Deri më tash askush nuk ka dorëzuar padi as në Prishtinë e as në ndonjë qytet të botës kundër Dick Martit.As kundër prokurores zvicerrane Carla del Ponte askush nuk bëri asnjë padi por u morën me deklarime patriotike dhe me sharje duke mos u brengosur apo ndoshta duke mos e kuptuar se makina e drejtësisë dhe e gjyqeve kur vihet në veprim shkon deri në fund…Shkelzeni është problemi më i vogël,problemet e mëdha duhet fshirë me të vërtetën tonë historike.
Nga Gëzim MUÇOLLI/ Padovë
U kënaqa sonte kur e pashë se ishte mbushur Facebooku me amblema dhe flamuj të UÇK-së. Gati me ta marrë mendja se mos dikush e ka shpallur mobilizimin gjithëpopullor dhe po bëhen gati me i ra Serbisë.
Mendova se mos kësaj thirrje në radhë të parë po i dëshmohen me paraqitje vullnetare në Facebook të parët dhjetëra mijëra veteranët e pastaj edhe patriotët e vërtetë.
Por gabim ishte ajo përshtypja e parë që më krijoi imazhi i patriotizmit tonë më shumë social(virtual) se sa faktik. Nuk mu desh shumë per ta kuptuar se na jemi popull që idhnohemi dhe kur idhnohemi ja marrim inati edhe vetit.
Një zyrtar i lartë në rolin e këshilltarit të kryeministrit paska dhënë deklarata që janë jashtë kohës dhe të prira nga një guxim që me teprimin e vet i kthehet mbrapa dhe e përbaltë edhe vetë atë. Këshilltari Shkëlzen i ka krijuar kushtet që kryministri në detyrë, shefi i tij Albini duhet ta shkarkojë nga detyra e tij qysh sonte.
Mos u gaboni dhe mos e teproni me të sepse këshilltari në fjalë nuk mund të akuzohet per tradhëti kombëtare por mund të shkarkohet per deklarim të pabazuar në fakte dhe per shkak të krijimit të pakënaqësisë dhe revoltimit moral të qytetarëve.
Zotëri kryeministrit nuk duhet ti vijë zor e pastaj edhe me zellin e tij ka dëshmuar se nuk e ka aspak të vështirë ti shkarkojë edhe kolegët në gjysmë të natës apo të ditës ata që e meritojnë ose e lypin vet shkarkimin.
“Via dente, via il dolore !”- u hoq dhëmbi , u hoq dhimbja e dhëmbit- thonë italianët e mençur e të sprovuar edhe politikisht.
Albin heqe peshën e rëndë që mund të kapet te tojat e këpucëve ose kurrë më s’do të mund të ecësh drejt.
Kuptoje sot se populli është zemëruar.
Më së keqti janë zemëruar ata që zakonisht per çdo gjë dhe per çdo rast ofendohen.Ata që ndryshe quhen “të ofenduarit që bëjnë finta!”
Ata janë më të këqinjt nga të gjithë.
Janë të njëjtit që asnjëherë nuk janë përpjekur ta mbrojnë Luftën e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata që vazhdimisht kanë folur per pastërtinë e luftës e në anën tjetër s’ kanë bërë asnjë veprim juridik per ta mbrojtur vërtetë pastërtinë dhe shenjtërinë e luftës.
Kur doli Akuza e njohur me emrin Raporti i Dick Marty ishte koha më e mirë që asaj ti dilej përpara menjëherë dhe të bllokohej në fillim. Edhe vetë presidenti i tashëm i Republikës së Kosovës pat deklaruar solemnisht se do ta padiste Dick Martyn për akuzat e pavërteta ndaj UÇK-së dhe kundër udhëheqjes së saj.
Deri më tash askush nuk ka dorëzuar padi as në Prishtinë e as në ndonjë qytet të botës kundër Dick Martit.
As kundër prokurores zvicerrane Carla del Ponte askush nuk bëri asnjë padi por u morën me deklarime patriotike dhe me sharje duke mos u brengosur apo ndoshta duke mos e kuptuar se makina e drejtësisë dhe e gjyqeve kur vihet në veprim shkon deri në fund .
Pse askush nuk shkroi libra kundër Karla del Pontes kur ajo shkroi librin e vet. Nëse nuk gaboj me Dick-un dhe me Karla del Ponten i vetmi është marrur Bardhyl Mahmuti dhe askush tjetër.
Kjo është pazotësia jonë.
Me respekt per trimat tonë që sakrifikuan aq shumë per lirinë e Kosovës dhe me përulje para gjakut të dëshmorëve mendoj se sikur ti kishim sjellur edhe eshtrat e 1700 dëshmorëve e të zhdukurve sonte do të ishim edhe më të fortë per ta mbrojtur UÇK-në.
Me keqardhje e dimë se dikush nuk ka punuar mjaft në këtë drejtim.Ka ende nëna dhe djem e vajza që i presin tu kthehen eshtrat e më të dashurve të tyre që tashmë skedohen si “mbetje mortore”.
Besoj se UÇK- do të vazhdojë të jetë motiv krenarie i yni dhe do të krenohemi me të , e sidomos edhe pas pandemisë do ta kemi temë të përditshme sepse ata që shkuan në Hagë per intervistim kushedi se si do i marrin përsëri në fazën e dytë. Sigurisht se shkuarja e ardhshme nuk do të jetë si udhëtim turistik.
Ta ruajmë vullnetin dhe respektin tonë sepse do të na duhet per protestat e ardhshme per ti mbrojtur heronjët e luftës sonë dhe drejtësinë per çlirimtarët per t’ia hequr mundësinë që vazhdimisht të huajt të na e përbaltin per logarinë e agresorit, pra shtetit të Serbisë.
Shkelzeni është problemi më i vogël,problemet e mëdha duhet fshirë me të vërtetën tonë historike.
Të vërtetën e sovranit dhe Liberatorit.
24, prill, 2020