Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një deklaratë për mediat pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugën votimit të qeverisë së re, ka vendosur si “detyrë” të parë për kabinetin e ri, heqjen e masave ndaj Serbisë.
Sipas Thaçit këto masa të vendosura në ditët e fundit të qeverisë “Kurti”, kanë cenuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj duhen hequr menjëherë.
“Të largohen të gjitha masat që kanë cenuar marrëdhënien me SHBA menjëherë nga qeveria e re”, deklaroi Presidenti i Kosovës.
Ndërkohë, seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit të Kosovës është parashikuar që të mbahet të mërkurën në orën 11:00.
Lidhur me aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e mandatarit për kryeministër, Thaçi tha se u dëshmua se është pjekur demokracia. Ai i bëri thirrje mandatarit për kryeministër, Avdullah Hoti të marrë përgjegjësitë dhe të formojë qeverinë sa më shpejt.
“U dëshmua se në Kosovë është pjekur demokracia dhe funksionojnë me sukses institucionet e pavarura. Tani është hapur rruga për formimin e qeverisë së re të Kosovës”, u shpreh Presidenti i Kosovës.
LDK ka dorëzuar nënshkrimet për thirrjen e seancës për të mërkurën në ora 11:00
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se ka kërkuar thirrjen e seancës së Kuvendit për të mërkurën në ora 11:00.
“Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, ka deklaruar Gashi në një konferencë për media.
Gashi ka thënë se janë dakorduar edhe me partnerët e koalicionit dhe se është shprehur i bindur se LDK-ja i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Kujtojmë se diskutimet për qeveri të re kanë nisur pas rrëzimit të qeverisë, tashmë në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti, përmes një mocioni të organizuar nga LDK-ja.
Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.