Duhet ta bëjmë një dallim në mes akademikut dhe politikanit: akademiku mendon dhe është i përfshirë në një fushë të ngushtë shkencore ekskluzive kurse politikani vepron në një fushë të gjërë ku nuk duhet shumë mendim dhe në të cilën fushë mund të përfshihet absolutisht gjithkush. Pse pra në Kosovë akademikët, së bashku me anëtarët e akademisë, kanë hyrë në politikë dhe ende quhen të tillë dhe i ruajnë vendet apo pozitat akademike?
Nga Dr. Daut Dauti/ Londër
Sipas definicionit, akademik është ai që ka gradë shkencore, zakonisht PhD apo doktoraturë dhe që punon në universitet, në ndonjë institucion shkencor apo është hulumtues shkencor i pavarur.
Ekziston edhe një kategori tjetër e akademikëve që është më e lartë. Ata janë anëtarët e akademive dhe secili shtet e ka së paku nga një institucion të tillë. Këta anëtarësohen në këtë institucion të lartë shkencor për shkak se kanë treguar sukses në fushat shkencore ku hulumtojnë. Pra, anëtarët e akademisë, janë shkencëtarë të vërtetë dhe vazhdimisht merren me studime në fushat e tyre në të cilat janë ekspertë. Këta ndryshe quhen edhe studjues, shkollarë apo dijetarë dhe vazhdimisht hulumtojnë apo studjojnë dhe shkruajnë. Me punimet e tyre këta njerëz mund t’ a përkrahin ose kundërshtojnë ndonjë proces politik por praktikisht nuk angazhohen në të.
Në grupin e parë, pra te akademikët e jo te anëtarët e akademisë, ka raste kur këta hyjnë në politikë. Por, nëse e bëjnë këtë, më nuk janë akademikë për shkak se më nuk merren me punë akademike siç thot definicioni. Ta zëmë, Barack Obama ka qenë akademik por nga momenti që ka hyrë në politikë ka hequr dorë nga akademia dhe është bërë politikan. Parlamentet e shteteve Perëndimore kanë anëtarë me grada shkencore por as këta më nuk konsiderohen akademikë.
Këtu duhet ta bëjmë një dallim në mes akademikut dhe politikanit: akademiku mendon dhe është i përfshirë në një fushë të ngushtë shkencore ekskluzive kurse politikani vepron në një fushë të gjërë ku nuk duhet shumë mendim dhe në të cilën fushë mund të përfshihet absolutisht gjithkush.
Pse pra në Kosovë akademikët, së bashku me anëtarët e akademisë, kanë hyrë në politikë dhe ende quhen të tillë dhe i ruajnë vendet apo pozitat akademike? Përgjegjja është e thjeshtë: për shkak se këta njerëz nuk janë akademikë. Në fakt ata nuk kanë qenë akademikë të vërtetë edhe sa kanë qenë të ‘angazhuar’ vetëm në vendet akademike. Këta njerëz nuk janë shkollarë apo studjues dhe nuk shkruajnë kurrë sepse nuk dijnë të shkruajnë. Edhe nëse kanë shkruar, ‘studimet’ e tyre janë më të dobëta se ndonjë ese që shkruajnë nxënësit e shkollave të mesme të Londrës apo gjetiu në Perëndim. Këta janë ‘prevaranta’ (mashtrues) klasikë. Kjo është maja ku paraqitet problemi jonë i madh që e kemi me sistemin e arsimit, i cili në praktikë paraqitet me vlerat e çrregulluara shoqërore.
Një gjë duhet ta mbajmë në mend. Fusha e studimit të akademikut, sidomos e anëtarit të akademisë, është aq e gjërë sa që nuk përfundon kurrë. Dhe, pasi që është kështu, duhet ta parashtrojmë pyetjen: PSE kanë kohë këta akademikë të merren edhe me politikë? Përgjegjja është gërditëse.