• Today is: Sunday, November 24, 2024

ISH PJESËTARI I MUP-it SERB RRËFEN PËR DETAJET E MASAKRËS MBI FAMILJEN JASHARI DHE PËR VARREZA TË REJA MASIVE

fakti
February13/ 2021

Një rrëfim eksklzuiv mbi krimet serbe në Kosovë (1998-99), kësaj radhe vjen nga një ish pjesëtar i Njësisë së posaçme policore i MUP-it serb, tani në pension, i quajtur Jovan Goluboviq (55), nga Vlasotinca e Serbisë, i cili aktualisht e ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur në Gjykatën për Krime Lufte në Beograd. Njëkohësisht ai është kryetar lokal për Vlasotincë i Partisë Republikane të Serbisë.

Si pjesëmarrës i drejtpërdrejt në disa ngjarje dhe veprime kriminale që ishin kryer nga policia dhe paramilitarët serb, Golluboviq, ndër të tjera, flet në detaje edhe për masakrën 5 dhe 6 marsit të vitit 1998, e kryer mbi familjën Jashari në Prekaz të Ulët të Drenicës, me ç’rast ishin vra 58 anëtarë të kësaj familje dhe të afërmit e tyre. Ai shprehet me tone kritke ndaj autoriteteve të atëhershme, të cilët përdorën një arsenal të madh të armatimit kundër kësaj familjeje dhe sipas tij nuk kanqenë dashur të bëhet kjo masakër, pasi që në të kanë pësuar shumë civilë të pafajshëm, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleqë, transmeton Gazeta FAKTI.

Pikërisht masakra mbi familjen Jashari, nënvizon Golluboviq, shërbeu për miratimin e një Rezolutë në OKB, e cila i parapriu  sanksioneve ndaj Jugosllavisë Federale të atëhershme (Serbi-Mali i Zi), kryetar i së cilë ishte Sllobodan Millosheviqi. Ai e demanton Aleksandar Vuçiqin se gjoja masakra në Reçak ka qenë arsyeja e rezolutës kundër Serbisë, duke precizuar se një vit më herët ishin vendosur sanksionet kundër regjimit të Beogradit.

Ai për herë të parë zbulon se ka pasur edhe një kamion – frigorifer me trupa të 42 të shqiptarëve të vrarë, të cilët fshehurazi janë varrosur në një lokacion afër Surdulicës. Tani mbi atë varrezë, sipas tij,  është ngritur godina e stacionit të xhandarmërisë, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit.
Mbi ekzistencës e kësaj varreze, Golluboviq thotë se i ka njoftuar vëzhguesit ndërkombëtar dhe pret që në të ardhmen të ndriçohet e vërteta e kësaj varreze, ndonëse, siç thotë ai, për këtë varrezë është i njoftuar edhe kreu aktual shtetëror serb
Jovan Golluboviq flet me emra dhe mbiemra të eprorëve të njësive speciale serbe që kanë udhëhequr aksionet në Kosovë, të cilët janë drejtpërdrejt janë përgjegjës për krimet e kryera mbi civilët shqiptarë. Ai përmend Goran Radosavleviqin –Guri dhe Milivoje Stoilkoviq, dy nga udhëheqësit kryesor të Njësisë së posaçme policore, e cila ka qenë e stërvitur për të kryer krime dhe për të mbjellur frikë në popullatën civile të Kosovës, transmeton Gazeta FAKTI.
Ai tregon raste konkrete se si janë likuaduar pleqë në rrugë vetëm pse mbanin plis të bardhë në kokë dhe këto veprime, sipas tij, kanë qenë jashta rregullave dhe sjelljeve të policisë së unformuar.
Golluboviq thotë se jo të gjithë pjesëtarët e policisë kanë qenë agresiv, por ka pasur plot prej tyre që kanë qenë të pamëshirshëm ndaj shqiptarëve. Një pjesë e tyre janë marrë edhe me plaçkitje dhe veprime të tjera kriminale. Madje, siç tregon Golluboviq, në  Leskovc ishte hapur një artari, e cila ishte furnizuar me stolira dhe gjëra të çmueshme që ishin plaçkitur në Kosovë dhe BeH.

Shumica e këtyre pjesëtarëve që kanë kryer krime në Kosovë e Bosnje, jo vetëm që nuk janë ndëshkuar, por ata edhe janë avancuar në MUP-in serb, disa prej të cilëve madje janë futur në ujërat e bizneseve të paligjshme, gjithmonë duke pasur mbështetje nga politikanët aktualë serbë në Beograd, përfshi edhe  Aleksandar Vuçiqin, rrëfen Goluboviq. Vuçiqi, madje, bashkë me Arkanin, siç thotë Glluboviqi, ka marrë pjesë drejpërdrejtë në aksione luftarake në Bosnjë e Herecegovinë në vitet 1995/96.

Në dëshminë e tij publike, Jovan Golluboviq, flet edhe për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Ai thotë se mbi këtë vrasje është mirë të pyetet presidenti Vuçiq, i cili, sipas, tij është i njoftuar në detaje mbi rrethanat e këtij krimi. Golluboviq përmend njëfarë Dragolub Stankoviq, zv. Prokuror i krimeve të luftës, i cili bashkë me një kushëri të tij në MUP, janë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, të cilët për herë të fundit janë parë në një kazermë ushtarake në Klladovë të Serbisë.
Ajo çka bie në sy në rrëfimin e Jovan Golluboqviti është neglizhenca e disa segmenteve të politikës dhe të hetuesisë në Evropë, të cilët , siç thotë ai, nuk kanë qenë të interesuar deri në fund që të ndriçohen të gjitha krimet e kryera në Kosovë dhe Bosnje. Madje ai apostrofon ish Prokuroren e Tribunait të  Hagës, Karla Del Ponte, e cila ka thënë në një rast se është mirë të mos flitet shumë për këto krime dhe kjo vlen sidomos për dëshmitarët që i kanë pa këto krime.
Prandaj, thotë Goluboviq, të gjitha këto dëshmi do t’iu prezentohen amerikanëve, sepse vetëm atyre iu beson dhe këtë do ta bëjë edhe duke i zbuluar varrezat e reja masive ku janë futur trupat e shqiptarëve të vrarë. Ai për këtë shpreh edhe gatishmërinë që të jetë në dispozicion të Gjykatës në Hagë për të dëshmuar mbi krimet e regjimit serb të kryera në Kosovë. / Gazeta FAKTI