• Today is: Friday, April 19, 2024

Kosova hap kufijtë tokësor, kolona të gjata në Vërmicë

fakti
June01/ 2020

Është hapur pika kufitare që lidh Kosovën dhe Shqipërinë. Në Vërmicë vërehet një fluks më i madh i atyre që hynë në Kosovë sesa nga ata që dalin nga vendi. Në këtë pikë po ashtu po protestohet edhe nga disa transportues. Ata thonë se caktimi për të dezinfektuar maunat është i papranueshëm për ata çmimi prej 22.50  eu.

 

KosovaPress tentoi te merrte një reagim edhe nga punonjësit që po kryenin shërbimin e dezinfektimit, por të njëjtit nuk pranuan të flasin.

Nga Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thanë se nuk janë përgjegjës për aplikimin e kësaj mase, ndërsa është sugjeruar të kontaktohet Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo, marrja e një sqarimi nga ky dikaster ka qenë i pamundur paraditen e së hënës.

Vetëm për vizitë është nisur drejt Kosovës edhe Milaim Muja, i cili tha se posa kaloi kufirin iu nënshtrua edhe procedurave mjekësore.

“Vetëm për qef një vizitë… një gjysmë ore pritëm në anën e andej normal kontrolluam temperaturën e këto”, tha Muja.

Përveç atyre që po vinin në Kosovë kishte edhe qytetarë të Kosovës që ia kishin mësyrë Shqipërisë, dikush për vizitë e dikush për punë.

Shemsedin Spahija një bashkatdhetar nga Belgjika, thotë se në Kosovë ka mbetur më shumë se tre muaj dhe sot po shkon në Shqipëri për vizitë.

Sipas tij, mbyllja e kufirit me Shqipëri nuk ka qenë e nevojshme, por shpreson që Qeveria e Kosovës së shpejti do i hap edhe kufijtë ajror.

“Po shkoj se kam gjirin familjar që kanë ardhur prej Belgjikës e jemi bllokua këtu që 3 muaj e gjysmë e i kam fëmijët në Shkodër e do shkoj t’i vizitoj… duhet me u hap kufijtë nuk ka vyjtë me u mbyllur hiq me Shqipërinë”, deklaroi Spahija.

Për në Shqipërisë sot në ditën kur u hap kufiri më Shqipërinë pas gati tre muajsh ishte nisur edhe Xhevdet Duka.

Derisa e quan të mirë vendimin për hapjen e kufijve tokësor, Duka thotë se nuk ka qenë e nevojshme mbyllja e kufirit me Shqipërinë.

“Shumë i mirë bile i vonuar… kujdes me pas por edhe me na e ndal kufirin nuk është mirë… na kanë kontrolluar, çdo gjë është në rregull… vetëm matjen e temperaturës”, deklaron ky qytetar.

Sezoni veror ka arritur dhe për të parë përgatitjet në Shqipëri sot është nisur edhe Xhevahire Karavida nga Agjencini Turistik “Diamond Travel”.

“Vendim shumë pozitiv dhe gëzim shumë i madh… faktikisht po shkojmë për punë derisa ne jemi në sektorin e turizmit e kemi pritur me kënaqësi të madhe hapjen e kufirit po shkojmë me i pa disa punë rreth hoteleve se si është gjendja atyre për t’u ofruar edhe klientëve tanë”, tha ajo.

Kujtojmë që vendimi për mbylljen e pikave kufitare ishte marrë nga autoritetet e Kosovës më 13 mars të këtij viti në kuadër të masave parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit.

Vetëm mbrëmë në Kosovë kanë dal pozitiv me COVID19, 13 persona, kurse, të shëruar janë raportuar 2 persona./INDEKSONLINE