• Today is: Sunday, November 24, 2024

NJË LIBËR, NË VEND TË TORTËS SË DITËLINDJES!

fakti
August13/ 2021

 Ishim marrë vesh me Gani Bytyçin që të thyejmë një rutinë në traditën e shënimit të ditëlindjes së studiuesit, shkrimtarit e mikut tonë të dashur, prof. Anton Nikë Berishës, duke i dhuruar atij një libër modest për ditëlindjen e tij, i cili do të ndërtohej mbi një process spontan bashkëbisedimi në mes tij dhe Ganiut. Pra, kjo ishte ajo “torta” në formë libri me të cilin ne donim disi të intervenojmë, pak a shumë, në menynë e tryezës së një feste, që njeriu e shënon një herë në vit

Nga Emin AZEMI  

E kisha lexuar dikur më herët, dhe s’e di pse më kishte mbetë në një skutë të kujtesës, një thënie e shkrimtares dhe eseistes kroate Dubravka Ugreshiq se “të prodhosh libra, nuk do të thotë të prodhosh letërsi. Por, teksa e lexoja dorëshkrimin e Gani Bytyçit, që për mua nuk ishte ndonjë e papritur, pasi që në njëfarë mënyrë edhe unë isha bërë bashkpjesëmarrës i tërthortë në procesin e kësaj libër-bërjeje, megjithatë m’u desht t’ia bëja një modifikim thënies së shkrimtares kroate.
“Disa tema e ide kishin kaluar nëpër një proces krijues, edhe pa u bërë ende libra”.
Ky do të ishte afërsisht versioni i përmbysur i thënies së Ugreshiqit, që do t’ shkonte pak a shumë natyrës së krijimit të këtij libri, dhe nuk do të them asgjë të re nëse zbuloj, tash më kur ai ndodhet në duart e lexuesit, pra edhe në duart e kryeprotagonistit tonë – prof. Anton Nikë Berishës,  se kam lundruar nëpër një ndjeshmëri të ngrohtë e tepër miqësore në momentin kur shkrimtari dhe piktori Gani Bytyçi, kishte vendosur të ndante me mua një fshehtësi, që duhej ta dinim vetëm unë dhe ai.
Pra, ishim marrë vesh me Ganiun që të thyejmë një rutinë në traditën e shënimit të ditëlindjes së studiuesit, shkrimtarit e mikut tonë të dashur, prof. Anton Nikë Berishës, duke i dhuruar atij një libër modest për ditëlindjen e tij, i cili do të ndërtohej mbi një process spontan bashkëbisedimi në mes tij dhe Ganiut. Pra, kjo ishte ajo “torta” në formë libri me të cilin ne donim disi të intervenojmë, pak a shumë, në menynë e tryezës së një feste, që njeriu e shënon një herë në vit.

Ndoshta, fillimisht edhe Ganiu nuk e ka pasë idenë se bashkëbisedimi me prof. Antonin, mund të të nxjerr në një vokacion shkrimi që krejt pahetueshëm të grish të bësh libër, prandaj isha munduar që ta inkurajoj atë të filloj, sipas një ritmi dhe ecurie jokonvencionale, ta ndërtojë strukturën e tij të librit, bazuar në ato detaje që atij do t’i bënin përshtypje nga bisedat e gjata telefonike me prof. Antonin, e që ende, për shkaqe objektive, nuk e ka përmbyllur harkun e plotë përmbajtësor.
Mbase se krejt kjo ide u ngjiz duke ia bërë një “mashtrim” të vogël prof. Antonit, sepse ai nuk po e dinte se bashkëbisedimi me të do të shndërrohej në një materie të strukturar tekstore që do të futej brenda kopertinave të një libri. Nuk është hera e parë që libra të tillë bëheshin mbi modele të ngjashme bashkëbisedimi, por rrallë herë kishte ndodhur që bashkëbiseduesi të mos dinte se po bëhej subjekt i një libri. Pra, prof. Antoni jo vetëm që nuk e dinte se Ganiu me të po bënte një “xhiro të gjatë shetitjesh” nëpër tema e ide, nëpër vepra e autorë, nëpër kohë e hapësirë, që nga Aristoteli e deri te Mikelangjeloja, që nga Antika deri te Renesanca, që nga De Rada deri te Anton Pashku, por ai as që mund ta merrte me mend se në një distancë disa mijëra klimotërshe, përmes telefonit, po jepte “leksione falas” nga  teoria e letërisë, nga estetika, filozofia e arti. Dhe, Ganiu, si një “student pedant”  po regjistronte në shiritin e kujtesës detajet më të qenësishme të bashkëbisedimit. Sepse çdo imtësi, çdo batutë dhe çdo mikrongjarje atij do t’i hynte pastaj në punë për të ngritur në këmbë një krijesë që më vonë do të merrte formën e librit.

Gjithsesi, ky bashkebisedim nuk do të mund të ishte kreativ e intelektalisht i mbathur mirë  për nga përmbajtja dhe stili, sikur të mos ekzistonte që në thelb të gjakimit edhe një prirje e vet autorit për të nxitur e shkoqitur tema e ide që atij i janë dukur me interes. Mund ta marrim me mend se si para çdo bashkëbisedimi, atij i është dashur të sistemojë në kutinë magjike të laboratorit krijues dijet teorike  dhe përvojën e tij  krijuese, në mënyrë që biseda të plotësonte disa nga kriteret për t’u konsideruar e denjë për t’u përfshirë pastaj në një libër.
Meqë e kam ndier nga afër drithërimën e asaj që prodhonte emocion tek autori pas çdo bashkëbisedimi me prof. Antonin, nuk e kam pasur vështirë ta distancoj për pak çaste Ganiun  nga qarku i ngushtë i subjektivizmit që krijon miqësia, dhe ta krahasoj me një Cvajg, Kapuçinski, Falaçi etj. të cilët gjatë procesit të ndërtimit të subjekteve e profileve njerëzore në reportazhet e tyre brilante, kishin përdorur letërsinë si një 
“daltë” pa të cilën nuk do të formësoheshin disa nga pasazhet brilante të rrëfimit. Ngjashëm, edhe tek Ganiu, letërsia u përdor si një “daltë” për të nxjerrë nga shiriti i gjatë i bashkëbisedimit bërthamat më të pastra fabulare, që u modeluan sipas një arkitekture të menduar mirë tekstore.

Metodologjia e bërjes së këtij libri është bazuar në formën e një ditari që autori e thurte për çdo ditë, duke krijuar një pëlhurë të gjerë rrëfimi. Si një mjeshtër i ngjyrave dhe tonaliteteve që dalin prej tyre, Gani Bytyçi  ka ditur të nxjerrë një potrtret pak  a shumë të panjohur, por tepër të ngrohtë e njerëzor,  të prof. Anton Nikë Berishës. Atij i është dashur të ndjekë disa linja rrëfimi për të sistemuar gjithë “armaturën” në shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron ky libër.
Një prej atyre shtyllave, sipas autorit, ka qenë ideja që përmes bashkëbisedimit me njërin nga studiuesit dhe shkrimtarët më të shquar bashkëkohor të letrave shqipe, Anton Nikë Berishën, të përçojë tek lexuesi disa nga përvojat krijuese dhe dijet teorike letrare të tij. Kjo del pahetueshëm edhe nga intenca e autorit që bashkëbiseduesin e tij ta quaj një “enciklopedi e gjallë letrare”, i cili në tryezën e punës  mbante shkrimtarët e preferuar, ose “mbretërinë e tij letrare”. I rrethuar nga kjo mbretëri, prof. Antoni në sytë e Gani Bytyçit dilte një eruditi i paparë sepse “sa herë të flasësh me të, ai nxjerr një detaj nga jeta, një varg nga poezia, një nyancë nga kuptimi”.

Një shtyllë tjetër mbi të cilën rëndon pesha e reflektimit filozofik e esestik të këtij libri, është ideja e autorit që përmes bashkëbisedimit kreativ me prof. Antonin të depërtohet edhe në vet procesin e ndërlikuar të krijimit. Ky mbase është edhe një përfitim mjaft domethënës edhe për letrarët e rinj, të cilët do të mund të mësonin detaje të panjohura nga përvoja krijuese e hulumtuese e prof. Antonit, sepse ai gjatë bashkëbisedimit kishte nxjerr disa nga “sekretet” e tij të të shkruarit , por dhe të autorëve që ai i kishte njohur personalisht.
Një përfitues i kësaj “shkolle krijimi
” del të jetë edhe autori i këtij libri, i cili edhe e pranon se gjatë bisedës me Profesorin (gjithkund në libër e shkruar me shkronjë të madhe), ai kishte mësuar gjëra me vlerë që do t’i shërbenin në përvojën e mëpastajme krijuese.
Ky libër, që përmban në vete elemente të kronoligjisë dhe ditarit, i shkruar me pasionin e autorit që është tepër kurreshtar për fshehtësitë e padukshme të artit dhe gjithë asaj që e bën një vepër të plotë për nga përmbajtja, ideja, teknika e krijimit, do të shënojë edhe një sukses në eseistikën tonë bashkëkohore.
“Sa herë që bisedoja me Profesorin, doja që ai të fliste më shumë”. E thotë këtë autori, teksa depërton në shtresat më komplekse të problematikave që ai i mbarështonte gjatë bashkëbisedimit, duke i dhënë prof. Antonit edhe një atribut me plot meritë – atë të “ciceronit” në eksplikimin e hapësirave të paana të letërisë, artit, estetikës e filozofisë.  Prandaj autori dëshironte që “Profesori të fliste më shumë”, ndonëse, siç e thotë ai, kur flasim me Profesorin, asnjëherë nuk e dimë se kur fillonte biseda dhe kur mbaronte”.]
Gani Bytyçi, përmes këtij libri, vjen me një përvojë të re tekstore, që do t’iu shërbente edhe autorëve të tjerë për ti shndërruar komunkimet e tyre me krijuesit në testamente shpirtërore.

Këtë angazhim intelektual e krijues të autorit, do duhej kuptuar edhe si mirënjohje për përkushtimin e parreshtur dhe punën kolosale të Anton Nikël Berishës, në fushën e krijimtarisë dhe studimeve letrare. Kjo edhe për faktin se mosvëmendja shoqërore e institucioanle ndaj njerëzve të dijes është shndërruar në një ‘infarkt’ të ndërgjegjes sonë kolektive, e cila assesi nuk mund të kurohet nëse nuk fillojmë ta bëjmë mirënjohjen pjesë të mendësisë sonë civile. Prandaj, jo ratësisht Gani Bytyçi, me të drejtë, nxjerr një klithmë njeriu të shqetësuar, në formë të dilemës intelektuale së “përse ne sikur kemi frikë nga mirënjohja?”

Në përmbyllje të kësaj parathënie do të doja të shprehi edhe njëherë kënaqësinë e të qenit tërthorazi pjesë e një procesi krijues, të cilin autori me shumë sukses e ka kurorëzuar, duke na sjellë një kontribut me vlerë në bibliografinë e pavdekshme të respektit dhe konsideratave ndaj prof.dr. Anton Nikë Berishës.

Shkup, 5 gusht 2021  

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm