Sot shënohet 15 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ish-presidenti Rugova, ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, në moshën 61 vjeç ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në përvjetorin e 15-të të vdekjes së tij po bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova.
Shumë figura politike kanë kujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 15 vjetorin e vdekjes.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se në janarin e acartë të vitit 2006, iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe presidenti historik Ibrahim Rugova.
“Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Sot, kujtojmë themeluesin e LDK-së dhe kryetarin e saj të pavdekshëm, Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka shtuar se pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë ngase ai do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia.
“Ai është arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Urtësia dhe largpamësia e tij, na duhet edhe sot dhe na ndjekë gjithmonë në rrugëtimin tonë politik. LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punoj me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova”, shtoi Mustafa.
Kryetari i LDK-së, më tej shtoi se trashëgimia politike që ai la pas është bazament i shtetit të Kosovës.
Homazhe te varri i presidentit Rugova, ka bërë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj shtoi se Kosova i është mirënjohëse për kontributin e tij për liri dhe pavarësi.
“Sot nderojmë vendin ku pushon turpi i tij. Kosova është mirënjohëse për kontributin historik për lirin dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jetë i përjetshëm kujtimi për të dhe respekti”, tha Haradinaj.
Homazhe ka bërë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani së bashku me liderin e LVV-së, Albin Kurti.
Ibrahim Rugova po u mungonte shqiptarëve të Kosovës, por askush nuk e dinte arsyen.
Ishte vet presidenti ai që thirri një konferencë për shtyp dhe njoftoi se vuan nga kanceri në mushkri.