitë të tilla, perandorake, por, për çudi, kjo nuk na shkaktonte ndonjë ndjesi krenarie. Kjo vinte, me sa dukej, ngaqë, ndonëse nuk e thoshim haptas, ato nuk na pëlqenin. Kjo ishte edhe arsyeja që, kur shokët e klasës, ata me shtëpi mbretërore, qëllonin të vinin te ne, ne qëndronim të heshtur përpara habitjes së tyre.

Historia e panjohur e shtëpisë së Kadaresë në Gjirokastër - Albspirit
Shtëpia e Ismail Kadaresë në Gjirokastër

Në të vërtetë, punët kishin shkuar edhe më larg. Jo vetëm që s’na pëlqenin shtëpitë tona, por fshehtazi i kishim smirë shtëpitë e shokëve, ato mbretëroret. Ishin vërtet të vogla e pa porta madhështore, por brenda, duke qenë më të mbledhura, ngjanin më të ngrohta dhe, kryesorja, nuk kishin gjëra që s’pranonin shpjegim. Veç kësaj, kisha bindjen se në këto shtëpi fliteshin fjalë më të shpeshta dhe, kryesorja, më të ëmbla.

Në shtëpinë tonë, për shembull, fjalët ishin të rralla. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe në një shtëpi me tri kate të hallakatura, ku për të gjetur nënën ose motrën (për babanë as që bëhej fjalë), duhej të shpenzoje gjithë atë kohë. Gjatë kërkimit, qëllonte që e harroje atë që do të thoshe, çka të bënte nervoz, aq sa kur tjetra, kur e gjeje, më në fund, në vend të një fjale të butë, të thoshte: ç’i ke ato buzë të varura!

Isha i bindur se në shtëpitë e moçme njerëzit jo vetëm që ishin më të zymtë, por edhe më krenarë. Ajo që s’kuptohej mirë ishte se cila prej të dyjave ngucte tjetrën. Nganjëherë më dukej se ishin të zymtë, ngaqë njerëzit krenarë s’mund të mos ishin veçse të tillë e, nganjëherë, e kundërta, që ishte pikërisht zymtia ajo që i bënte krenarë.

Shtëpia e madhe kishte edhe huqe të tjera. Kështu, për shembull, ndërsa në banesat mbretërore njerëzit i kalonin të katër stinët e vitit në të njëjtat dhoma, në shtëpinë tonë ne zhvendoseshim çdo stinë nga njëri kat në tjetrin. Kështu që, me ardhjen e vjeshtës ose të dimrit, përpara se të ndryshonte qielli me retë dhe me bubullimat, për ne ndryshonin muret, qiellzanat dhe musandrat pa kuptim.

Ndërkaq, mund të thuhej se kjo nuk ishte ndonjë gjë kushedi çfarë, në krahasim me një të keqe tjetër. Në shtëpitë e mëdha, netët ishin shumë më të frikshme se në banesat mbretërore. Kjo vinte, me sa dukej, nga dhomat dhe hajatet e zbrazëta. Ngaqë ishin pa njerëz të familjes, ishte e natyrshme që ato të kërkonin të mbusheshin me diçka. Kjo diçka tjetër nuk mund të ishin veçse njerëz të huaj ose zëvendës të njerëzve, hijet. Me fjalë të tjera, kusarët dhe fantazmat. Atë stinë të paharrueshme, të dyja palët ishin të pranishme kudo. Për sa u përket të parëve, kusarëve, mësuam se mbretëria i kishte bërë zap dikur, por republika, ngaqë ishte ende e re, s’ua kishte gjetur dot anën. Kurse hijet, ndonëse radioja fliste ditë e natë kundër tyre, duke i quajtur madje si pjellë e fashizmit, e Amerikës dhe e Izraelit, nuk jepnin ndonjë shenjë zmbrapsjeje.

Natën, kur s’më zinte gjumi dhe dëgjoja trarët e pullazit të kërcisnin, nuk e gjeja dot cilën nga dy të këqijat do të zgjidhja: kusarët apo fantazmat. Herë më dukej më e frikshme njëra palë e herë tjetra. Sidoqoftë, isha i bindur se ato nuk mund të vinin kurrë bashkë, madje, në njëfarë mënyre, ishin në armiqësi me njëratjetrën. Kaq shumë më ishte mbushur mendja për këtë, saqë kur ndonjë natë, nga kërcitjet e trarëve dyshoja se kusarët po kacavirreshin nëpër to, ëndërroja që në atë çast t’ia behnin fantazmat, i sigurt se do të bëheshin aleate me mua kundër kusarëve. Por kishte net të tjera kur prania e fantazmave ngjante kaq e lemerishme, saqë mbërritjen e kusarëve dhe përleshjen e tyre me to e quaja shpëtimtare.

2

Në dalje të pranverës, ky farë drejtpeshimi u prish papritur. Shteti, domethënë republika, u dha një goditje të befasishme kusarëve. Jo vetëm e kapi shumicën, por vargun e tyre, të lidhur me pranga, e shëtiti mespërmes qytetit. Ndonëse fytyrat i kishin të nxira, sipas zakoneve kusarore, njerëzit i njohën megjithatë. Ata mbetën gojëhapur kur, midis kusarëve, panë të ecte kokulur mësuesin tonë të urtë të historisë, atë që na kishte folur së pari për ndryshimin e mbretërisë nga perandoria e të tjera gjëra si këto. Habi edhe më të madhe kishin shkaktuar dy zotërinj të tjerë, njëri prej të cilëve, përveç që ishte avokat, vuante nga reumatizma, çka nuk ishte lehtë të përfytyrohej duke u kacavjerrë nëpër trarët e pullazeve.

Me gjithë dyshimet lidhur me kusarët e kapur, për një çudi të madhe, pas kësaj varavinge nëpër qytet, kusarët, të rremët bashkë me të vërtetët, u zhdukën përnjëmend.

Ishte diçka që i gëzoi, pa dyshim, të gjithë, përveç meje. Kisha mbetur i vetëm e pa aleatë përballë hijeve. Rënien e natës e prisja përherë e më me shqetësim dhe trarët e shtëpisë kërcisnin përherë e më kërcënueshëm.

Duke marrë zemër nga mundja e shemrëve, fantazmat ishin, me sa dukej, në festë. Me afrimin e mbrëmjes, mendimet për kusarët sa vente më zbuteshin, kurse aty nga mesnata, kur ora e keqe afronte, ato shndërroheshin në një mallëngjim të vërtetë.

Një ditë dëgjova se ishin bërë arrestime të reja, midis të cilëve, mësuesi i latinishtes, në gjimnazin ku shkonin dy ungjërit e mi. Një shpresë e turbullt se kusarët ende nuk ishin zhdukur dhe përderisa ishte kështu një ditë mund të ktheheshin, më mbushi gjithë gëzim. Vrapova te shtëpia e ungjërve për të marrë vesh diçka, por ajo që dëgjova më zhgënjeu. Mësuesi i latinishtes, bashkë me të arrestuarit e tjerë, s’kishte qenë aspak kusarë, siç kisha shpresuar unë, por “agjent i anglo-amerikanëve”.

Kjo shprehje e re përdorej gjithmonë e më shpesh kohët e fundit. Që agjentët anglo-amerikanë ishin kundër republikës, këtë e dinte edhe bufi, por unë, më shumë se për këtë, isha kureshtar të dija se si i kishin punët me fantazmat.

Në të vërtetë, kisha një pezm të turbullt kundër vetë republikës, e cila, duke qenë aq e zellshme kundër kusarëve, tepër e ngathët po tregohej me fantazmat. Ato që thuheshin në radio kundër tyre, në një vesh të hynin, nga tjetri të dilnin. Kurse në shkollë, e njëjta histori: ca fjalë sa për të larë gojën, mos besoni në broçkulla të tilla, hije, shtriga e lugetër, të gjitha janë profka. Dhe tani të kalojmë në gjëra të rëndësishme, siç është përbërja e ujit.

Unë mezi e mbajta veten të mos thërrisja: ore matuf, ore tutkun, si kujton se do na mbushësh mendjen se uji qenka më i rëndësishëm se fantazmat? Bashkimi i hidrogjenit me oksigjenin, pa shiko, na çudite. Punën e ujit e dinte dhe bufi: bie shi, kthehet në avull, prapë bëhet shi e kështu me radhë, gjë më e mërzitshme as që mund të mendohej. Dhe ajo përbërja e tij, zbulim i madh, për besë, H2O, lëre, lëre, ç’mister! Mister e shkuar misterit ishte përbërja e fantazmës dhe jo ajo e ujit. Për fat, pezmi ndaj mësuesit nuk ishte gjer në atë shkallë sa të kalonte në zemërim kundër vetë ujit.

3

Një ditë, tek flisnim për fantazmat, një shok i klasës më tha se, sipas gjyshes së tij, mbrojtja më e mirë kundër tyre ishte shenja e kryqit. Vendosej nëpër cepat e shtëpisë, sidomos në ndërkalimet, nga ku hijet mund të hynin. Më pëlqeu shumë ky mendim dhe, pa i treguar kujt, nëpër shtëpi, bashkë me shokun tim, vendosëm në trarët e pullazit kryqe prej druri, që i sajuam bashkë.

E prita me padurim natën, por, për fat të keq, kërcitja e fantazmave u ndie njëlloj si më parë, në mos më fort.

Disa ditë më pas, shoku im, gjithashtu sipas këshillës së gjyshes, më solli temjan. Fantazmat prapë nuk u qetësuan. Ndoshta kryqi dhe temjani mbronin vetëm të krishterët, tha shoku im. Unë e vështrova gjithë habi, ngaqë s’më kishte shkuar ndër mend që fetë I kishim të ndryshme.

Një ditë tjetër m’u kujtua ai shkrimtari me emër të vështirë Sha-ke-spe-a-re, libri i të cilit, për shkak të magjistricave dhe të fantazmave, më kishte pëlqyer aq fort, saqë kisha kopjuar gati gjysmën.

Të dy ungjërit mezi e mbajtën buzëqeshjen tallëse, kur panë që te rafti i bibliotekës së tyre po kërkoja prapë diçka. Më në fund, e gjeta. Sha-ke-spe-a-re. Hamleti, princi i Danimarkës.

– Lexoje, lexoje, që të të bëhet mendja dhallë, më keq se ç’të është bërë, – më tha ungji i vogël.

As që më bëhej vonë për talljet e tyre. Ata kishin punët e tyre, unë të miat. Le të mburreshin me nofkën “rrahës profesorësh të latinishtes” a të studionin përbërjen e ujit. Unë kisha punë me fantazmat.

Gjeta një kënd të qetë dhe nisa të lexoj. Libri po më mahniste, sidomos pjesa ku hynte në skenë fantazma. E përpiva çdo fjalë të saj, madje erdhi një çast që mbeta gojëhapur. Ishte çasti kur fantazma i shpjegonte Hamletit se i duhej të ngutej, ngaqë po afrohej koha kur gjeli do të këndonte dhe ajo duhej të kthehej në varr.

E lexova disa herë për t’u bindur se e kisha kuptuar drejt. Ishte pikërisht ashtu: fantazma duhej të tretej sapo afronte mëngjesi, pra, kur gjeli këndonte. Ky paskësh qenë një urdhër për të gjitha fantazmat. Me fjalë të tjera, ato që nuk kishin frikë nga asgjë, as nga arma, as nga kryqi, as nga radioja, as nga im atë, madje as nga republika, na u trembkëshin nga gjeli.

Ky zbulim më mahniti fare. E lashë librin dhe, duke rendur si i marrë, u nisa për në shtëpi. Isha i bindur se e kisha gjetur shkakun përse në shtëpinë tonë vërtiteshin fantazmat: mungesa e një gjeli. Sapo kapërceva portën, e pyeta ose, më saktë, i ulërita gjyshes: përse nuk kemi gjel!

Gjyshja m’u përgjigj ftohtë se s’kishim gjel, ngaqë s’mbanim pula.

Sytë e saj ngjyrë hiri m’u dukën tallës, ashtu si të ungjërve. Një pezm i madh po më merrte frymën. M’u duk e padrejtë që sapo ndodhte diçka që kishte lidhje me Sha-ke-spe-a-re-n, ata të gjithë nisnin të talleshin. Kur e pa që po kafshoja gishtat nga zemërimi, gjyshja më foli me zë të butë:

– Ç’të hipi kështu për gjel?

– Ja që më hipi.

Sedra nuk më linte t’ia thosha arsyen. Ajo më përkëdheli flokët dhe me zë të ulët, si të rrëfente një përrallë, u përpoq të më shpjegonte se, pavarësisht se ishim nevojtarë, ne nuk mbanim pula, sepse zakonet e shtëpive të vjetra kështu ishin dhe se, ndoshta, më vonë, kur zakonet të ndërronin…

Prej kohësh pothuajse e kisha kuptuar. Gjyshja ime, ashtu si shoqet e saj, ishin të gjitha buzëholla dhe ishin gati të vuanin nga uria, veç të ruanin salltanetet, me fjalë të tjera, ta pinin kafenë me filxhanë të shtrenjtë dhe bisedat t’i bënin si zonjat e mëdha dhe sjelljet t’i kishin po ashtu. Me një fjalë, të mos mbanin pula!

– Po ty, po të të ketë vajtur mendja për mish pule, t’i themi babait.

– Çfarë?

– Mos i shtrembëro sytë ashtu! Po të të ketë vajtur mendja, sado ngushtë të jetë yt atë, një pulë mund ta blejë.

– Ç’pulë? – klitha unë. – As që dua t’ia di për mish pule. Unë dua gjel, kupton apo jo? Gjel që këndon ndaj të gdhirë dhe dëbon fantazmat.

Gjyshja nuk m’i ndante sytë. Me siguri, më merrte për të çmendur.

– Aha, – ia bëri pas pak. Iu kujtua, siç duket, që i kisha folur edhe një herë tjetër për fantazmat dhe prapë më ledhatoi flokët.

– Ku e di ti që kënga e gjelit i zbon fantazmat? Në shkollë të kanë thënë?

– Jo. E kam lexuar. Sha-ke-spe-a-re e ka thënë.

– Ç’është ky?

– Shkrimtar. Më i madhi i të gjithëve.

– Aha, – ia bëri prapë gjyshja mendueshëm. – Po të jetë kështu, nuk ka nevojë të kemi gjel në oborr të shtëpisë. Ti mund të dëgjosh gjelin e kako Pinos. Ose atë të Torove. Ose të Xhaxhiajve matanë rrugës.

Tek fliste, mendoja se ishte prapë ajo puna e shtëpive të perandorisë e të mbretërisë, që ngatërronte çdo gjë. Me fjalë të tjera, shtëpitë perandorake, ndonëse të handakosura, ende nuk mbanin pula, që të mos u binte hunda, kurse mbretëroret i kishin ulur kryet ndërkaq. Sa për banesat e republikës, merrej me mend se jo vetëm pula, por edhe laraska e bretkosa, po të ishte nevoja, do të mbanin.

Biseda me gjyshen më qetësoi disi. Tani mezi ç’prisja rënien e mbrëmjes. Një trazim i pazakonshëm s’më linte të rrija në një vend. Gjyshja më hetonte me ca sy të shqetësuar, por mua aq më bënte. Tani kisha një aleat të ri, të cilit i besoja më shumë se tim eti, se gjithë mësuesve bashkë, madje më shumë se republikës.

Sha-ke-spe-a-re. Emrin e kishte të tillë që të sillte ndër mend shkreptimën. Dhe ishte nga i njëjti vend i largët, që pak kohë më parë dërgonte aeroplanë bombardues për të dëbuar fashistët. Kurse tani, si të kishte dëgjuar thirrjen time të fshehtë, kishte dërguar këtë shpëtues të ri.

4

Darka m’u duk më e mërzitshme se herët e tjera. Dhe fjalët ishin të gjitha të përsëritura, bashkë me heshtjet midis tyre. Ato zgjateshin sidomos kur që jashtë dëgjoheshin trokitje portash. Te Shtinot! thoshte nëna, duke ngritur kryet. Pastaj shtonte: te Kokalarët! Fjalët “prapë arrestim?”, ndonëse nuk i thoshin, kuptohej që i mendonin. S’kishin faj, ishin të pambrojtur, pa aleatë të fshehtë, ndaj dhe u jepnin më shumë rëndësi se ç’duhej gjërave të rëndomta.

Pas darke ramë të flinim njëri pas tjetrit. Pak kohë më pas trarët e pullazit nisën të kërcisnin. Fantazmat, sikur ta dinin se diçka kishte ndodhur, ngjanin të shqetësuara.

Nata ishte e errët. Nuk kuptohej kurrsesi ç’kohë ishte. Në shkollë kishim mësuar se mesnatë quhej ora dymbëdhjetë, por në asnjë libër nuk thuhej se në ç’orë këndonin gjelat. Një herë më kapi frika: po sikur t’u dilte gjumi vonë, si përtacëve, ose të mos zgjoheshin fare?

Shi kur e kisha humbur shpresën, një frushullimë e njohur u ndie befas nga ana e dritareve të jugut e fill pas saj, përplasja ngadhënjyese e krahëve dhe britma “ki-ki-riku!” e mbushi botën me një tërsëllimë, hare e mallëngjim të paparë.

Gjeli i kako Pinos… Nuk arrita as t’i mendoja këto fjalë, kur nga krahu tjetër i shtëpisë, gjeli i Torove, me të njëjtin zell, në mos më të madh, e dha kushtrimin. Më tej, ai i Shametëve e fill pas tij, ai i Ficove dhe ai i Dino Çiços e kishin lëshuar klithmën në kupë të qiellit. Një shkrehje dhe një paqe hyjnore e kaploi krejt qenien time. Ata kushtrimonin rresht, njëri pas tjetrit nga oborret e Skëndulajve, të Hankonatëve, të Babametove, të Kokobobove, të Karogjozatëve, secili më zhurmëmadh e më i etur për kacafytje se tjetri. Le të dridheshin fantazmat, asnjë mëshirë s’kishte për to. Vetë Sha-ke-spe-a-re i tmerrshëm kishte urdhëruar.

Ndërsa gjumi po m’i mbyllte sytë, përfytyroja se si gjelat vazhdonin të jepnin kushtrimin, si nga maja katedralesh, më larg, në katundet e Lunxhërisë dhe më tej, në Shqipërinë Qendrore, që e dija nga mësimi i gjeografisë dhe përtej saj, në Nikaj-Mërtur dhe pastaj në Mal të Zi dhe edhe më larg, në Danimarkë dhe, pa dyshim, në tokën angleze, vendin e idhullit tim të ri.

Qiejt e pastruar shtilleshin, ndërkaq, të përtërirë, njëri pas tjetrit. Mendja ime po i avitej ndoshta Polit të Veriut, në kohën që gjumi, më i ëmbli që kisha shijuar ndonjëherë, më kaploi krejt.

Paris, qershor 2004.

/Marrë nga exlibris/