• Today is: Monday, November 25, 2024

VARREZA MASIVE NË NEW YORK, PËR KUFOMAT QË NUK VJEN T’I MARRË NJERI

EA
April10/ 2020

Në këtë periudhë nuk është edhe aq e pakuptueshme që nuk shkon njeri për të marrë të vdekurit. Shumë jetojnë këtu larg familjeve. Shumë familje nuk udhëtojnë dot, kanë frikë të shkojnë, nuk dinë se çfarë të bëjnë në kushtet e paralizimit të jetës së sotme etj.

 

 

 

Nga Ruben Avxhiu/ Nju Jork

Një situatë kritike është krijuar sidomos në New York City, ku morgu i qytetit që në kohë normale mund të mbajë trupat e vdekur deri në 30 apo 60 ditë në pritje të familjeve apo të njohurve për t’i tërhequr, tashmë është përtej kapacitetit. Duke mos gjetur zgjidhje tjetër, Bashkia ka vendosur varrimin e tyre në Hart Island. Ky ishull ka qenë për vite vendi ku janë varrosur të panjohurit, të pakërkuarit, të paidentifikuarit. Zakonisht varrmihësit shkojnë një herë në javë, të enjteve për të hapur varre të reja. Tani, për shkak të koronavirusit, ata shkojnë në punë pesë ditë në javë dhe hapin të paktën 25 varre të reja në ditë (aq sa normalisht varroseshin në një javë), me ditët më të rënda deri në 40. Autoritetet e qytetit po mbajnë shënime në mënyrë që nëse familjarët apo të njohurit e këtyre njerëzve i kërkojnë një ditë të mund të dinë se ku janë varrosur dhe të zhvendosin eshtrat.
Normalisht varrimet bëheshin nga të burgosurit në Ishullin Rikers, po në këtë periudhë janë punësuar kontraktorë për të përballuar volumin.
Ishulli Hart, nga pikëpamja administrative bën pjesë në Bronx, jo larg bregut të Plazhit të Kopshtijes (“Orchard Beach”), ku shumë banorë të zonës kanë përdorur prej vitesh në stinën e verës.
Ishulli është përdorur dikur si burg gjatë Luftës Civile Amerikane, pastaj si spital psikiatrik, si sanatorium për turbekulozin, si vendbanim për të pastrehët, si qendër korrektimi për të rinjtë me probleme, si qendër rehabilitimi për të droguarit dhe si varrezë për ata që nuk identifikohen apo nuk kanë njeri, janë të pastrehë, vdesin nga sëmundje infektive etj. Vend më të zymtë në këtë qytet vështirë të gjesh.
Në këtë periudhë nuk është edhe aq e pakuptueshme që nuk shkon njeri për të marrë të vdekurit. Shumë jetojnë këtu larg familjeve. Shumë familje nuk udhëtojnë dot, kanë frikë të shkojnë, nuk dinë se çfarë të bëjnë në kushtet e paralizimit të jetës së sotme etj.
Shqiptarët që janë prekur nga kjo krizë e dinë mirë këtë punë. Të mësuar të bëjnë funerale masive me shumë njerëz që vijnë për ngushëllime, tani njerëzit po përcillen me një minimum të pamendueshëm të afërmish.
Edhe termi “varr masiv” ka tjetër tingëllim për shqiptarët që kanë përjetuar masakrat serbe në Kosovë, ku shumë prej viktimave u hodhën mizorisht në varre të përbashkëta. Në New York, kjo kuptohet është diçka tjetër. Varreza është masive, por varret janë të veçanta e të identifikuara për të interesuarit.
Mes këtyre lajmeve të kobshme, ia vlen ndoshta ta mbyllim me një njoftim shpresëdhënës se numri pacientëve të COVID-19 që ndodhen në terapi intensive në New York ka rënë për herë të parë që nga fillimi krizës.
Ndërkohë që Qyteti dhe shteti kanë hyrë në fazën më akute të kësaj vale të parë dhe presin numrat të arrijnë ritmet më të larta, kjo ulje e rasteve më të rënda është një ngushëllim.