Ditë më parë ka dalur nga shtypi romani “Udhëkryqi” i shkrimtarit disident Ramadan Rexhepi, me parathënie të shkrimtarit dhe studiuesit Anton Nikë Berisha. Romanin e ka botuar shtëpia botuese AGORAPRINT nga Shkupi, me botues Emin AZEMIN.
Këtë roman autori nisi ta shkruajë që në vitin 1957 dhe vazhdoi me vite të tëra, duke e rimarrë e përpunuar disa herë. Në vitin 2010 e botoi me titullin ”Stina e emrave të bukur ”, kurse dorën e fundit i dha në shtator të vitit 2018, duke kthyer dhe titullin e fillimit “Udhëkryqi”.
Në roman, siç veproi dhe në tregimet dhe novelat e botuara më 1963, shkrimtari Ramadan Rexhepi i dha përparësi artit, të bukurës përmes të cilave i shqiptoi dukuritë e botës, po dhe tundimet dhe gjendjen e rëndë shpirtërore të tij e të njerëzve të tij.
Me mënyrën si u qaset dukurive të jetës konkrete, me gërmimin dhe me shpalimin e botës së brendshme të personazheve, Ramadan Rexhepi afrohet me prozatorët e mëdhenj botërorë.
Gjithë kjo, në një mënyrë ose në një tjetër, është njësuar në personazhin kryesor, Ilir Kelmendin. Brenda tij ai ngërthen intelektualët dhe njerëzit që vuanin e pësonin, duke u ballafaquar me dhunën shtetërore dhe marrëdhëniet e përmbysura, ku dëshmohet absurdi i veprimeve të organeve të shtetit e të pushtetit ndaj intelektualëve dhe ndaj bashkëkombësve të tij.
Romani UDHËKRYQI do të promovohet më 1 tetor në Institutine Trashëgimisë Shpirtërore dhe kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku prezent do të jetë edhe vet autori.
Këtë vepër lexuesit mund ta gjejnë në librarinë NOBEL në Shkup e Tetovë, dhe së shpejti edhe në ato të Prishtinës dhe Tiranës.