• Today is: Sunday, November 24, 2024

LDK PROPOZON AVDULLAH HOTIN PËR KRYEMINISTËR, MUSTAFA: DO TË BASHKËPUNOJË ME VETËVENDOSJEN

EA
April23/ 2020

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, zyrtarisht e konfirmoi se Avdullah Hoti është kandidat për kryeministër. Mustafa tha se fillimisht e gjithë kërkesa e LDK-së ka qenë që ai, pra Mustafa, ta marrë përgjegjësinë për të krijuar qeverinë.

Prishtinë, 23 prill/Gazeta FAKTI – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka kërkuar edhe zyrtarisht kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë së re. Kjo kërkesë e presidentit ka ardhur pas një takimi që ka zhvilluar pasditen e djeshme me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Në këtë takim Mustafa i ka konfirmuar presidentit se e ka siguruar shumicën e nevojshme në parlament për votimin e Qeverisë së re.

Me konfirmimin e Mustafës, presidenti i ka dorëzuar një letër ku i kërkon propozimin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili duhet të sigurojë se do të krijojë Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse.

“Në përputhje me mandatin kushtetues dhe në respektim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin nr. K0103/14, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme, ruajtjes së stabilitetit të vendit dhe në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me të gjitha partitë politike  parlamentare dhe pajtimit të shumicës së tyre absolute për të formuar Qeveri të re, pas mosdërgimit të emrit të kandidatit për të formuar Qeverinë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje përkundër 5 kërkesave nga ana e Presidentit të vendit, si dhe në përputhje me Kriteret Mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, pas takimit të pasdites së djeshme ku kreu i LDK-së, Mustafa ka konfirmuar se ka siguruar shumicën e mjaftueshme në Kuvend, presidenti Thaçi ka përmes një letre i ka kërkuar emrin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së presidentit.

“Njoftova që nuk jam në gjendje ta marrë këtë përgjegjësi, jo pse nuk dua, por më duhet të kujdesem për shëndetin tim. Për shkak të disa problemeve fizike që kam, luta Kryesinë të kenë mirëkuptim ndaj meje”, tha Mustafa.

Mustafa tha se për mandatar janë diskutuar emrat e Avdullah Hotit, Kujtim Shalës, Lutfzi Haziri etj, derisa Hotin është vendosur përfundimisht.

“Me vullnetin e të gjithëve, Hoti është propozuar nga Kryesia për kryeministër në qeverinë e Kosovës, që bashkë me subjektet tjera parlamentare do t’ia prezantojmë Kuvendit”, tha ai,

Vlerësoj, tha Mustafa, që “Hoti mund ta bëjë me përgjegjësinë më të madhe”.

“Mund të krijojë komunikim me të gjitha subjektet parlamentare dhe me ndërkombëtarët”, tha Hoti.

Mustafa tha se “do t’i përmbahemi parimeve, s’do të kemi njerëz me probleme me ligjin”.

“Është privilegj për Hotin të jetë kryeministër, por edhe sakrificë”, tha tutje Mustafa.

Mustafa tha se Hoti do të bashkëpunojë edhe me Vetëvendosjen.

“S’do ti hyjmë me dhunë qeverisë, s’do të punojmë me inate, s’do të nxjerrim askënd”, tha Mustafa.

Kurti: Nga pavarësia qeveritare prej Listës Serbe dhe PAN-it, po synohet të kalohet në një varësi të dyfishtë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar zhvillimet e fundit politike në LDK, ku u propozua si kandidat për kryeministër Avdullah Hoti.

“Unë nuk preferoj të komentoj si kryeministër në detyrë zhvillimet në një parti politike. Sa u ktheva nga komuna e Mamushës dhe Rahovecit dhe nuk kam pasur mundësi ti ndjek krejt kush çka tha. Sapo ti shohim dokumentet zyrtare me tekst me nënshkrim atëherë do të mund të flasim”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për vitin 2014 dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të asaj kohe.

“Në vitin 2014 ne kemi konsideruar se shumica parlamentare formohet në Kuvendin e Republikës, mirëpo pati një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që e definoj shumicën si shumicë absolute dhe relative. Ne ishim kritik atëherë, mirëpo ne e patëm pranuar atë aktgjykim dhe jemi sjellë konfrom me të”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se tash pasi LVV doli partia e parë në zgjedhjet e fundit, tash po ju kërkohet që të kthehen sërish në vitin 2014.

“Tash dolëm të parët në garë dhe po na thonë hajde të kthemi. në vitin 2014, atëherë na thonin se e keni gabim. Edhe në 2014 na bëhej e padrejtë edhe sot po na bëhet njëjtë, sepse po synohet një qeveri e cila për herë të parë në histori nuk varej as nga Lista Serbe dhe PAN-i”, shtoi kryeministri në detyrë.

Kurti kritikoi sërish presidentin Hashim Thaçi duke thënë se po tenton që jashtë kompetencave të tij të formojë vullnet politik.

“Nga pavarësia qeveritare edhe prej Listës Serbe dhe PAN-it po synohet të kalohet në një varësi të dyfishtë”, tha Kurti.

Presidenti Hashim Thaçi  ka përfunduar takimin me ambasadorët e QUINT’it

Menjëherë pasi LDK doli me emër të kandidatit për kryemnistër, Presidenti Thaci në zyrën e tij i ka pritur ambasadorët e pesë shtetëve të Quintit; Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA’së.

Ndërkaq dje Presidenti Thaci, pasi i ka takuar krerët e partive politike, i ka kërkuar përmes një letre kreut të LDK’së, Isa Mustafa, një emër për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së re.

Këto veprime Presidenti i ndërmori pasi konstatoi se LVV nuk i është përgjigjur kërkesës së tij që si parti fituese, të cojë emrin e kandidatit për kryeministër, pas rrëzimit të Albin Kurtit, me mocion mosbesimi.