• Today is: Friday, April 19, 2024

MIKE PENCE , HEROI I CAPITOL HILL-it

fakti
January07/ 2021

Si republikan i thekur që është, vet Mike Pence, tregoi qartë se ku ndahen dhe ku bashkohen rrugët edhe në partinë e tij me gjithë ata që shkelin rregullat e shenjta të rotacionit paqësor të pushtetit  që i kishin vendosur etërit e konstitucionalizmit amerikan.

 

Nga Emin AZEMI/ SHKUP

 

Nënpresidenti i SHBA Mike Pence dje në Washington hapi sesionin e përbashkët të Kongresit për të çertifikuar zyrtarisht fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, duke mos pranuar kërkesën e Presidentit Donald Trump që të refuzojë në mënyrë të njëanshme votat elektorale. Ai tha se i ndan shqetësimet në lidhje me “integritetin” e zgjedhjeve, por  nuk mund të pranojë ose refuzojë votat elektorale në mënyrë të njëanshme.

 

Ndonëse Kushtetuta amerikane nuk i jep të drejtë nënpresidentit Pence kompetencën për të përmbysur në mënyrë të njëanshme rezultatet e zgjedhjeve, ai megjithatë demostroi integritet të lartë njerëzor e profesional, duke sfiduar guximishëm presionin e shefit të tij për të deformuar vullnetin elektoral të shprehur më tre nëntor, vitin e kaluar.

“Është gjykimi im i peshuar se betimi që kam bërë për të mbështetur dhe mbrojtur Kushtetutën nuk më lejon të pretendoj autoritet të njëanshëm për të përcaktuar se cilat vota elektorale duhet të numërohen dhe cilat jo”, tha dje Mike Pence para Kongresit amerikan.
Ai dëshmoi edhe njëherë se politikanët demagog e populist, si Donald Trump, bëjnë përjashtim në demokracinë amerikanë, ndërkohë që si republikan i thekur që është, vet Mike Pence, tregoi qartë se ku ndahen dhe ku bashkohen rrugët, edhe në partinë e tij, me gjithë ata që shkelin rregullat e shenjta të rotacionit paqësor të pushtetit  që i kishin vendosur etërit e konstitucionalizmit amerikan.

Ai tha se do të bënte detyrën e tij për të garantuar se shqetësimet në lidhje me zgjedhjet do të dëgjohen në mënyrë “të drejtë dhe të hapur”.

“Kur lindin mosmarrëveshje në lidhje me zgjedhjet presidenciale, sipas Ligjit Federal, janë përfaqësuesit e popullit që shqyrtojnë provat dhe zgjidhin mosmarrëveshjet përmes një procesi demokratik,” tha Pence.

Mbështetësit e Trumpit u munduan nga rruga të sfidojnë procesin e çertifikimit të Joe Biden dhe kjo nuk do të ndodhte kështu nëse Presidenti aktual amerikan nuk do të bënte thirrje për protesta të dhunshme. Prandaj pas 20 janarit do të ngelin të hapura të gjitha rrugët ligjore për ta vënë zotin Trump para përgjegjësisë penale për organizimin e grusht-shtetit në tentativë kundër rendit kushtetues amerikan.
Me gjithë këtë imazh të zymtë që prodhoi protesta e djeshme, megjithatë në kujtesën e publikut të gjerë do të ngelë e skalitur figura e një heroi të demokracisë, siç është Mike Pence.

Do të jepet edhe një leksion praktik për të gjitha ato demokraci të brishta që ende nuk mund të bëjnë dallimin në mes të shtetit dhe pushtetit. Mike Pence edhe njëherë na mësoi se jetëgjatësia e shtetit nuk mund të matet me mandatet e pushteteve, madje edhe me çmimin nëse konfrontohesh hapur me qëndrimet (jo korrekte) të drejtuesve të partisë që i takon.
Fundja kjo është Amerika, e cila edhe kur gabon na jep leksione të vyeshme!