• Today is: Sunday, May 12, 2024

A MUND TË FORMOHET QEVERI E RE NË KOSOVË DUKE E THYER KUSHTETUTËN?

EA
April22/ 2020

Sot në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një takim konsultativ me të gjitha partitë politike, me ç’rast janë diskutuar hapat e mëtujeshëm për formimin e një Qeverie të re, e cila do të duhej të votohet në Kuvendin e Kosovës. Ky vendim i Thaçit për të procesuar drejt formimit të kabinetit të ri qeverisës, ka shkaktuar reagime të shumta dhe është konisderuar një akti i tillë i papranueshëm për liderin e VV Albin Kurtin, për ish kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani dhe për njohës të shumtë të materies konstitucionaliste – “PDK nuk do ta mbështesë LDK-në, e asnjë parti tjetër për formimin e qeverisë”, ka deklaruar zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi. “Shpresa” e vetme që LDK t’i sigurojë votat e duhura për formim të Qeverisë mbetet tek Lista Serbe, e cila nuk dihet nëse do ta mbështesë apo jo një gjë të tillë.

 

Prishtinë, 22 prill/Gazeta FAKTI – Presidenti i vendit, Hashim Thaçit në takimin e sotëm konsultativ me partitë parlamentare ka mbajtur një fjalim ku ka përmendur disa kritere mbi të cilat duhet të formohet qeveria e re. Në fjalimin e tij, Presidenti thotë se qeveria e re duhet t’i eliminoj të gjitha pengesat, për vazhdimin e dialogut. Ai poashtu ka deklaruar se në qeverinë e ardhshme nuk duhet te ketë persona me aktakuza.

Krerët e partive politike në takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin nuk kanë mbajtur distancën e duhur të rekomanduar për parandalimin e shpërndarjes së pandemisë së coronavirusit.

Në takimin e mbajtur në kohë pandemie, shumica e përfaqësuesve apo liderëve partiakë  nuk kanë pasur as maska e as dorëza.

Në këtë takim kanë marrë pjesë të gjitha partitë politike në Kosovë, por sipas fotografive të dërguara nga presidenca e Kosovës, pothuajse asnjëra prej tyre nuk janë kujdesur për masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19.

 

Gjithashtu, as nga ana e presidencës së Kosovës nuk ka pasur ndonjë masë preventive në lidhje me pritjen e përfaqësuesve të partive.

 

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar pas takimit konsultativ me liderët e subjekteve politike për mandatarin e ri.

Thaçi përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se në ditët e ardhshme, Kosova do të ketë Qeveri të re dhe nuk do të ketë shpërbërje të Kuvendit dhe as zgjedhje të reja.

“Sapo përfundova takimin me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nga 120 deputetë, përfaqësuesit e 91 prej tyre u shprehën për krijimin e një Qeverie të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Unë do ta respektoj vullnetin e tyre, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në ditët e ardhshme, Kosova do të ketë Qeveri të re dhe nuk do të ketë shpërbërje të Kuvendit dhe as zgjedhje të reja. Kosova ka aftësi dhe maturi që edhe përkundër kësaj pandemie të formojë Qeveri të re dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçit në takimin e sotëm konsultativ me partitë parlamentare ka mbajtur një fjalim ku ka përmendur disa kritere mbi të cilat duhet të formohet qeveria e re.

Në fjalimin e tij, Presidenti thotë se qeveria e re duhet t’i eliminoj të gjitha pengesat, për vazhdimin e dialogut.

Ai poashtu ka deklaruar se në qeverinë e ardhshme nuk duhet te ketë persona me aktakuza.

 

 

Fjalimi i  plotë i Hashim Thaçit

“Si rrjedhojë e diskutimeve, si dhe duke marrë parasysh që të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, me përjashtim të njërës, janë për formimin e një qeverie të re, atëherë ndodhemi para pyetjes në vijim:

Si rrjedhojë e vullnetit tuaj të shprehur që vendi të ketë qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, duke respektuar në tërësi dhe përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjet e Kosovës, unë do t’i jap mandatarin secilës do parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në KUVEND për të krijuar qeverinë e re.

Nuk është në diskrecionin tim që të shpallë kandidatin e tillë. Siç e dini të gjithë, Qeveria rrjedhë nga fuqia mbizotëruese politike brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, prandaj propozimi duhet të rrjedhë nga partia apo koalicioni i cili do të ketë gjasa më të madhe që të formoj qeverinë, duke parë edhe deklarimet e juaja sot këtu”.

Thaçi ka dëgjuar të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare duke i pyetur se a janë për krijimin e një qeverie të re.

Kurti i dërgon letër Thaçit: Nuk keni të drejtë e as autorizim kushtetues për të konstatuar se kemi refuzuar propozimin e kandidatit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i është drejtuar sot me një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kurti nëpërmjet letrës ka thënë që në asnjë rast nuk e ka refuzuar kërkesën dhe as propozimin e mandatarit, njofton Klan Kosova

“Sot, më 22.04.2020, kam pranuar një letër nga ju, përmes të cilës konstatoni jashtë kompetencave tuaja kushtetuese si President, se unë nuk e paskam shfrytëzuar të drejtën për propozimin e kandidatit të ri për të formuar Qeverinë”, thotë Kurti.

“Bazuar në rolin dhe funksionin si President, ju nuk keni të drejtë e as autorizim kushtetues për të konstatuar se kemi refuzuar propozimin e kandidatit për kryeministër kur nuk e kemi bërë këtë; ju nuk e keni në mandat e kompetencë që të përcaktoni përtej Kushtetutës se si e çfarë do të jetë Qeveria, siç keni bërë këtyre ditëve në deklarimet publike; dhe, me keqardhje konstatojmë se ende nuk na jeni përgjigjur se në bazë të cilës pikë të nenit 95 po veproni dhe po na drejtoheni” thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit.

Kjo është letra e plotë:

I nderuar President,

Përkundër që në asnjë rast nuk kemi refuzuar as kërkesën dhe as propozimin e mandatarit, sot, më 22.04.2020, kam pranuar një letër nga ju, përmes të cilës konstatoni jashtë kompetencave tuaja kushtetuese si President, se unë nuk e paskam shfrytëzuar të drejtën për propozimin e kandidatit të ri për të formuar Qeverinë.

Kushtetuta e Republikës nuk parasheh një kompetencë të tillë të Presidentit për të vlerësuar apo konstatuar shfrytëzimin apo mosshfrytëzimin e të drejtës për të propozuar mandatarin. Përveç kësaj, Kushtetuta e as Aktgjykimi Nr. 103/14 nuk kanë përcaktuar as afatin për një gjë të tillë. Kushtetuta çfarë parasheh në këtë rast është caktimi i mandatarit vetëm pas propozimit nga partia ose koalicioni që ka fituar shumicën absolute apo relative, siç përcaktohet edhe në pikën 84 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Andaj, bazuar në rolin dhe funksionin si President, ju nuk keni të drejtë e as autorizim kushtetues për të konstatuar se kemi refuzuar propozimin e kandidatit për kryeministër kur nuk e kemi bërë këtë; ju nuk e keni në mandat e kompetencë që të përcaktoni përtej Kushtetutës se si e çfarë do të jetë Qeveria, siç keni bërë këtyre ditëve në deklarimet publike; dhe, me keqardhje konstatojmë se ende nuk na jeni përgjigjur se në bazë të cilës pikë të nenit 95 po veproni dhe po na drejtoheni.

Me respekt,

Albin Kurti

 

Thaçi letër Kurtit: Nuk e shfrytëzove të drejtën për formimin e qeverisë, tash do të nisi konsultimet me partitë

Presidenti Hashim Thaçi, përmes një letre  e ka njoftuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, se do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm për formimin e Qeverisë, në konsultim me liderët e partive të tjera, pasi sipas Thaçit, Kurti nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për formimin e Qeverisë.

“Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën tuaj të propozimit të kandidatit të ri për ta formuar Qeverinë, në pajtim me Vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhorpër certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Thaçit.

Tutje Presidenti e njofton Kurtin se në vazhdimësi do të konsultojë liderët e tjerë të partive politike për hapat të mëmtutjeshëm të formimit të Qeverisë.

Presidenti Thaci gjatë fundjavës së shkuar ka paralajmëruar se këto ditë do të ndërmarrë veprime për mandatimin e një kandidat që do ta formojë Qeverinë e re, derisa Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, nuk ka dërguar asnjë emër për mandatar, pas rrëzimit të Albin Kurtit me mocion mosbesimi.

Hasani: Presidenti po synon komandimin e vullnetit politik në mënyrë jokushtetuese

 

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesori Enver Hasani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka komentuar letrën e fundit të presidentit Hashim Thaçi drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes së cilës presidenti e njofton Kurtin se nuk e ka shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për formimin e qeverisë. Por, Hasani ka thënë se presidenti ka ndërmarrë veprim jokushtetues, duke thënë se “të drejtat kushtetuese nuk mund të nënkuptohen se janë braktisur nga titullari dhe nuk mund të paragjykohet veprimi i titullarit, në këtë rast fituesit të zgjedhjeve sepse është jokushtetuese”.

“Në Kushtetutën tonë nuk ka një afat të tillë, por më lejoni të them se një afat të tillë nuk e kanë edhe shumica e kushtetutave që janë demokraci kushtetuese parlamentare sepse supozohet që vullneti politik gjithmonë, përmes kompromiseve dhe kështu me radhë, arrihet deri të një fillim i një procedure. Në këtë drejtim, do të thotë, Kosova nuk është vetëm sepse ky standard ekziston edhe në kushtetuta tjera, pra që cakton një afat, sepse nuk mund të diktohet përmes afateve se kur nis sepse supozohet që afatet rrjedhin përmes vullnetit politik të akterëve politikë në një shtet. ..Kjo që ka bërë presidenti, kjo nënkupton që presidenti ka bërë gabim sepse e ka marrë si të mirëqenë dhe e ka paragjykuar mendimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e imagjinuar një afat që nuk ekziston dhe duke thënë se meqenëse nuk po dorëzon emër, në një afat që nuk ekziston, atëherë për pasojë ti e ke humbur, e ke braktisur të drejtën tënde kushtetuese. Kjo nuk shkon kështu sepse presidenti nuk mund të caktojë afate kushtetuese dhe presidenti nuk mund të paragjykojë dhe detyrojë forcërisht braktisjen e garancioneve kushtetuese që i ka fituesi i zgjedhjeve.

Unë e pash letrën e presidentit Thaçi dhe ai po thirret në Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ndërkohë që veprimet janë krejt të mbrapshta si për atë që ka bërë sot, ashtu edhe me letrat tjera.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 kërkon një procedurë që është jashtëzakonisht e qartë si loti, sepse aty kërkohet që në raundin e parë, kurdo qoftë, përcaktohet se si duhet të formohet një qeveri brenda një cikli zgjedhor dhe se procedurat janë të njëjta dhe s’ka asnjë dallim. Që do të thotë, në raundin e parë presidenti ka zero diskrecion dhe ai vetëm duhet të shikojë se si vet të formohet vullneti politik në mes forcave politike. Çdo letër që ka dërguar deri më tani, jo vetëm tash, por edhe ato pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kur është formuar Qeveria Kurti, kanë qenë paragjykuese sepse nuk i takon presidentit të Republikës që në mënyrë arbitrare të ndaj apo të bëjë presion për dhënien ose marrjen e mandateve.

Ky e ka nis herën e dytë, që ka qenë edhe më mbrapsht, ka nis konsultimet me partitë tjera, siç e ka thënë edhe në letrat e tij, ndërkohë që paralel me këtë në Vetëvendosje ka dërguar sa për sy e faqe, duke besuar gabimisht se po plotëson kushtin kushtetues që t’i drejtohet fituesit të zgjedhjeve.

Procedura e rregullt është kjo – i drejtohesh dhe e ezauron deri në fund me fituesin e zgjedhjeve dhe ajo (partia fituese) duhet që në mënyrë pa ekuivoke, pa dykuptimësi, ta bëjë me dije nëse do ta shfrytëzon të drejtën e vet ose jo, pa paragjykime. Të drejtat kushtetuese nuk mund të nënkuptohen se janë braktisur nga titullari dhe nuk mund të paragjykohet veprimi i titullarit, në këtë rast fituesit të zgjedhjeve sepse është jokushtetuese. Me këto veprime presidenti ka bërë dirigjimin e formësimit të vullnetit politik dhe po synon komandimin e atij vullneti politik në mënyrë jo të rregullt dhe jokushtetuese”, deklaroi për REL, prof. Enver Hasani

Mustafa: Nevojitet një qeveri qe mund të punoj në kapacitete të plota

Në takimin konsultativ më presidentin, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë që partia e tij nuk është për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

“Unë mund të them në emër të LDK-së se ne vlerësojmë që në këto momente nuk duhet të shkojmë në zgjedhje dhe se duhet të bëjmë përpjekje që të formojmë një qeveri e cila ka mandat nga Kuvendi i Kosovës dhe që mund ta qeverisë vendin në mënyrë normale. Ne vlerësojmë se qeveria në detyrë nuk i përgjigjet në tërësi kërkesave që shtrohen në para saj për arsye se Kuvendi ka shpreh mosbesim ndaj kësaj qeverie me mocion të mosbesimit”, tha ai.

Sipas tij, situata me pandeminë COVID-19 nuk mundëson zgjedhje normale, andaj edhe sa më shpejtë duhet të formohet një qeveri e re.

“Kuvendit i nevojitet një qeveri qe mund të punoj në kapacitete të plota me mandat të parlamentit dhe që komunikon në mënyrë të rregullte më parlamentin mbi bazën ligjore dhe kushtetuese edhe momenti i tanishëm me të cilin po ballafaqohet Kosova nuk mundëson që ne të organizojmë zgjedhje normale, dhe kjo është një faktorë që ne domosdoshmërish duhet të bëjmë përpjekje që të nxirët një qeveri e cila siguron shumicën në Kuvend dhe këtë ta bëjmë sa më shpejtë”, tha ai.

Mustafa tha që LDK-ja është e gatshme të ndërmarre hapa në formimin e qeverisë së re.

“Si LDK jemi të gatshëm të ndërmarrim iniciativën që të sigurojmë shumicën si parti e dytë në rast se na jepet kjo mundësi”, shtoi ai.

Vetëvendosje paralajmëron dërgimin e Thaçit në Gjykatë Kushtetuese

Ministrja në detyrë e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas takimit me presidentin e vendit, për një deklarim për media ka paralajmëruar se do ta dërgojnë presidentin Hashim Thaçi në Gjykatë Kushtetuese.

“Çfarëdo tendence për ta shkelur Kushtetutën e Kosovës, padyshim që do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi 30 deputetë në grupin parlamentar dhe padyshim që do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”, u shprehë Haxhiu para mediave.

 

PDK nuk do të mbështesë formimin e qeverisë së re

 

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se është e gatshme të formojë qeverinë, në rast se një gjë të tillë i kërkon presidenti Hashim Thaçi.

LDK ka shprehur vullnetin për një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe Alenancën Kosova e Re, si dhe me komunitetet.

Në rast se kjo ndodhë, mundësia që Qeveria e re nën udhëheqjen e këtij koalicioni të votohet në Kuvend mund të jetë e vogël, kjo për faktin se ky koalicion nuk i ka 61 votat e domosdoshme për votim në Kuvendin e Kosovës, pa votat e Listës Serbe që janë 10 plotësisht.

LDK aktualisht ka 28 deputetë, AAK ka 13 deputetë, NISMA+AKR kanë 6 deputetë, kurse minoritetet joserbe 9 deputetë, ndërsa Lista Serbe i ka 10 deputetë.

 

E mbështetje këtij koalicioni për formim të mundshëm të Qeverisë, nuk do t’i japë Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i kësaj partie , Avni Bytyçi ka thënë për Telegrafin se PDK nuk do ta mbështesë as LDK-në, e asnjë parti tjetër.

“PDK nuk do ta mbështesë LDK-në, e asnjë parti tjetër për formimin e qeverisë”, ka deklaruar Bytyçi.

“Shpresa” e vetme që LDK t’i sigurojë votat e duhura për formim të Qeverisë mbetet tek Lista Serbe, e cila nuk dihet nëse do ta mbështesë apo jo një gjë të tillë.

Telegrafi ka provuar të marr një përgjigje nga zyrtarët e këtij subjekti, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri tash.

LDK në të kaluarën ka qenë kundër koalicionit me Listën Serbe duke thënë se asnjë qeveri nuk do të jetë stabile, kur varet nga deputetët e Listës Serbe.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, e formuar nga koalicioni në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, u votua në kuvend më 3 shkurt. Por, ende pa i mbushur dy muaj, ky koalicion u prish dhe u votua mocioni i mosbesimit, ngritur nga Lidhja Demokratike te Kosovës dhe e votuar edhe nga opozita, më 25 mars 2020.

Raportuesja e PE-së për Kosovë: Pse presidenti po e vë në rrezik vendin e tij 

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola Von Cramon ka reaguar pas takimit konsultativ që presidenti Hashim Thaçi ka pasur me liderët e partive politike, ku ka pyetur ata nëse janë pro formimit të Qeverisë së re apo shpërbërjes së Kuvendit.

Ajo në një postim në Twitter ka thënë se ka mbetur pa koment pas këtyre zhvillimeve, duke shtuar më tej se presidenti po e vë në rrezik vendin e tij, transmeton Telegrafi.

“Jam pa koment. Pyes veten se si mund të përfundojë kjo. Pse presidenti po e vë në rrezik vendin e tij? Po bëhet absurde çdo ditë e më shumë”, ka shkruar ajo.