• Today is: Sunday, April 28, 2024

MBI 750 MIJË TË SHËRUAR NGA CORONAVIRUS NË TË GJITHË BOTËN

fakti
April24/ 2020

Numri i personave të shëruar nga koronavirusi i ri (Covid-19) në të gjithë botën ka tejkaluar shifrën 750 mijë, ekzaktësisht 755,390 persona.

 

Sipas faqes “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me rastet dhe vdekjet e shënuara nga COVID-19, thuhet se 755,390 persona në botë janë shëruar nga koronavirusi, nga totali i përgjithshëm i të prekurve që ka kaluar 2.7 milionë njerëz (2.744.606).

Vendet me numrin më të madh të rasteve në botë janë të listuara si më poshtë:

SHBA: 886,709 të prekur; 50,243 viktima

Spanjë: 219,764 të infektuar; 22,524 viktima

Itali: 189,973 të infektuar; 25,549 viktima

Francë: 158,183 të infektuar; 21,856 viktima

Gjermani: 153,215 të infektuar; 5,575 viktima

Në të gjithë botën, numri i rasteve me COVID-19 ka shkuar në 2,744,606 ndërsa 191,790 kanë humbur jetën pas infektimit me sëmundjen. Ndërkohë, aktualisht ka 1,797,426 raste aktive që presin të shërohen.

Spanja ka regjistruar numrin më të ulët, në baza ditore, të vdekjeve nga koronavirusi, në më shumë se një muaj.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 367 viktima. Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur në 22,524.

Spanja, një anëtare e Bashkimit Evropian, është ndër vendet më të goditura në botë nga koronavirusi.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 213,024, sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins në Shtetet e Bashkuara.

Para saj, në vend të parë, janë Shtetet e Bashkuara me 869,172 të infektuar dhe 49,963 viktima.

 

“Nju-Jork Tajms”: Numri i rasteve të vdekjes nga Kovid-19 është 15 herë më i madh se statistikat zyrtare

Numri i vdekjeve si pasojë e Kovid-19 në Ekuador është ndër më të mëdhenjtë në botë dhe vlerësohet se 15 herë më shumë njerëz kanë vdekur sesa statistikat zyrtare.

Sipas “Nju-Jork Tajms” fotografitë e trupave të pajetë nëpër trotuare, të hedhura në karroca ose në arkivole kartoni, tregojnë se vendi është shkatërruar nga pandemia me koronavirusin e ri.

“Nju-Jork Tajms” raporton se numri i vdekjeve është trefishuar në dy javët e para të prillit.

Sipas të dhënave zyrtare, në Ekuador të infektuar me koronavirusin e ri janë 11.183 persona, ndërsa të shëruar janë 1.328 persona.

Donald Trump propozoi metoda të pazakonta për trajtimin e koronavirusit

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump propozoi metoda të pazakonta për trajtimin e koronavirusit të ri (COVID-19) në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë rrezet ultravjollcë dhe injektimin e dezinfektuesve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pra, duke supozuar se e godasim trupin me një dritë të jashtëzakonshme, qoftë ultravjollcë apo një dritë shumë e fuqishme. Dhe unë mendoj se ju do të thuani se kjo nuk është kontrolluar, por ju do ta provoni atë. Duke supozuar se hodhët dritën brenda trupit, e cila mund të bëhet përmes lëkurës ose me ndonjë mënyrë tjetër. Tingëllon interesante”, u tha Trump gazetarëve.

Vërejtjet e tij erdhën disa minuta pasi William Bryan, ushtrues i detyrës së Drejtorisë së Shkencës dhe Teknologjisë në Departamentin e Sigurisë së vendit, tha se drita diellore ka të ngjarë se vret virusin si në sipërfaqe ashtu edhe në ajër.

“Kemi parë efekt të ngjashëm me temperaturën dhe lagështinë ku rritja e temperaturës dhe lagështisë, ose të dyjat, në përgjithësi janë më pak të favorshme për virusin”, tha Bryan.

Më vonë, Trump doli me një trajtim tjetër, këtë herë duke sugjeruar përdorimin e dezinfektuesve.

“Dhe pastaj e shoh dezinfektuesin se si e nokauton atë brenda një minute. Një minutë. Dhe a ka ndonjë mënyrë që ne mund të bëjmë diçka të tillë me injeksion brenda ose me pastrim? Siç e shihni, ajo futet në mushkëri dhe bën një varg të jashtëzakonshëm në mushkëri, kështu që do të ishte interesante ta kontrolloni këtë. Do të duhet të bëni këtë me mjekët, por kjo më duket interesante”, tha Trump./ Gazeta FAKTI