• Today is: Sunday, November 24, 2024

ECOLOG DHURON MIJËRA KOMPJUTORË-TABLET PËR FËMIJËT E FAMILJEVE NË NEVOJË

fakti
April25/ 2020

Lazim Destani: “Ky donacion u dedikohet nxënësve të cilët për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike mbetën jashtë procesit arsimor.Ky donacion do t’i përfshijë fëmijët e familjeve me gjendje më të rënduar ekonomike si në Maqedoninë e Veriut ashtu dhe në Shqipëri, Kosovë e më gjerë në trojet tona”

Presidenti i korporatës Ecolog, Lazim Destani, që njihet edhe si një ndër filantropët më të dalluar në botën shqiptare, tash së fundmi ka dalur me një donacion të ri, dedikuar situatës së pandemisë në të cilën ndodhet gati e gjithë bota. Ky donacion që ka të bëjë me projektin për dhurimin e mijëra pajisjeve teknologjike për mësim online, vjen mu në kohën kur njerëzit e izoluar, sidomos nxënësit dhe studentët kanë nevojë ta tejkalojnë mungesën e mësimit klasik me ndihmën e teknologjisë.

“Përpjekjet për t’i dalë në ndihmë popullatës sonë në këtë periudhë pandemie janë obligim i secilit që e ka këtë mundësi dhe ato po inkurajojnë gjithnjë e më shumë.

Ndihem mirë kur shikoj që biznese e kompani të shumta, shoqata e fondacione nga diaspora e nga vendet tona janë vënë në lëvizje e po tregojnë zemërgjerësi duke u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë e duke dhënë kontribut në sfera të ndryshme të jetës shoqërore.
Në kuadër të këtyre përpjekjeve si dhe në përputhje me apelin tim, e çmoj dhe e falënderoj ekipin nga biznesi ynë familjar i cili pas një angazhimi prej dy javësh e finalizoi projektin për dhurimin e mijëra pajisjeve teknologjike për mësim online.
Sipas evidencës nga institucionet shtetërore, në mungesë të këtyre pajisjeve shumë nxënës nuk e kishin mundësinë ta ndjekin mësimin nga shtëpia.
Andaj, ky donacion u dedikohet nxënësve të cilët për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike mbetën jashtë procesit arsimor. Ndër gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë gjatë krizës që solli Covid-19 është që, e ardhmja e këtij vendi, fëmijët, të vazhdojnë me ndjekjen e procesit mësimor pa pengesa.
Ky donacion do t’i përfshijë fëmijët e familjeve me gjendje më të rënduar ekonomike si në Maqedoninë e Veriut ashtu dhe në Shqipëri, Kosovë e më gjerë në trojet tona.
Sipas projektit, sot filloi faza e parë e shpërndarjes duke nisur nga qyteti i Shkupit dhe komunat e tij për të vazhduar pastaj edhe më gjerë në qytetet tjera”, , ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Presidenti i Koroporatës Ecolog., Lazim Destani/Gazeta FAKTI

Lazim Destani ka përzgjedhur dy simbolet e kombit për të uruar 17 ...

Faruk TASHOLLI

SËRISH LAZIM DESTANI, SËRISH ECOLOG-u

(Mijëra kompjuterë dhuratë për nxënësit në nevojë për ta ndjekur mësimin online)

Ashtu si në mbarë botën, edhe shqiptarët, virusi Kosona, i përjashtoi nga jeta normale. Por nxënësit, i përjashtoi nga shkolla dhe për ta u organizua mësimi online. Ndërsa varfëria, nxënësit shqiptarë, i përjashtoi edhe nga mësimi online. Por këtë përjashtim të tyre nuk e pranoi biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani dhe firma e tij e përmasave ndërkombëtare Ecolog. Nga biznesi i tij familjar u dhuruan mijëra kompjuterë dhe tablete për nxënësit në nevojë, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Kosovë e në Shqipëri dhe gjetiu. Nxënësit e përjashtuar nga shkolla dhe nga mësimi online, tashmë kanë mundësi të komunikojnë me mësuesit e tyre, të marrin dijen e nevojshme dhe ta ndjejnë veten pjese të pabraktisur të kombit. Lazim Destani nuk është metaforë e pasurisë por edhe e zemërgjerësisë kombëtare. Vetëm në pesë muajt e fundit, ai ndau miliona euro, sa për zbutjen e pasojave të tërmetit në Shqipëri, sa për rikthimin në piedestal të themeluesit të Universitetit të Tetovës, bashkëvendasit të tij Fadil Sulejmanit, sa për mbijetesën në kohë pandemie dhe tash edhe për nxënësit e varfër, pa llogaritur ndihmat dhe dhuratat e vogla, që as don t’i përmend, as ai e as pjesëtarët e familjes Destani. Në muajin e shenjtë të Ramazanit, të gëzosh shkollarët tanë me mjete të teknologjisë së komunikimit, t’ua hapësh dritaret me botën kur sëmundja vrastare fshehet ndër ne, është shenjtëri mbi shenjtëritë, si Dhaskal Todri kur binte nga Europa shkronja për ta shkruar gjuhën e shenjtë shqipe.