• Today is: Sunday, November 24, 2024

Vetëm 33-vjeç dhe ka vënë në skenë mbi 20 shfaqje, regjisori shqiptar: I kam vrapuar pas fatit

fakti
May11/ 2023

Qëndrim Rijani është regjisori shqiptar i teatrit, operës dhe filmit. Ndonëse vetëm 33-vjeç, karriera e tij është e pasur me vepra të huaja e shqiptare të shfaqura në shumë vende të Evropës, të cilat janë vlerësuar me shumë çmime nëpër festivale.

Ai është edhe regjisori i operës së parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Sakaq, është edhe pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe në Shkup.

Gjatë një rrëfimi në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, Rijani ka treguar se për gjithçka që ka arritur në jetë ka qene një fat i madh, por që ai e ka ndjekur duke punuar.

Më tej, ai ka theksuar se është munduar që të bëhem më i mirë nga shfaqja në shfaqje dhe shpreson që deri tani t’ia ketë dalë.

“Fatmbarësia ime ka qene që vitet e para, që prej se mbarova shkollën dhe deri më sot, t’i kem kaluar në teatër. Pra, më shumë kohë kam kaluar në teatër se sa në jetën normale. Edhe ky është një fat i mirë që më ka ndjekur dhe fat i mirë se kam punuar në institucione, dmth gjithmonë kam pasur oferta dhe nga oferta në ofertë kam shkuar në institucione në teatër. Nuk kam qene ne produksione private. Edhe fati tjetër i mirë është që e kam filluar në Tiranë, vazhdova si pedagog atje, këtu kam bërë produksione, kam bërë produksione në Kosovë. Kam bërë produksione në Maqedoni. Teatri shqiptar në Shkup ku unë jam regjisor i shtëpisë atje, është një strofull, e cila më ka pritur shumë mirë dhe po vazhdon të më presi shumë mirë në nevojat dhe kërkesat e mia për të bërë shfaqje. Them që është fat i mirë për realitetin që jetojmë, por nga ana tjetër, nëse kjo përgjigje kërkon një lloj mesazhi për të tjerët, fati është njëra, por ne duhet patjetër t’i vaprojmë pas dhe unë jam munduar që t’i vrapoj pas. Jam munduar që të bëhem më i mirë nga shfaqja në shfaqje dhe shpresoj që deri tani ia kam dal”, u shpreh Rijani.

“Kronikë në gur” është një nga veprat më të njohura të shkrimtarit Ismail Kadare, e cila është përkthyer në shumë gjuhë. Mirëpo, këtë herë do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar.

Regjisori Qëndrim Rijani ka deklaruar në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, se kjo ka qene ëndrra e tij më e madhe, që e ka nxjerrë nga sirtari, por shpreson që shumë shpejt të realizohet përfundimisht.

Ai ka theksuar se Kadare është një nga shkrimtarët më të vështirë, prandaj dhe në teatër do shumë punë të vendoset.

“Është një projekt që dua ta bëj. Unë kam punuar një vepër interesante, po ashtu duke punuar me dramaturgun Arjan Krasniqin në Kosovë, një kontekst të marrëdhënies së veprës “Kronikë në gur’ po e vazhdoj në të njëjtën formë. Është një ëndërr e imja, nuk mund të them në sirtar, e kam nxjerr nga sirtari, e kam në dorë. Shpresoj të vijë dita që të realizohet shpejt në Teatrin Kombëtar në Shqipëri. Unë besoj që jam gati që tani, por nuk e di se si do të eci.

Kadare është ndër autorët më të mirë dhe më të vështirë, aq më tepër për ta dramatizuar. Kjo vepër është shumë filmike, sepse udhëton gjithë kohën dhe teatri është pak problematik. Kamera shkon, kurse teatrin duhet ta sjellësh”, tha Rijani, transmeton Gazeta FAKTI.