Jetojmë në një botë ku çmenduritë e të rriturve i paguajnë gjithnjë fëmijët, pasi çdo luftë që ndodh në botë është luftë kundër fëmijëve…
Pikërisht nga historia e një fëmije nisi edhe misioni i TV A2 në Siri. Pak javë më parë kolegët e programit “Le Iene” në Itali, sollën historinë e trishtueshme të një djaloshi 11-vjeçar, që kish mbetur i vetëm në kampin Al Hawl në Siri. Nëna e tij e bëri viktimë të gjallë për 5 vjet të voglin Alvin. E trishtueshme, e dhimbshme. Shteti Italian arriti që ta nxjerrë nga ai kamp dhe ta bashkojë me familjen Alvin Berishën, por ai është një mes rreth 80 mijë të burgosurve të tjerë, shumica fëmijë, që vuajnë mes skamjes dhe vuajtjes.
Të kequshqyer, të paveshur, të palarë, me një memorie pothuaj të fshirë, por me buzëqeshje shprese, ata treguan se si mbijetojnë në atë vend. Folën për orë të tëra me ta duke ndërtuar me detaje histori të dhimbshme të shqiptarëve të braktisur. Sigurisht asnjëri prej tyre nuk priste që dikush ti jepte një flamur, as të bënte një foto në rrjetet sociale, ata kërkonin vetëm të shpëtoheshin nga vdekja. Nëse prindërit e tyre u gënjyen nga parajsa imagjinare, ata tanimë e dinë që parajsa e tyre e ka emrin liri.
Në dyert e “ferrit”
Situata e vështirë që po kalon Siria, por gjithashtu edhe Kurdistani u ndjenë që në momentin e parë që ekipi i A2 mbërriti Erbil. Edhe pse në Ambasadën e Irakut në Turqi iu sigurua se nuk ishte e nevojshme pajisja me vizë, autoritetet kurde i klasifikuan si ilegalë dhe nuk mund të lëviznin nga aeroporti pa u pajisur me një leje të posaçme. Pas gati 3 ditësh në sektorin e transitit në këtë aeroport arrijnë të sigurojnë leje kalimet e posaçme, për të vijuar misionin drejt Sirisë.
Rruga drejt kufirit tokësor Sirian zgjati me shume se 3 ore deri në afërsi të Faysh Khabur… Siguria që nga ky moment kërkonte me shumë kontrolle, shumë procedura, shumë dokumente dhe shumë informacion. Pas përfundimit të tyre dhe marrjes në pyetje nga shërbimet kufitare vjen hyrja për në Siri.
Ajo të jep shije lufte… Rajoni Rojava në veri të Sirisë kontrollohet nga Kurdët por në rrugë të shkatërruara nga lufta, mijëra hektarë e fusha të djegura nga ISIS ndërtesa të rrënuara nga bombardimet ndërsa ndalesa e parë në qytezën Derik.
Ekipi i A2 merr pjesë në ceremoninë mortore për 14 ushtarët e rënë në frontin e luftës mes tyre dhe 2 vajza mblodhi me mijëra në varrezat e shehidëve.
“Në këtë ceremoni janë të gjithë luftëtarët e forcës demokratike siriane të cilët luftuan në afërsi të fshatit Till Tamer. Ata po luftonin për nderin e tyre për dinjitetin e tyre. Shpresa jonë, kërkesa jonë është që të gjitha këto luftime të ndalohen të përfundojnë. Ne jetojmë të gjithë së bashku në këtë vend. Ne kërkojmë paqe, liri, i kërkojmë organizatës së të drejtave të njeriut të gjithë opinionit botëror që të na mbështesin dhe t’i japin fund sulmeve turke mbi ne”, thotë e veja e njërit prej viktimave. “Bashkëshorti im u vra ai ishte një luftëtar. Ne po luftonim kundër terrorizmit ne nuk sulmuam askënd. Ata po vinin drejt nesh dhe ishte detyra jonë të mbronim njerëzit tanë. Bashkëshorti im u vra dhe unë kam tre fëmijë”.
Pas një udhëtimi që zgjat 1 orë e 30 minuta, A2 mbërrin në Kamishli. Ajo njihet si baza kryesore e kurdëve të Sirisë, vetëm 80 kilometra larg me kufirin turk. Në këtë qytet arritëm të kryejmë dhe procedurat për marrjen e lejes për në kamp.
2 orë larg, fare pranë zonës së sigurt të krijuar nga ushtria Turke u afruam në fshatin Tell Tamr.
Klithma për ndihmë nga Siria e gjyshes shqiptare
Mentije Dumani, 73-vjeçarja, gjyshja e Eva dhe Endri Dumanit, u detyrua të shkojë në Siri për t’u kujdesur për nipin dhe mbesën e saj, por mbeti e burgosur në kampin Al-Hawl.
Ndonëse në letrat e dërguara në redaksinë e A2 shprehet mjaft qartë frika e nënave lidhur me rrëmbimin e fëmijëve, Mentija ka një mesazh zanor për shtetin shqiptar.
“Veçanërisht, unë Mentije Dumani, dua të bëjë kërkesë me dy fjalë. Dua të kthehem sa më shpejt në vendin tim, te familja ime, te vajzat dhe djemtë e mi. Kini pak mëshirë për mua si gjyshe e vjetër. Jam 73 vjeçe. Jam shumë e lodhur dhe e mërzitur” thotë e moshuara.
Situata e rënduar në brendësi të kampit ka bërë që shqiptarët të bëjnë dhe një thirrje të fundit për strukturat qeveritare.
A2 ka informacione se prej disa ditësh kampi nuk furnizohet me ujë apo dhe ushqime, ndërsa kushtet higjieno-sanitare përbëjnë rrezik për përhapjen e pandemisë. Familjarët në Shqipëri kërkojnë një përgjigje lidhur me punën e bërë deri më tani për riatdhesimin e nënave dhe fëmijëve të mbetur në veri të Sirisë.
Fëmijët shqiptarë po rrëmbehen nga çadrat
Fëmijët shqiptarë të mbetur në kampin Al-Hawl në Siri po rrëmbehen nga çadrat
Për rikthimin e tyre autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë iniciativë konkrete, ndërsa situatën alarmante e shprehin vetë nënat në kamp nëpërmjet 3 letrave të dërguara në redaksinë e A2.
Fëmijët e moshave 11 vjeç e sipër po rrëmbehen nga brendësia e kampit nga ushtarët kurdë, ndërsa askush nuk ka informacion se përse po ndodh diçka e tillë apo dhe ku dërgohen.
“Juli, ju e patë gjendjen tonë në kampion Al Hawl. Ne nuk folëm sepse ti ishe me shoqërues. Nuk jemi të lira të flasim për të vërtetën që është këtu. Ne kemi pritur dita-ditës se po bëni diçka për ne. I kemi kërkuar ndihmë shtetit shqiptar, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne kërkojmë ndihmë nga ju, nga çdo shqiptar që ka familje dhe fëmijë. Fëmijët tanë nga 11 vjeç e sipër, djem dhe vajza, po i marrin, nuk e dimë se ku i çojnë. Nuk kemi asnjë lajm për ata. Prandaj, mendoni për ne ashtu si për familjen dhe fëmijët tuaj. Bëni diçka për të na ndihmuar. Ne presim një përgjigje të saktë. Kemi që kur ti ke ikur, që rrimë me çantat gati, me shpresë se po na merrni. Fëmijët shqiptarë thonë, kur po vjen ai gazetari shqiptar që të na marrë. Duam një përgjigje nga shteti shqiptar”.
Letra e dërguar në redaksinë e A2
7 familje, kryesisht nënat dhe fëmijët e tyre, prej 1 viti e gjysmë ndodhen në kampin Al-Hawl në veri të Sirisë. Burgu prej 80 mijë personash kontrollohet nga forcat kurde. Sipas autoriteteve të kampit, e vetmja mënyrë për të tërhequr nënat dhe fëmijët është vendosja e kontakteve zyrtare nga pala shqiptare me administratën e kampit.
Familjarët: Informuam shtetin, por nuk morëm asnjë përgjigje
Prej më shumë se 6 vitesh, familjet e tyre nuk i shohin, komunikimet kanë qenë të rralla, ndërsa gjendja në kampin Al-Hawl në Siri vështirësohet dita ditës.
Eva dhe Endri Dumani së bashku me gjyshen e tyre Mentijen, krahas frikës prej pandemisë, duhet të ruhen dhe nga ajo që po ndodh në kamp me rrëmbimin e fëmijëve. Në dijeni janë dhe familjarët e tyre.
“Fëmijët e moshës 11 vjeç ose 12 vjeç i marrin dhe nuk i japin informacion se ku po i dërgojnë”, shprehet për A2, Agim Ndregjoni, daja i Eva dhe Endri Dumanit.
“Dija na ka thënë se aty po merren fëmijët. Na ka thënë se kanë ngelur 10-15 gra shqiptare. Se si i kanë marrë, ata nuk e dinë”, thotë Tahir Balliu, kunati i Ruzhdie Balliut.
Tahir Balliu nga Librazhdi ka vëllanë dhe kunatën, Ruzhdien, në Siri. Për vëllanë e tij nuk dihet asgjë, ndërsa përpjekjet e familjes Balliu nuk kanë reshtur për të bërë diçka, por sërish e njëjta përgjigje.
“Ata na kanë thënë se po punojnë, por se si po punojnë, ne nuk e dimë”, thotë Balliu.
“Ne kemi pasur edhe kontakte zyrtare dhe gjithmonë na është thënë që po punohet. Shpesh na është thënë se do të mbyllet kjo procedurë e riatdhesimit të fëmijëve dhe grave, por është një kohë prej një viti e gjysmë dhe nuk kemi parë asgjë konkrete”, shprehet Dumani.
Prej më shumë se 1 viti, familjet kërkojnë riatdhesimin e tyre. “Ata ka se kush i pret këtu. Unë nuk mendoj se do të jenë shqetësim për shoqërinë, pasi shumica janë gra dhe fëmijë”, thotë Dumani.
Në deklaratat zyrtare të institucioneve shqiptare përmendet puna, e cila vijon ende për shqiptarët e mbetur në Al Hawl, por deri më tani nuk ka iniciativa konkrete, veç vajtjes në Liban të ministrit të Brendshëm për Alvin Berishën./ Gazeta FAKTI