• Today is: Sunday, April 28, 2024

E SHTRENJTË LIRIA

fakti
April25/ 2020

(Gjithmonë e përjetë me UÇK-në. Përpos me ata që UÇK-në e shfrytëzuan për interesa të ngushta.)

 

“Liria është gjëja më e shtrenjtë!”
Mësonim përmendësh e recitonim në shkollë
Atëhere kur ende fshija hundën
Me shaminë e kuqe të pionierit.
Sot bie e zgjohem në ankth
Në një tjetër realitet vetveten takoj
E n’ëndërr më shfaqet Drenica, fëmijët
Shtëpitë e djegura, UÇK-ja.
Refren i njejtë më përcjell çdo ditë
“Call for peace and make no war
Is the message of Kosova!”
Tek shikoj Euro News-in, Clintonin e Rugovën
Solanën e zonjën Albright.
Ushtimat dhe aeroplanët mbi kokë
Dekor i rëndomtë i qiellit tonë
Brezi im i traumatizuar ende beson në Zot.
Asgjë s’ma largon shpresën
“Për NATO-n në Kosovë”
As Celine Dion nga MTV-ja
As Pavarotti nga RaiUno
As makiatot e cappuchinot
Në pikë të zhegut te “Sante-ja”
S’më bëjnë dot të harroj
Kohën, Emrin Tim, Rrënjën
Dhe askujt s’mund t’i them më
“Mos ta n’in!”
Në gjysmë të natës vetveten e zë në flirt
Në gjumë duke thirrur “gol, Batistuta, gol!”
Dhe më vie të qesh
Me ironinë e jetës
Me vajin e mbledhur fytit
E si për inat vazhdoj të gozhdoj shpresën
Si ata, Judën a Krishtin.
Nesër në pikë të ditës midis sheshit
“Nënë Tereze”
Do të dal
E si e çmendur do të bërtas
“LIRI! PAVARËSI! Liri! Pavarësi!”
E lumtur që mund të vdes
E lumtur që mund ta shijoj.
E shtrenjtë qenka Liria!

Donika Gashi, Prishtinë, 1998