Më 27 e 28 shtator 1994, në Prizren është mbajtur procesi gjyqësor kundër Ukshin Hotit, me ç’rast trupi gjykues i shqipton dënim prej pesë vjetëve burg.
Me këtë rast prof. Hoti pat mbajtur një fjalë të gjatë, e cila i shërbeu edhe si mbrojtje ndaj një akuze të pabazë, por edhe si elaborim shkencor i disa proceseve që ai i kishte ndjekur nga afër dhe për të cilët kishte dhënë edhe mednimine tij akademik në disa publikime, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhët e huaja.
Fjalën e plotë të prof. Ukshin Hotit, Gazeta Fakti e sjell të plotë në shenjë të përkujtimit të fatit të tij ende të pazbardhur, i cili tash e 21 vjet vazhdon të mbetet mister.
Zonja kryesuese e gjyqit, Të nderuar zotërinj të kolegjit gjykues! Njeriu nganjëherë, edhepse mund te gjendet në një situatë specifike, mund të dojë të bëjë një gjë normale, e cila pikërisht sepse është normale, në një situatë të tillë specifike mund të duket si e çuditshme. Kështu p.sh. unë, ndonëse tani prej meje nuk pritet një gjë e tillë, në situatën e dhënë, më duhet t’i shfaq respekt institucionit gjyqësor të fjalës së mbrojtjes. Nuk e di se kur është futur ajo për herë të parë dhe për çfarë shkaku, që t’i ofrojë të pandehurit mundësi të vërtetë për mbrojtje apo që t’i ofrojë gjyqit justifikimin e nevojshëm për verdiktin. Nuk e di nëse është një institucion vetëm formal apo edhe efikas, apo edhe njëra edhe tjetra, po unë megjithatë dua t’i shfaq respektin, sepse kam përshtypjen sikur në atë raportin përjetësisht të pasqaruar midis shoqërisë dhe individit, d.m.th. individit të cilin shoqëria e ka thirrur në përgjegjësi për shkak të veprimeve të tij të menduara apo të realizuara (gjyqi nganjëherë për shkaqe preventive gjykon edhe për “mendime” të cilat i cilëson si veprime); në atë raport në të cilin individi pavarësisht nga avoketërit e tij dhe nga mbrojtja, pavarësisht dhe nga bindjet, nga motivet dhe nga veprimet e veta, por edhe së bashku me to, megjithatë ndodhet plotësisht i vetëm përpara shoqërisë, në këtë raport, institucioni i fjalës së mbrojtjes fut njëfarë imazhi iluzor apo përshtypjen se në një periudhë të caktuar kohe drejtësia dhe e drejta mund të puqen dhe të bëhen një. Në jetën praktike e drejta dhe drejtësia rrallë ndonjëherë ndodh që të puqen, por qoftë edhe si iluzion, duke i dhënë individit mundësinë që të flasë, të thotë, të shprehet dhe të vlerësojë, të mbrohet apo të sulmojë, ajo njëkohësisht i ofron mundësinë që të besojë se po i drejtohet drejtësisë dhe jo vetëm së drejtës. Individi atëherë mendon se mund të ndikojë jo aq në vendimin eventual të gjyqit, sa në kompleksitetin e rrethanave dhe të situatave që mund t’i shkaktojnë gjykimet. Në këtë mënyrë shpresa paraqitet si esenca e vetë iluzionit, ndërkaq edhe filozofët e lashtë kanë vënë re se të shpresosh edhe atëherë kur do të thotë vetëm të jetosh, është gjë e bukur dhe e madhërishme.
Faqja e parë në dorëshkrim e fjalës mbrojtëse të Ukshin Hotit.
Në anën tjetër mësojmë se gjyqi është një institucion juridik i shoqërisë me anën e të cilit shoqëria e mat peshën e konfrontimit të individit me normat pozitive juridike, dhe në pajtim me vlerësimin e vet për lëndimin e këtyre normave ia shqipton individit masat mbrojtëse të vlerave sunduese të shoqërisë në formën e dënimit apo të shkarkimit nga faji. Nëse është kështu, ndërkaq duket se është kështu, gjyqi atëherë paraqitet edhe si instrumenti kryesor i shoqërisë së civilizuar, d.m.th., i shoqërisë që do ta mbajë veten dhe s’do të lejojë që të bjerë në nivelin e totalitarizmit primitiv, përkatësisht, atij primitiv-modern. Ai atëherë paraqitet detyrimisht jo vetëm si instrument i efikasitetit të pushtetit politik të shoqërisë por edhe si indikator i dinjitetit të tij. Institucioni i fjalës mbrojtëse e forcon këtë dimension të gjyqit dhe tërthorazi edhe të shoqërisë. Sepse në masën që një shoqëri i respekton njësoj edhe formën edhe përmbajtjen e pushtetit të vet politik, po në atë masë ajo paraqitet si shoqëri politikisht dinjitoze (degnity society), ndërsa juridikisht legale dhe legjitime. Prandaj institucioni gjyqësor i fjalës së mbrojtjes duket si një institucion serioz, i cili, edhe kur është vetëm formal, ka të bëjë me dinjitetin e gjyqit si një institucion politiko-juridik.
Në kuadër të këtyre parametrave të tillë të shtruar parimorë , unë, me lejen e këtij gjyqi, do ta shfrytëzoj këtë të drejtë për të provuar përgjigjen në pyetjen:
Përse po gjykohem në të vërtetë?
Duke e shtruar këtë pyetje në këtë formë, nuk e kam për qëllim t’i përmbys ato që thashë pak më parë lidhur me funksionin e dinjitetit të gjyqit por vetëm t’i nënvizojë ato momente kyçe lidhur me këtë gjyq nga të cilat vetë gjyqi do të mund t’i nxjerrë konkluzionet e duhura lidhur me mua, por lidhur edhe me vetë gjykimin. Do të mbrohem me të vërtetën, dhe pasiqë ajo nuk ka të bëjë vetëm me mua por dhe me gjithë kontekstin e situatës politike në tërësi, do të provoj që të veçoj atë që ka të bëjë me mua dhe që në të vërtetë si juridikisht, ashtu dhe politikisht, paraqitet si plotësisht e paqëndrueshme:
1.Duke e trajtuar çështjen nga ky aspekt, gjatë gjykimit të gjertanishëm u bë plotësisht e qartë, ose së paku është dashur që të jetë plotësisht e qartë, se aktakuza të cilën Z. prokuror në emër të Republikës së Serbisë ka denjuar ta ngrisë kundër meje është absolutisht kontradiktore dhe e paqëndrueshme. Ajo niset nga aspekti i mosnjohjes juridike të Republikës së Kosovës, që do të thotë nga aspekti i ndarjes teorikisht të paqëndrueshme të formës nga përmbajtja. Së paku filozofët, që nga antikiteti e këtej, nuk e bënë dot këtë esencialisht. Ndërkaq në praktikën e marrëdhënieve politike midis shtetesh, por edhe në praktikën e veprimtarisë se brendshme të vetë shtetit, kjo ndarje, ndonëse në esencë vetëm në dukje, shfaqet si plotësisht reale. Vetë ky gjykim, ashtu si çdo gjykim politik në përgjithësi, përpiqet që të duket sikur nuk ka asnjë lidhje me politikën, që do të thotë përmbajtje, por vetëm me të drejtën, që përfaqëson formën. Në praktikën e marrëdhënieve midis shtetesh janë plotësisht të mundshme situatat kur shtetet e njohin një shtet vetëm de facto d.m.th. faktikisht, por jo edhe de jure d.m.th. juridikisht. Zakonisht ajo e para, d.m.th. njohja faktike, i paraprin së dytës, d.m.th. njohjes juridike të një shteti. Hë për hë do të merremi vetëm me këtë aspekt të kësaj çështjeje për të treguar dhe për të provuar se aktakuza e ngritur kundër meje është plotësisht e paqëndrueshme, sepse është në kundërthënie me përmbajtjen politike, ndërsa me këtë edhe me formën juridike, por fillimisht do të vazhdojmë me shkoqitjen e tezave juridike tashmë të pranuara e të pranueshme nga të gjithë. Në të vërtetë, janë të njohura rastet e “permanencës” por vetëm për një periudhë të caktuar kohe, të shtetit të njohur de facto. Këto raste kanë përfunduar rëndom me ndonjë ndryshim të brendshëm në shtetin e njohur de facto, me ndryshimin e rrethanave të jashtme ose me pranimin e kushtëzimeve të paraqitura nga ana e saj të cilat do ta mundësonin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të. Me fjalë të tjera, të gjitha këto raste zakonisht përfundojnë edhe me njohjen de jure të shtetit të dhënë.
Ju të gjithë e dini se Republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të institucioneve vetjake, dhe mund të pohoj se Republika e Serbisë de facto e njeh. Asnjëherë nuk kam pohuar se unë jam i pari dhe i vetmi që e kam kërkuar atë. Kontributi im në lindjen e Republikës së Kosovës konsiston në dhënien në atë kohë të arsyetimit komplet dhe definitiv politik për nevojën e konstituimit të saj në suazë të RSFJ-së së atëhershme. Këtë e kam bërë vetë dhe plotësisht i pavarur nga të tjerët, për të cilët madje as që kam ditur se kanë punuar rreth kësaj çështjeje. Edhe atëherë edhe tani kanë ekzistuar dhe ekzistojnë tendenca të fuqishme që të minimizohet ose që të mohohet plotësisht kontributi im për këtë çështje. Mirëpo, pasiqë argumentimi politiko-teorik i një intelektuali politik të madh në asnjë mënyrë s’mund të ishte i njëllojtë me argumentimin e një linguisti që merret me studimin e zanoreve të patheksuara në një fjali, të një sociologu që shtirej si politikolog ngaqë e kishte studjuar Makiavelin ndërkaq nuk e kishte vënë re asnjëherë se pikërisht ai përfaqësonte paraardhësin e mendimit politik modern negativ dhe jo pozitiv, d.m.th. të një politike të konceptuar si cinizëm të zhveshur prej çfarëdo morali, të një historiani që kurrë nuk e kishte kuptuar ndërlikueshmërinë e politikës ndërkombëtare, kështuqë botën e reduktonte në kombin vetjak, i cili në këtë mënyrë ekziston në zbrazësinë e vet, pra, pasiqë nuk është e mundur në asnjë mënyrë që të anashkalohen apo të mos merren parasysh faktet që pastaj do t’u bien në kokë, me kohë tendenca të tilla u bënë plotësisht kundërproduktive dhe të dëmshme. Unë do të mund të gjendesha sëbashku në të njëjtën birucë të burgut edhe me një çoban, por do të ishte gjë absurde dhe e marrë po të barazohej vlera e një çobani me atë të një politikani në luftën politike për republikën, në çfarëdo lufte politike dhe për cilëndo çështje. Ndërkaq tendenca të tilla për fat të keq kishte mjaft, dhe s’ishin ato vetëm shprehje e synimeve për të më poshtëruar në zemërim e sipër por kryesisht ishin shprehje të një prepotence. Të tillët ndjeheshin aq të ngrefosur e të vetëmjaftueshëm sa që nuk e vinin dot re atë që ishte qenësore në afërsinë e tyre. Mirëpo kjo i përket së shkuarës dhe nuk ka më ndonjë rëndësi, por kanë mbetur si të rëndësishme dy fakte vijuese: e para, se jam njëri ndër themeluesit e Republikës së Kosovës, dhe e dyta, se jam nxitësi, themeluesi dhe bartësi i mendimit të ri politik në Republikën e Kosovës.
Lidhur me faktin e parë prokurori publik më akuzon se kam dashur ta ndaj me anë të dhunës Kosovën nga Republika e Serbisë. Pasiqë Republika e Serbisë, e njeh de facto Republikën e Kosovës, unë nuk po akuzohem për ndarjen e saj nga Serbia, sepse kjo tek e fundit përbën cakun e gjithë alternativës politike shqiptare në Kosovë, por vetëm për mënyren e realizimit të këtij qëllimi (d.m.th. me anë të dhunës). Rrjedha e gjertanishme e gjykimit ndërkaq e vërtetoi se kjo gjë nuk qëndron dhe as që dua që, hë për hë, të merrem me këtë çështje. Mirëpo dëshiroj t’ia tërheq vërejtjen gjyqit të nderuar për një varg rrethanash të cilat sipas meje janë qenësore për vlerësimin e këtij rasti.
a) Për herë të parë, d.m.th. me 1982, kam qenë i dënuar sipas nenit 114 të LPJ me katër vjet burg. Ky dënim pastaj është ndryshuar sipas nenit 133, alinea 1 të LPJ dhe është ulur në 3,5 vjet burg të cilat i kam mbajtur në tërësi nëpër burgjet hetimore të RSFJ-së së atëhershme. Përveç vitit 90-91, (gjithsejt një vit) gjer te ky arrestim i fundit, gjatë gjithë kohës kam qenë plotësisht i izoluar dhe i ostracizuar në fshatin tim të lindjes. Pra, i kam mbajtur më shumë se l2 vjet burg e jo vetëm 9 vjet, sa m’u dhanë në gjykimin e parë. Shteti e di se kjo gjë është e vërtetë, ashtu siç i di dhe mekanizmat me të cilët e ka arritur një gjë të tillë. Zatën kam pasur mundësi edhe ta ndërpres atë izolim, por me çmimin e lëndimit të integritetit të personit tim ose me çmimin e braktisjes së vendit tim. Nuk kam dashur ta bëj as njërën dhe as tjetrën, dhe në këtë mënyrë kam vepruar ashtu siç do të vepronte çdo njeri normal që e do vetveten dhe vendin e vet. Shtetit i mbetet radha që këtë edhe ta pranojë haptazi dhe jo të vazhdojë edhe më tej që të më gjykojë. Me fjalë të tjera, ky ështe gjyqi i katërt që po më bëhet për të njëjtën çështje, të cilën aktakuzat e formulojnë në mënyra të ndryshme, por të cilën ata asnjëherë nuk e argumentojnë dot sepse e vërteta me të vërtetë po fshihet.
b) Rrethana e dytë për të cilën dëshiroj ta tërheq vërejtjen është e lidhur me politikën e Kosovës. Zatën në qoftë se Republika e Serbisë e njeh de facto Republikën e Kosovës, atëherë funksionimi i saj në formën e këtij gjyqi në territorin e Republikës së Kosovës ose është akt marrëveshjeje midis tyre, ose është akt i dhunimit ndaj kësaj të fundit. Në rastin e parë, d.m.th. në rast se ky gjyq zhvillohet sipas marrëveshjes së tyre, gjë që unë e besoj thellësisht për disa shkaqe të caktuara, duke e marrë parasysh se ekzistenca e një marrëveshjeje të tillë nuk është shpallur botërisht por përkundrazi, e gjithë politika e tyre zhvillohet sipas shenjës së armiqësisë (mbase vetëm në dukje) atëherë me vetë këtë fakt ajo bëhet lëndë për akuzë për shkeljen e ligjeve të veta mbi të drejtën e qytetarëve për informim objektiv. Politikisht kjo do të nënkuptonte një manipulim të thjeshtë me opinionin publik. Se manipulimet e tilla janë fare të mundshme nuk ka nevojë që të provohet në mënyrë të veçantë. Këtë e pranon madje edhe pioneri i mendimit politik modern qytetar Henry Kissinger, në librin e tij më të ri “Mendja e kombit”, nga i cili gazeta “Borba” para një muaji e gjysëm pati mirësinë që t’i përkthejë dhe të na i ofrojë pjesët më interesante. Autori shkruan aty se në Evropën Lindore nacionalizmi shfrytëzohet në luftë kundër komunizmit, ndonëse me këtë ai nuk na thotë ndonjë gjë të re sepse një rregull i tillë është i njohur tash më shumë se 200 vjet. Ndërkaq shteti serb një përvojë të tillë e ka që nga viti 1924, kur në emër të kapitalit evropian, sidomos në emër të kompanive vajgurore Britanike, dhe me ndihmën e pretendentit të më vonshëm për fronin mbretëror të Shqipërisë A. Zogut, e rrëzoi pushtetin demokratik të Fan S. Nolit, i cili ishte njëri nga intelektualët më të mëdhej shqiptarë të të gjitha kohërave, vetëm për faktin se ky mori guxim që në parlamentin shqiptar t’i bëjë nderimin udhëheqësit të madh të revulucionit rus, V.I.Leninit, që kishte vdekur ato ditë. A mos vallë vërtet e kishte me gjithë mend Evropa, se i përndershmi Noli do ta fuste kontrabandë komunizmin në një vend që s’kishte atëbotë kurrfarë klase punëtore, përveç një fshatarësie të varfër, dhe se një komunizëm i tillë hipotetik do ta rrezikonte Evropen dhe rendin e saj? Dhe a mos vallë ky mbret, që nuk është më i gjallë, të jetë nxitur edhe nga ana e nacionalizmit serb që t’u lajkatohet disa qarqeve të caktuara evropiane për ta marrë prej tyre detyrën kujdestare të luftës kundër komunizmit brenda popullit shqiptar? Duket sikur kësaj lufte që nga viti 1981 e këndej iu bashkua edhe një pjesë e caktuar e ish nomenklaturës titiste në Kosovë, dhe duket sikur të gjithë së bashku po merren me gjueti shtrigash, sepse në Kosovë as që kishte pasur ndonjëherë komunizëm të mirëfilltë në aspektin autentik. Dhe në qoftë se çdo intelektual i ndershëm duhet shpallur komunist në mënyrë që të përndiqet, të burgoset e të gjykohet, atëherë shtrohet pyetja se për çfarë sistemi vallë është fjala dhe mos ndoshta nën të po fshihet një luftë e organizuar e mafisë kundër shoqërisë pasiqë s’mund të bëhet fjalë për një luftë të ndytë klasore në kuptim të plotë të fjalës, sepse nuk kishte komunizëm autentik dhe sepse akoma edhe sot nuk ekziston një klasë punëtore vërtet e pjekur në Kosovë.
Ndërkaq në rastin tjetër, d.m.th. në rast se ky gjykim do të mund të quhet si akt i dhunimit ndaj Republikës së Kosovës, sepse , veç tjerash, po gjykohet njëri ndër themeluesit e saj, atëherë me këtë Republika e Serbisë via facti do të pranonte se është forcë pushtuese dhe se në këtë mënyrë po sillet sipas kriteresh të veçanta të fuqisë pushtuese në përndjekjen, burgosjen dhe gjykimin e qytetarëve lojalë ndaj Republikës së Kosovës, gjë që ajo gjithsesi e refuzon duke deklaruar se ligjet e veta po i zbaton njësoj në të gjithë territorin e saj, gjë të cilën gjithkush mund ta vërë re se nuk i përgjigjet fare të vërtetës.
- c) Momenti i tretë për të cilin dëshiroj t’ia tërheq vërejtjen këtij gjyqi ka të bëjë me sa vijon: siç e dini, në Kosovë në vitin 1990 u krye Revolucioni Demokratik. Një revolucion i tillë nuk u bë në Serbi sepse ajo ndryshimet demokratike në shoqëri i akceptoi me rrugë institucionale, atëherë kur e shpalli veten si vend me sistem shumëpartiak, me ç’rast e vuri në jetë edhe parlamentin. Për dallim nga ajo, në Kosovë u krye Revulucioni Demokratik. Unë gjithashtu kam qenë njëri ndër aktorët e tij kryesorë. Kam qenë intelektuali i parë i sërës sime që hapur dhe publikisht jam shprehur në favor të sistemit shumëpartiak. E kam bërë këtë në artikullin që u botua me titull “Gishti i trashë i vëllait të madh” në Alternativa nr. 5, 1990, në Lubjanë, ndonëse ai artikull ishte dërguar për botim në revista të tjera qysh në fillim të vitit 1989. Ai ishte shkruar në formë të përgjigjes ndaj disa sulmeve kundër meje në revistën “Intervju” të Beogradit, dhe në gazeten “As” të Sarajevës. Për më shumë se një vit e gjysëm artikulli u lexua nën dorë në të gjitha qendrat e mëdha të RSFJ-së së atëhershme, sepse ua dërgoja për botim. Nuk deshën që ta botonin me kohë për shkak të përparësisë së disa forcave tjera politike që pretendonin të stoliseshin me të, por, natyrisht, pa pasoja politike apo penale për ta. Ndërkaq orientimi im për ndryshime demokratike përbënte një rrjedhim logjik të shkaqeve për të cilat kisha qenë i burgosur më 1981, me një besim plotësisht të sinqertë se në këtë mënyrë do të mund ta shpërtheja izolimin dhe bllokadën mizore që m’u kishte imponuar për nëntë vjet me radhë. Disa funksionarë të lartë të nomenklaturës së atëhershme intelektuale komuniste, të cilët në ndërkohë u bënë edhe funksionarë të të ashtuqujturës nomenklaturë demokratike, më vonë, në mënyrë fare të paturpshme, këtë izolim dhe këtë ostracizëm e quajtën “vetizolim” dhe “autobllokadë”.
Pastaj më vonë, në një fjalim posthum funeral, tek varri i njërit prej kushërinjve të mi, Halim Hoti, të vrarë me parullën e lirisë dhe të demokracisë në gojë (prej katër të vrarëve në Brestovc, tre ishin të afërm e të njohur të mi) kërkova që të fillonte dialogu për rirregullimin demokratik të shoqërisë. Pas një kohe të caktuar ky dialog edhe do të fillonte, me vizita zyrtarësh nëpër disa fshatra, me braktisjen e LK dhe LSPP-së së atëhershme etj., dhe me anëtarësimin masiv në LDK. Ky fjalim më vonë do të inkorporohej dhe do të botohej në kuadër të artikullit tim të njohur me titull “Bëje ose vdis” (Rev. “Fjala” në dy numra, shkurt 1992). Artikulli ishte i rëndësishëm për faktin se vinte në spikamë thelbin e vërtetë të gandizmit, duke marrë parasysh se artikujt e deriatëhershëm gazetareskë lidhur me këtë fenomen i fyenin kujtimet e mia për miqtë dhe të njohurit e mi të ndjerë nga India, ish-bashkëpuntorë të ngushtë të Mahatma Gandit si Xhai Prakash Narajan dhe Xhagxhivan Rami, ashtu si dhe njohuritë e mia mbi atë problem. Thënë shkurt, asnjë histori objektive e domokracisë moderne në Kosovë, por edhe në Shqipëri (sipas disa të dhënave të pavërtetuara, viktima e pestë e masakrit në fshatin Brestovc, KK Rahovec, ishte nga Shqipëria) nuk mund të shkruhet pa i përmendur ato viktima, (ishin martirët e parë të demokracisë në Kosovë), as dhe duke iu shmangur emrit dhe veprës sime. Nëse është kështu puna , dhe në të vërtet ajo është e tillë, pavarësisht nga fakti se kjo edhe më tej po tentohet për tu relativizuar, madje edhe për tu mohuar, dhe pavarësisht nga lufta që është zhvilluar kundër meje pikërisht nga ana e atyre prej të cilëve pritej mbrojtja ime, atëherë në mënyrë fare legjitime shtrohet një pyetje mbi pyetjet: zatën, nëse ky gjyq është çështje e marrëveshjes midis dy palëve, dhe sipas të gjitha gjasave duket se është, atëherë shtrohet pyetja nëse orientimi i tyre për demokraci është i vërtetë apo i rremë. Ndërkaq nëse ky gjyq është një çështje që i takon vetëm njërës palë, cilat janë vallë ato forca politike që dëshirojnë nulifikimin, d.m.th. zhdukjen e arritjeve të Revolucionit Demokratik si dhe të zhvillimeve demokratike në Kosovë, qoftë dhe nën hipotezën e thënë hapur se LDK-ja është vetëm një reflektim, apo edhe më keq, vetëm një bisht i SPS-sit serb? Dihet tashmë se ato duhet matur edhe me vitet e jetës, edhe me sasinë e djersës dhe të gjakut, edhe me mundësitë e humbura, edhe me shkallën e vetëdijës politike të njerëzve konkretë, siç jam edhe unë vetë. Dhe nëse është kështu, ndërkaq sipas të gjitha gjasave duket se është, si ka mundësi atëherë që institucione të ndryshme të Evroamerikës, të cilat dinë të ngrenë zërin edhe për gjëra më pak të rëndësishme në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në rastin tim reagojnë vetëm formalisht, vetëm sa për të larë gojën, ndonëse edhe vetë gazetat konfirmojnë se që prej shumë kohësh jam një temë tabu. Përse jam temë tabu? Dhe kujt i pengoj në të vërtetë? Nuk do t’i elaboroj më tutje këto pyetje. Vetëm do të konstatoj se është vërtetë një gjë e pikëllueshme të krijosh shtriga artificiale dhe pastaj t’i shpallësh ato si reale. Nuk mund të ketë kurrfarë shtrigash aty ku ato nuk janë dhe ku objektivisht nuk mund të jenë. d) Gjyqit të nderuar do t’ia tërheq vërejtjen edhe për momentin e katërt dhe të fundit që ka të bëjë me këtë gjykim. Zatën, nëse unë si i pandehur para këtij gjyqi ngul këmbë në qëndrimin se Republika e Kosovës ekziston (nuk do të ishte aspak çudi që revolucionet nganjëherë t’i hanë bijtë e vet); se ajo de facto është e njohur nga Republika e Serbisë; se asnjë histori serioze objektive e Republikës së Kosovës, ashtu si historia e mendimit të ri politik në Kosovë, nuk mund t’i injorojë as ngjarjet e vitit 1981, as emrin dhe kontributin tim në to, se këtë nuk mund ta bëjë çfarëdo historie serioze dhe objektive e ndryshimeve moderne, demokratike në këto hapësira, pavarësisht nga rezultati definitiv i zgjidhjeve të gjithëmbarëshme politike në këtë pjesë të Ballkanit, që nuk do të thotë se një gjë e tillë edhe s’mund të bëhet, por që vetë ai veprim, si i tillë, do të ishte akt i një pushteti totalitar. Atëherë do të ishte më e drejtë të thuhej se desha në të vërtetë në njëfarë mënyre, që për shoqërinë nuk ishte e pranueshme, ta çaja këtë bllokadë të neveritshme dhe ta bëja të njohur atë që ekziston si e tillë. Me këtë aktakuza ndoshta do të ishte më e drejtpërdrejtë, më konkrete dhe më e arsyeshme, dhe jo thjesht një përkthim i mjegullt, i thatë dhe i sofistikuar i veprimtarisë sime publike në një vepër të inkriminuar. Do të dija se përse më akuzojnë në të vërtetë dhe do të provoja që të mbrohesha në formën adekuate të drejtpërdrejtë dhe jo në baza hipotetike, siç po veproj tani, në të cilat realiteti duhet të fitojë pamjen dhe pandehmat, sepse zatën, gjithçka po bëhet sikur dikush pas tij dëshiron të konzervojë atë çfarë është në të vërtetë, d.m.th., i paqëndrueshëm dhe jo ashtu siç do të duhej të ishte.
Zonja kryesuese e gjyqit,
Zotërinj të kolegjit gjykues,
Në qoftë se sipas pjesës së parë të aktakuzës do të duhej të isha anëtar i LPRK-së, si një instrument politik për realizimin e Republikës së Kosovës, sepse një individ i vetmuar nuk e bën dot një gjë të tillë, atëherë sipas pjesës së saj të dytë, ose sipas pikës së dytë të të njëjtit dokument, akuzohem se në cilësinë e Kryetarit të UNIKOMB-it, d.m.th. të një partie që ka në program bashkimin e kombit, kam dashur t’ia bashkoj Republikën e Kosovës Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë aktakuza bëhet e plotë, duke i shtuar veç tjerash edhe mjetin e dhunës, por tani në aspektin e ilegalitetit të UNIKOMB-it, për të cilin, siç u pa gjatë shqyrtimit, doli se është krejtësisht në rregull sipas sistemit të paraqitjeve, është regjistruar në organin kompetent përkatës të RSFJ-së së atëhershme, ashtu si edhe LDK-ja. Kjo e dhënë është shumë interesante nga aspekti politik dhe më duhet të pranoj se unë dyshoja me vete se ndoshta edhe ishte e mundur një gjë e tillë, dhe mendoja se megjithatë do të bëja një punë të dobishme sikur të mund ta legalizoja këtë parti njësoj si LDK-në. Mendimet e tilla ndërkaq i mbaja për vete, ndërsa para opinionit dilja sikur besoja plotësisht se ajo ishte e regjistruar, dhe tani u provua se kishte qenë. Dhe ky fakt më gëzoi, jo për shkak të aktakuzës, por për shkak se askush nuk doli gënjeshtar. Si një tërësi, aktakuza sikur përmbledh një rrugë të kaluar që nga viti 1981 gjer më sot. Në këtë kuadër argumentimi kishte mbetur i njëllojtë sikur të ishte ngurtësuar që atëherë: “Ju e doni republikën që t’i bashkoheni Shqipërisë.” Unë isha ndër njerëzit e rrallë që një argumentim të tillë nuk e kam besuar kurrë. Kam qenë profesor i politikës ndërkombëtare i cili në Qendrën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, por edhe në Qendrën për studime strategjike ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit në SHBA, jam specializuar pikërisht në temën e reflektimeve të politikave globale në regjione të ngushta siç janë p.sh. Ballkani, Indokina ose Lindja e Afërt. Isha autor i një libërthi të vogël mbi “Lufën e ftohtë dhe detantin” në të cilin temë qendrore ishin marrëveshjet e Helsinkit të vitit l975, por e kisha edhe përvojën e një burrështeti. Me fjalë të tjera, e dija se nuk është i mundur ndrrimi i kufijve ndërkombëtarë pa luftë, kundër së cilës do të ngrihej gjithë bashkësia ndërkombëtare. Ndërkaq pikërisht ky problem përbënte temën qendrore të disertacionit tim të doktoranturës. E njihja jashtëzakonisht mirë atë problem që ta besoja ashtu kot një argumentim të tillë. Pikërisht për këtë shkak argumentimi im shkonte në drejtim të kundërt. Pra unë pohoja se Republika e Kosovës i kontribuon forcimit të Jugosllavisë por edhe sigurisë së Shqipërisë; se ajo s’mund të ishte kundër politikës globale të SHBA-ve dhe as të BRSS-së së atëhershme; se është kështu në thelb, imponon edhe e drejta demokratike e popullit shqiptar për zhvillim më të shpejtuar (që përbënte anën ekonomike të çështjes) dhe për barazi me të tjerët (anën politike të çështjes). Në këtë kohë (janar-mars 1982) ndodhesha nën hetime në Beograd. Më ishte bërë e njohur se në Beograd, njëri pas tjetrit, në një distancë të shkurtër kohe, kishin ardhur Vjencesbergeri – Sekretari amerikan i mbrojtjes, dhe Andrej Gromiko, shefi i diplomacisë së BRSS-së së atëhershme, dhe se ata në të vërtetë e kishin aprovuar argumentimin tim në favor të Republikës së Kosovës. Pak kohë pas kësaj kam qenë i transferuar në burgun e Mitrovicës së Kosovës. Gjatë ndryshimeve demokratike në fillim të këtij dhjetëvjeçari edhe më tej kam insistuar në opcionin jugosllav të Republikës së Kosovës. Vlerësoja se një gjë e tillë nuk do ta shtynte më larg perspektivën e bashkimit me Shqipërinë; që procesi i një bashkimi të tillë do të duhej zhvilluar me rrugë institucionale dhe që Republika e Kosovës do të duhej të ishte në funksion të këtij bashkimi. UDB-ja e kishte sekuestruar një artikull timin studimor lidhur me ato probleme, i cili i dedikohej inteligjencisë së lartë politike të Kosovës. Ai titullohej “Për një politikë unike dhe pa ekuivoke”. Me të do të duhej hapur diskutimi në nivel të tillë për orientimin e mëtejshëm të forcave politike të Kosovës, por kjo ligjëratë nuk u mbajt për shkak të, siç mu tha mua atëherë, të ftohtit të madh që mbretëronte në lokalet e Institutit Albanologjik, d.m.th. se Institutit i mungonte ngrohja. Mirëpo problemet vazhdonin të mbeteshin edhe më tej. Është interesant se si në këtë periudhë (1990-94) u zhvillua një luftë e vërtetë psikologjike e mekanizmave të shtetit e të pushtetit kundër meje. Akuza themelore në këtë luftë të pakompromis dhe të njëanëshme, e cila nga ana e aktivistëve të ndryshëm, madje edhe me tituj profesorësh universitarë, shqyrtohej nëpër oda private nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës, ishte në të vërtetë krejt e kundërt me akuzën e tanishme të prokurorit në këtë gjyq. Thuhej zatën se unë kisha qenë kundër bashkimit me Shqipërinë, bile edhe se unë po e pengoja atë bashkim. U tha dhe u bë shumëçka kundër meje atëbotë, por unë mendoja se është fjala për luftën e disa grupeve për pushtet dhe jo për luftën drejt avancimit të pozitës së Kosovës. Çuditërisht, askush nuk më mbronte në mënyrë të hapur as në Kosovë, as në Shqipëri, as në ish-Jugosllavinë, as në Serbi prandaj as në Evropë. Ndjehesha absolutisht i vetmuar dhe erdha gjer në konkluzionin se në të vërtetë atë Jugosllavi nuk e donte askush. Më çudiste vrazhdësia, intensiteti dhe vëllimi i një lufte të tillë. Kam qenë i shtyrë pothuajse gjer në prak të çmendurisë e të vdekjes, por pikërisht ky fakt më bindi se shkaku i kësaj lufte s’mund të ishte vetëm lufta për pushtet. E dija se ndaheshim rreth vlerësimit të ngjarjeve të vitit 1981, rreth vlerësimit të prioritetit të vendit dhe të subjektit të ndryshimeve demokratike nga viti 1990, rreth vlerësimit të fenomenit të gandizmit dhe të politikës së përditshme; rreth dhënies së përparësisë një numri të caktuar bartësish të ndryshimeve dhe të ngjashme, por e tërë kjo nuk mjaftonte që njeriu thjesht të ekskomunikohej nga bashkësia njerëzore. Për diçka të tillë duhej të ekzistonin shkaqe më të thella të cilat në të vërtetë edhe ekzistonin: ato gjithmonë vërtiteshin rreth bashkimit shqiptar dhe mendoj se është kohë e fundit që këtë çështje tani ta sqaroj në tërësi:
Pse nuk u bashkua Kosova me Shqipërinë – kush ishte fajtori?
Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Me rastin e pranimit tek Zonja Rosalyn Carter në Washington DC kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të intelektualëve autoritarë të SHBA, dhe mendoj se me kontributin tim nëpër ato tubime dhe ligjërata kam krijuar emrin tim, përkatësisht, emrin dhe identitetin tim amerikan, i cili ishte i njëjtë me emrin tim këtu, por tani i njohur edhe atje. I kisha dyert e hapura për të gjitha kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike që nga një kabinet i stërmadh me makina shkrimi, ordinatorë, telefona, gjer ke ndihma skofiare e dy sekretareshave që punonin në prag të dyerve të zyrës sime. Mirëpo për të gjitha këto, për gjithë atë trajtim të lartë që m’u kishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam falenderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti, por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozocionohesha në raport me të. Tani kjo është e qartë. Prandaj, ndonëse duket e çuditshme për shkak të vendit dhe të kohës në të cilën po e bëj këtë, shfrytëzoj rastin që me gjithë zemër ta falenderoj qeverinë e SHBA-ve për qëndrimin tim atje gjatë vitit shkollor 1977-78. Mendoj se nuk është vonë, sepse këtë po e bëj sinqerisht dhe jo vetëm formalisht. Ajo është një qeveri e një vendi të madh, e një populli të mrekullueshëm me mundësi të pakufizuara. Këtë e bëj sinqerisht edhe për shkak se qeveria e këtij populli të madh, dhe e këtij vendi të madh, as përpara, as atëherë dhe as më vonë, kurrëndonjëherë me asgjë nuk e ka kushtëzuar qëndrimin tim atje. Asnjëherë nuk ka kërkuar çfarëdo shërbimi prej meje dhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte me mua. Një gjë e tillë natyrisht imponon respekt. Ajo që mua ndërkaq atëherë më pengonte dhe që nuk arrija të kuptoja dot ishte paaftësia ime që t’i zbuloja qëllimet e vërteta amerikane kundrejt popullit shqiptar të cilit unë i përkisja. Dëshiroja të depërtoja pak më larg nga kundërvënia e tyre ndaj regjimit të Enver Hoxhës, por këtë gjë ata nuk ma mundësonin. Kisha vënë re se gjithë çka kishte të bënte me Shqipërinë ishte e vendosur në kuadër të studimeve sllave dhe kjo si në Harvard ashtu edhe në Universitetin e Çikagos, ashtu edhe në Bibliotekën e Washingtonit DC. Në të gjitha pyetjet e mia lidhur me këtë çështje ata nuk kishin përgjigje. Literatura e tyre politike si dhe literatura e historisë politike i shmangej përgjigjeve në këto pyetje. Madje edhe Robert Lee Wolf, një autor i vjetër i studimeve të famshme për Luftën e Dytë Botërore në këtë pjesë të Ballkanit, në studimet e veta i është shmangur përgjigjes në pyetjet e mia. Të njejtën gjë e ka bërë edhe Hans Morgenthao (babai i teorive politike ndërkombëtare amerikane); Jeremy Israel, nga Universiteti i Çikagos, Steven Burg , gjithashtu nga Çikago, Dov Ronen nga Harwardi, Erik Hamp nga Çikago e të tjerë. Të gjithë ata e dinin se kam qenë në detyrën e ministrit regjional në një krahinë potencialisht eksplozive të Kosovës dhe që të gjithë ata i shmangeshin me urtësi temave “të nxehta”. Ndërkaq Steven Larabee, një njeri inteligjent i moshës sime, me të cilin edhe shoqërohesha më së shumti dhe i cili atëherë ishte caktuar në Stejt Department në detyrën e shefit të Drejtorisë për Ballkanin, madje edhe ai i shmangej bisedave serioze në këtë temë. Nuk e di se përse e ka braktisur Stejt Departmentin dhe ka shkuar në Institucionin “Rand” pas arrestimit tim të parë, por e di se pikëpamja që amerikanët më me dëshirë do ta shihnin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën dhe jo Kosovën me Shqipërinë ishte e përhapur gjerësisht midis emigracionit politik shqiptar në SHBA. Disa pjesë të caktuara, sidomos ato të bashkuara rreth Legalitetit, një parti zogiste që kërkonte kthimin e Leka Zogut në fronin e Shqipërisë, gjë të cilën vazhdon ta bëjë edhe sot, si dhe pjesë të caktuara të Ballit Kombëtar, të bashkuara rreth Xhafer Devës, flisnin, por edhe shkruanin, se me shumë dëshirë do t’ia hiqnin kokën së pari Enver Hoxhës e pastaj edhe Fadil Hoxhës. Ata mendonin se këta ishin fajtorë për mosbashkimin e Shqipërisë menjëherë pasë luftës. Nuk i përgjigjeshin dot pyetjes, përse të ishte më shumë fajtore Shqipëria se sa Kosova apo Jugosllavia për një rezultat të tillë negativ për shqiptarët menjëherë pas lufte? Përgjigjet e autorëve tanë në këto pyetje që u shfaqën pas vitit 1990 nëpër faqet e shtypit tonë e fajësojnë ish-regjimin komunist në Shqipëri, sipas logjikës së shtetësisë: “ata ishin shtet dhe jo ne.” Nuk është e nevojshme të komentohet se një rezonim i tillë është më së paku naiv. Nuk ishte e vështirë që të konkludoja se një rezonim i tillë i emigracionit shqiptar në atë kohë ishte në realitet thjesht një reflektim i disponimit antikomunist të administratës amerikane e cila nuk kishte asnjë lidhje me nevojën e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Lidhur me këtë çështje ata rezononin nga pozita e superfuqisë dhe nga pozita e politikës globale. Ata e dinin se qëndrimi i Kominternës (Internacionales Komuniste) lidhur më këtë çështje, që nga viti 1926 e këtej, deri te Kongresi i V i PKJ me 1941, ishte që Kosova do të duhej t’i bashkohej Shqipërisë, prandaj ranë në konkluzionin e kundërt d.m.th. se do të duhej që Shqipërinë t’ia bashkonin Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të mund t’i shisnin botës sllave 300 milion këmisha në vend të vetëm 5 milion këmishave sa do të mund t’u shisnin shqiptarëve po t’i mbështesnin. Lidhur më këtë ndonjëri prej tyre fliste hapur si me shaka. I kuptoja mirë atëherë parametrat e arsyetimeve të tyre sipas të cilëve gjithçka ishte e shndërruar në kuantitet, por nuk mund të them edhe se më pëlqente një gjë e tillë. Edhe më pak më pëlqente realiteti ynë politik i cili ato pyetje, me metodën e raprezaljeve policore, i kishte shpallur si tema tabu. U desh tepër shumë kohë, punë, djersë dhe gjak që këto çështje më në fund të hapeshin. Qysh atëherë e kisha fituar përshtypjen se autonomia e Kosovës në ish-Jugosllavinë titiste ishte në të vërtetë refleksion i ndeshjes së dy politikave globale pas të cilave qëndronin dy shoqëri globale dhe ky fakt më pati tronditur. Duke mos u futur më thellë në elaborimin e zbulimeve lidhur më këtë pyetje, duke iu drejtuar këtij gjyqi, vetëm mund t’i theksoj bindjet e mia të cilat s’janë obligative për askend, por të cilat përmbajnë kërkesën që lidhur me këto të mendohet, madje edhe nga ana e qeverisë së SHBA-ve në Washington, apo qeverisë Ruse në Moskë, në Beograd, Tiranë apo në Prishtinë:
Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që heret e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta e popullit shqiptar për t’u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët. Kur u bë një gjë e tillë në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha evropiane në Londër, premieri i atëhershëm britanik, sër Edward Grey, që e kryesonte atëbotë atë konferencë, pati deklaruar publikisht se ishin të detyruar që ta flijonin këtë popull për shkak të ruajtjes së paqes evropiane. Mirëpo paqja me këtë nuk u ruajt as atëherë dhe as më vonë. Misionarë të ndryshëm të Lidhjes së Kombeve nga ajo kohë (1919-20) i propozonin popullit shqiptar që gjeniun e vet krijues ta orientonte në drejtim të rritës së brendëshme e të krijimit, ndërkaq Evropa, nga ana e vet, do të dinte që këtë gjë në një kohë të caktuar ta shpërblente. Ai një gjë të tillë e bëri. Dekada të tëra ai e duroi me dinjitet politikën e asimilimit me dhunë dhe të spastrimit etnik të regjimeve të ndryshme serbe. Vetëm në mes dy luftërash botërore e lëshuan përdhunisht këtë hapësirë më se 240 000 njerëz. Në vitet e pasluftës shkuan dhe 600 000 të tjerë të cilëve iu bashkuan edhe po aq kosovarë në kohën e sotme, në kohën e ndryshimeve demokratike. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve e të dëbuarve, por ai sillet diku rreth dhjetëra mijërave. Shkenca bën të njohur se vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, janë vrarë më shumë se 40 000 shqiptarë. Ekzistojnë madje edhe marrëveshje ndërshtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi si turq, por Evropa pati heshtur. Asnjëherë nuk i pati gjykuar, ndonëse ua pati premtuar shqiptarëve mbrojtjen e vet.
Serbët duhet ta kuptojnë se koha e dominimit mbi shqiptarët ka përfunduar
Ne e dijmë që kufijtë ndërkombëtarë Evropa i ka shpallur të pandryshueshëm, mirëpo e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të tyre me pranimin e palëve të interesuara. Prandaj bashkimi i popullit shqiptar duhet të realizohet në rrugë institucionale dhe me metoda demokratike. Shkenca konstaton se një territor kompakt me 115 mijë km2, nga Kongresi i Berlinit -1878, gjer më sot, është ngushtuar në 55 gjer 65 mijë km2 në të cilat populli shqiptar tani është në shumicë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-13, shteti shqiptar u krijua në një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë km2. Dallimi midis kësaj shifre dhe 65 mijë km2 në të cilat jeton sot në shumicë populli shqiptar në trojet e veta historike, duhet të inkuadrohet në shtetin e njësuar shqiptar.
Në luftën e vet për bashkimin e tij, populli shqiptar ka të drejtë të presë ndihmë jo vetëm nga Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, por pikë së pari prej atyre popujve të ish-Jugosllavisë me të cilët ka jetuar bashkërisht, dhe në rend të parë nga serbët. Serbët duhet ta kuptojnë se koha e dominimit mbi shqiptarët ka përfunduar. Ata që e njohin mirë historinë sigurisht që tashmë e kanë kuptuar se gjer me ardhjen e turqve në këto hapësira nuk kishte dominim të njërit mbi tjetrin. Me pranimin e islamizmit nga ana e feudalëve shqiptarë dhe me inkuadrimin e tyre në sitemin turk të administrimit, ka ardhur deri te një proces të cilin serbët kanë mundur ta kuptojnë si dominim të shqiptarëve mbi ta, gjë që s’ishte e vërtetë, sepse inkuadrimi në sistemin e administrimit të Perandorisë Turke dhe pranimi i religjionit islamik nuk ishte vetëm një veçori shqiptare. Me largimin e turqve nga Ballkani, me forcimin e Rusisë dhe pastaj edhe të ish-BRSS-së, në fillim erdhi gjer ke ndarja e popullit dhe e territorit shqiptar, pastaj edhe tek një politikë e gjenocidit sui generis ndaj shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve të shtetit të tyre. Që nga viti 1844, d.m.th. që nga “Naçertania” e Ilia Garashaninit dhe gjer më sot, politika serbe ndaj shqiptarëve ishte në thelb sub-imperialiste. Ajo ka shkuar linjës së nënçmimit dhe të denigrimit të shtetit shqiptar si dhe të asimilimit të dhunshëm të popullatës shqiptare nën jurisdiksionin e saj. Me fjalë të tjera, forcimi i animozitetit shqiptaro-serb apo serbo-shqiptar ka qenë gjithmonë i lidhur me ndryshimet në rrethimin e tyre ndërkombëtar.
Në pjesën i të artikullit tim studimor “Viti 81 dhe proceset e demokracisë” pastaj dhe në pjesën II të artikullit “Bëje ose vdis” (Alternativa 7/8, 1991, dhe “Fjala”, mars 1992) unë jam përpjekur të përkujtoj se këta dy popuj gjenden në një nivel të përafërt ose të njëjtë të madhësisë demografike, dhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm. Pa ndikimin e jashtëm historia e tyre do të mund të zhvillohej në drejtim të rivalitetit të shëndoshë në bashkëpunim dhe në zhvillim. Për këtë shkak gjithmonë kam insistuar që politika të heq dorë nga instrumentalizimi i vet për interesa të huaja. Mirëpo me politikën e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve Serbia sikur synon t’i detyrojë shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat e tyre legjitime dhe nga aspiratat e tyre historike. Kjo sikur arsyetohet me faktin nga që edhe asaj vetë i është e qartë tashmë se një politikë e tillë është absurde dhe jashtë kohës. Me ritualizimin e vrasjeve, siç ndodhi me rastin e Hasan Ramadanit nga fshati Shajkovc, të cilin e përshkruan shtypi në gjuhën shqipe, nuk mund të arrihet asgjë pozitive. Ritualizimi i vrasjeve ka qenë veçori e kanibalizmit, ndërkaq dihet se ai është çrrënjosur. Vdekjet janë tragjike me faktin se na përkujtojnë përkohshmërinë e jetës sonë. Për këtë shkak indiferentizmi ndaj jetës njerëzore nuk mund të jetë përmbajtje e asnjë lloj politike dhe e asnjë ardhmërie. Për këtë shkak politika që ndalet në gjykimin formal të rasteve të tilla, ndërsa më vonë prej tyre, me të gjitha mjetet e mundshme përpiqet të kapitalizojë dhe të mbledhë poena për veten, një politikë e tillë, e cila, veç tjerash, mbështetet ekskluzivisht në faktorët e jashtëm në dëm të faktorit të brendshëm, nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me popullin shqiptar. Në qoftë se ajo nuk është shprehje e tradhtisë së interesave nacionale atëherë ajo është edhe vetë viktimë e ndonjë komploti, gjë që nuk e zvogëlon përgjegjësinë e saj për gabimet dhe për lëshimet e bëra. Mirëpo, gjykuar sipas faktit se si njëra më arreston e tjetra më sulmon vetëm për shkak se unë po insistoj në zbulimin e së vërtetës dhe të vërtetave, është shumë afër mendësh se politikat e tilla në të dy anët synojnë në zgjidhje shumë specifike dhe të përcaktuara në këtë pjesë të Ballkanit. Përndryshe, përse si këtu ashtu edhe në Shqipëri po burgoset dhe po gjykohet një profil shumë i përcaktuar intelektualësh, pikërisht ai që ka përvojë të caktuar prej burrështeti, nën akuza që tingëllojnë cinike, dhe që nuk i kanë hije askujt, as kohës dhe as vendit?
“Shqipëri e reduktuar apo republikë e barabartë”
Në letrën time të hapur drejtuar ish-bashkëshortes dhe një segmenti të inteligjencisë së Kosovës në Prishtinë, në tekstin me nëntitull “Shqipëri e reduktuar apo republikë e barabartë” ia kam tërhequr vërejtjen atij segmenti të inteligjencisë për atë që nuk më pëlqente. Letra u botua në revistën «Doruntina» nr. 3, 1993, në Kumanovë, dhe jo në «Bujkun» apo në gazetat tjera të Prishtinës. Aty kam tërhequr vërejtjen edhe për problemin e marrëdhënieve me Greqinë, lidhur me ortodoksët e Shqipërisë Jugore, mirëpo këta zotërinj atëherë u shtirën si të mençur. Ndërkaq tani, kur ky problem ka shpërthyer në sipërfaqe, ata paraqiten si të befasuar. Zbrazin nëpër gazeta ndjenjen e një “patriotizmi zemërak”, duke e fshehur dyfytyrësinë e vet. Vërtet nuk është gjë e vështirë që të bësh karagjozllëk nga politika me metodën e masakrimit të integralizmit të çfarëdo mendimi, me kombinimin e gënjeshtrës dhe të harresës ose me ndrrimin e tezave. Mirëpo kur një gjë e tillë bëhet në disa kushte specifike të caktuara, dhe për një kohë të caktuar, me rrugë sistematike, atëherë dëshirohen të arrihen qëllime mjaft të përcaktuara, ndonëse nuk e di akoma se për çfarë qëllimesh është fjala, por nuk është e vështirë të konstatohet se janë në lidhje të caktuar me zgjidhjen e çështjes shqiptare. Për këtë shkak edhe më tej do t’i saktësoj pikëpamjet e mia lidhur me këtë çështje, dhe këtë për shkak se gjithë deri më sot ato përbënin një lëndë për shpjegime kontradiktore, ndërkaq unë kam qenë dhe jam akoma i sulmuar nga të gjitha drejtimet e mundshme:
Bashkimi i popullit shqiptar nuk mund të realizohet si zgjerim territorial as i Jugosllavisë dhe as i Serbisë. Kjo nuk do të ishte zgjidhje e çështjes shqiptare por një imponim i një zgjidhjeje të tillë për të, që do të duhej të ishte rezultat i ndonjë lufte. Kjo gjithashtu do ta implikonte përzierjen e faktorëve të tjerë. Greqia tashmë i ka shfaqur hapur pretendimet e saj ndaj Jugut të Shqipërisë, dhe kundrejt një imponimi të tillë të zgjidhjes as Turqia s’do të mund të ishte indiferente, por as Italia.
Shqiptarët, i vetmi popull në Evropë që kufizohet nga të gjitha anët me vetveten
Bashkimi i popullit shqiptar si zgjerim territorial i Jugosllavisë do të ishte në esencë zgjerim territorial i Serbisë, po qe se kjo do ta nënkuptonte mbetjen e Kosovës nën çfarëdo ingjerence të Serbisë. Populli shqiptar diçka të tillë nuk do të mund ta pranonte, dhe as që do të mund të pajtohej ndonjëherë me të. Propozimet që po shfaqen tani për lidhje konfederale me Shqipërinë pa u zgjidhur paraprakisht çështja e njohjes së Kosovës de jure mund të jenë shprehje e dëshirës që kjo çështje të përshpejtohet, por mund të duket edhe si një çështje tejet e diskutueshme. Nuk ka dyshim se këto propozime janë shprehje edhe e besimit absolut në bashkësinë ndërkombëtare, por ajo në zgjidhjen e këtyre çështjeve rendom i ndjek interesat vetjake, ndërsa interesat e palëve të interesuara i merr parasysh vetëm në masën në të cilën ato palë janë të zonjat vetë që t’i mbrojnë e t’i sigurojnë.
Pikërisht për shkaqe të tilla, bashkimi i popullit shqiptar duhet t’i paraprijë çfarëdo forme të bashkimit federal ose konfederal, ose formave të tjera të bashkimit në tërësi më të mëdha, gjersa vetë akti i bashkimit duhet të jetë shprehje e vullnetit të tij që nuk bën të prejudikohet në asnjë mënyrë. Vetë akti i bashkimit të popullit shqiptar për shkak të karakterit të ndarjes së tij, bazohet në esencë në ndarjen e qetë dhe dinjitoze me fqinjët. Çfarëdo politike që nuk e merr parasysh përparësinë e kësaj çështjeje nuk mund të jetë në realitet shprehje e interesave nacionale shqiptare.
Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që kufizohet pothuajse nga të gjitha anët me vetveten, d.m.th. me popullin e vet dhe me trojet e veta historike. Për këtë shkak një çështje prioritare ose një çështje me rëndësi prioritare për Republikën e Kosovës, është ndarja e qetë dhe dinjitoze me RFJ dhe me Republikën e Serbisë, dhe jo bashkimi ose njësimi me Shqipërinë, për shkak se kjo do të kuptohej si zgjerim territorial i Serbisë në drejtim të Shqipërisë, gjë e cila do të nxiste pretendime të ngjashme edhe në Greqi. Kjo do të thoshte natyrisht luftë. Nuk është aspak e pamundur që në qarqet e caktuara në të gjitha qendrat e interesuara të fuqisë, nga Beogradi në Athinë dhe gjer në Washington, dëshirohet një zhvillim i tillë i situatës. Ata shpresojnë për një fitore minimale d.m.th., për një zgjidhje të përkohshme të çështjes shqiptare në bazë religjioze në të cilën ndonjë shtet i bashkuar eventual shqiptar musliman do të figuronte ose si një shtet i veçantë, ose si një anëtar i një tërësie më të madhe.
Dihet se, për dallim nga popujt tjerë të Evropës, religjioni tek shqiptarët gjithmonë ka qenë mënyrë e mbijetesës dhe jo mënyrë e jetesës. Përkatësinë e vet religjioze shqiptarët asnjëherë nuk e kanë identifikuar me përkatësinë e vet kombëtare. Elementi i tyre kryesor përbashkues ka qenë gjuha dhe vetëdija tradicionale për veten. Ata i kanë tri religjione, ndërsa asnjeri prej tyre nuk ka lindur tek këta dhe nuk është kthyer në gjendjen e tyre të natyrshme. Të gjitha ato kanë ardhur bashkë me zgjerimet imperiale (Roma dhe Islamizmi) ose me forcimin e qendrave të fuqisë (Bizanti). Ky fakt (tri religjione) i përgjigjet pozitës gjeostrategjike të vendit ku jetojnë – në trekufirin e tri kontinenteve. Ky fakt e shton pasurinë shpirtërore të kulturës së tyre dhe i kontribuon perspektivës së tyre. Ndarja e tyre në bazë të përkatësisë religjioze, për vetë shqiptarët do të ishte e dëmshme, për shkak të varfërimit të shpirtit dhe të kulturës, për shkak të humbjes së territoreve, etj. Por edhe për praktikën dhe për teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo do të ishte tragjike, sepse në këtë mënyrë do të afirmoheshin kriteret të cilat ajo i ka tejkaluar që moti, si dhe për shkak se ky do të ishte një tregues i qartë i konfrontimit global të shoqërive globale.
Nuk e besoj se mund të ketë midis shqiptarësh shumë të tillë që do të pajtoheshin qysh më parë me një mundësi të tillë. Politika ndërkombëtare ndërkaq është një gjë e ndjeshme. Ajo ofron mundësi të shumta të manipulimeve të ndryshme përmasash kolosale pikërisht për shkak se pas tyre qëndrojnë shtetet. Ato mendojnë se me këtë mund të arrihen qëllimet e caktuara dhe nuk hezitojnë fare kur është fjala për shfrytëzimin e metodave të tilla. Në anën tjetër ekziston një numër i madh njerëzish nostalgjikë për kohërat e shkuara të cilët ndryshimet demokratike në Evropën e Lindjes i përjetojnë si kthim në të kaluarën. Ata mendojnë se është realizuar gjermanizimi i Evropës e jo evropeizimi i Gjermanisë. Është pak e besueshme që në disa qarqe të mos mendohet që me anë të pazarllëkut me trojet shqiptare të zënë pushtetin dhe është pothuajse e pa mundshme që një perspektivë e tillë e zgjerimit territorial në llogari të shqiptarëve të mos u pëlqejë qarqeve të caktuara si në Beograd, ashtu dhe në Athinë. Këto qarqe mbase mendojnë se kjo do të ishte fare në rregull, fare shik, dhe në frymën e ndryshimeve demokratike në Evropë. Bile ndoshta ato shpresojnë se do të bëjnë një salto mortale politike si në vitin 1937, dhe me ndihmën e miqve të forcuar t’i rikompensojnë sërish interesat e humbura gjatë luftës së pandershme politike për pushtet. Ndoshta ata kanë të drejtë. Për mua ndërkaq ata kanë të drejtë në masën në të cilën do të kuptohet se ndryshimet politike në Evropë e mundësojnë deklarimin e parimit të vetëvendosjes politike. Atëherë kur një popull deklarohet politikisht për zbatimin e këtij parimi, asgjë nuk mund ta ndalojë gjer në realizimin e tij të plotë. Ndryshimet politike në Evropë e favorizojnë këtë. Me fjalë të tjera, as vetë nuk e besoj se instrumentalizimi politik i kombit vetjak përbën një rrugë të drejtë për arritjen e qëllimeve afatgjata. Ai detyrimisht e nënkupton karakterin autoritativ të pushtetit dhe përkrahjen e këtij pushteti nga pjesët më reaksionare të popullit. Unë jam ithtar i nevojës së forcimit të identitetit nacional dhe jo i instrumentalizimit të tij. Vetë procesi i forcimit të këtij identiteti nuk mund të realizohet si kthim në të kaluarën por si ecje progresive drejt së ardhmes. Një ecje që nuk i mohon vlerat pozitive të së kaluarës por i inkuadron në vetvete dhe i kuptimëson në kohë. E di se dikur, për shkak të rivalitetit të fuqive imperiale për territore dhe për tregje të reja, instrumentalizimi i popujve të vegjël ose të ndonjë pjese të tyre të caktuar, ishte një gjë fare e rëndomtë. Popujt lidheshin për këtë ose për atë fuqi, dhe për këtë shkak, tek popujt e vegjël lindën bindje dhe paragjykime për predispozitat miqësore të kësaj ose të asaj fuqie. Kjo është në fuqi edhe sot por tani ka ndryshuar konteksti i përgjithshëm i gjërave. Sistemet imperiale janë bërë të shtrenjta, sklerotike dhe joefikase, prandaj janë lënë që moti. Rivaliteti i fuqive gjithnjë e më tepër do të realizohet si konkurrim i zhvillimeve intensive të brendëshme dhe për prodhimin e zbulimeve sa më cilësore tekniko teknologjike si dhe për tregjet që do të dijnë të konsumojnë prodhime të tilla. Ky fakt i vë në pozicion të njëjtë si serbët, ashtu dhe shqiptarët. Serbët ndërkaq, do të duhej të hiqnin dorë nga ëndrrat imperialiste; ata duhet ta njohin edhe de jure Republikën e Kosovës, për t’iu kthyer kështu ardhmërisë së tyre. Këtu qëndron shkaku i theksimit tim se Republika e Kosovës duhet krijuar në raport me veten dhe jo për inat të serbëve; se nuk ka kthim në komunizëm, por as marshim drejt fashizmit, se demokracia nuk plotësohet me përmbysjen e klasave por me luftën konkurrente të ideve dhe të vlerave për gjëra më të mira dhe më cilësore. Me fjalë të tjera kam kërkuar që përmbajtja e shqiptarizmit të mos nxirret nga antiserbizmi ashtu si përmbajtja e serbizmit të mos nxirret nga antishqiptarizmi. Kjo natyrisht nënkupton mirëkuptimin dhe jo luftën, por as luftërat nuk janë zhveshur nga logjika sepse me atë rast do të ktheheshim në kohërat e barbarizmit dhe jo të civilizimit. Duke e njohur edhe de jure Republikën e Kosovës, serbët nuk bëhen popull më i vogël dhe as shqiptarët popull më i madh. Në këtë mënyrë ata do të bëheshin të tillë çfarë janë në të vërtetë. Përse do të duhej luftuar për t’u dëshmuar ajo që tashmë po shihet dhe që ekziston? Populli shqiptar thjesht është deklaruar për shtetin e vet sepse e ka ndjerë nevojën për zhvillimin e mëtejshëm vetjak. Në emër të çkafit serbët do të mund t’i pengonin? Edhe sikur vërtetë të besonin në atë që ua ofron një pjesë e historisë në formë të mitit mbi Kosovën, tani kjo është e parëndësishme. Nuk është miti udhërrëfyes i mirë për ardhmërinë por e vërteta. Pastaj nuk është tërësisht e sigurt se luftërat mund të përfundojnë gjithmonë ashtu siç paramendohen dhe siç dëshirohen. Tani është pothuajse e qartë se ekzistojnë qendra të largëta të caktuara të cilat i mbajnë në kontroll proceset e luftës e të paqes si dhe rezultatet e tyre në të gjitha regjionet që kanë rëndësi për paqen botërore. Tashmë është plotësisht e qartë se ato nuk dëshirojnë që në këto hapësira të vijë gjer ke lufta. Ato e dijnë që populli shqiptar është dëmtuar në të kaluarën dhe se këtë gjendje e ka edhe sot. Ata e dijnë se ai ka të drejtë të zhvillojë luftë mbrojtëse ose çlirimtare, sepse luftërat e tilla konsiderohen, dhe janë, një e drejtë e natyrshme e popullit për vetëmbrojtje dhe për ekzistencë. Si të tilla ato merren si legjitime edhe nga dokumentat e OKB. Ato e dijnë gjithashtu se populli shqiptar, në territorin e vet kompakt, është i vetmi që është sakatosur kryq e tërthor me kufij artificialë ndërshtetërorë, i nënshtruar ndaj organeve shtetërore të disa shteteve, gjersa në shtetin e vet e ka pjesën më të vogël; se është i përndjekur dhe se në disa vende, si në Kosovë, për një kohë të gjatë po i nënshtrohet politikës së terrorit shtetëror. Pikërisht sepse e dijnë një gjë të tillë, ata e mbështesin politikën paqësore të alternativës shqiptare në Kosovë; e lavdërojnë dhe e shpërblejnë, por njëkohësisht edhe e kontrollojnë dhe ia tërheqin vërejtjen, edhepse këto vërejtje në të vërtetë i adresohen Serbisë, sepse ata mbase vlerësojnë se vetëm Serbia është ajo që mund të zhvillojë luftëra në këto hapësira. Ata e dijnë se populli shqiptar në këto hapësira, që ka të drejtë të mbrohet dhe të luftojë për të drejtat e veta legjitime, është plotësisht i paarmatosur. Nga shtypi në gjuhën shqipe lexojmë se shpeshherë zhvillohen aksione brutale për mbledhjen e armëve. Të vetmet armë që ndonjëherë i gjejnë aty-këtu, janë ndonjë pushkë automatike, ndonjë revolver, dhe në raste shumë të rralla, edhe ndonjë bombë dore. Në rrethanat e luftës, këto do të quheshin armatim i lehtë i këmbësorisë. Në një luftë bashkëkohore këto do të quheshin si armë për spastrimin e terrenit, por këto nuk janë armë për zhvillimin e çfarëdo lufte në kushtet bashkëkohore. Vetë këmbësoria qysh moti është shndërruar në një forcë përcjellëse të njësive tankiste, ndërsa vetë ai armatim së shpejti do të mbetet vetëm një relikt i së kaluarës nga kohërat e gangster-dueleve të tipit të Al Kapones. Populli shqiptar askund tjetër, përveç në Shqipëri, nuk e ka ushtrinë e vet të armatosur apo njësitë e veta paramilitare. Ajo që gjendet në Shqipëri thonë se është akoma në procesin e riorganizimit dhe të modernizimit. Kam dëgjuar se pikërisht tani, në këtë kohë të të gjitha rreziqeve të mundshme, paska qenë e nevojshme të zëvendësohet komplet kuadri i shkolluar i oficerëve të armatës e të policisë me të tjerë që tani sapo kanë filluar shkollën. S’mund të ekzistojë një indikacion më i qartë i qëllimeve të një pushteti politik mbi rrugën paqësore të zgjidhjes së problemeve dhe për lëshimin pa asnjë rezervë të vendit të vet në duart e faktorit ndërkombëtar. Ky është faktori që dikur na ka ndarë. Tani do të na bashkojë, nëse jo për shkak të ndonjë paqeje të mundshme, atëherë mbase për shkak të dëshirës për eksperiment! Për këtë shkak, ne shqiptarët e Kosovës, që dikur e kemi luajtur rolin e dorës së parë në themelimin e shtetit shqiptar, tani iniciativën për bashkim ua kemi lënë atyre, të cilëve u mbetet që fillimisht të modernizohen, ndërsa në ndonjë të ardhme edhe të bashkohemi! Sa të mençura që janë këto qendra të largëta të fuqisë! Atyre gjithmonë u shkon përdore që përmes vetë nesh të na mashtrojnë, ndërsa pas kësaj edhe të na shpërblejnë e të na i rrahin miqësisht shpatullat.
Në Kosovë policia dhe mbrojtja territoriale qysh moti janë shpërndarë dhe janë çarmatosur. Nuk u la që të mbijetonte asnjë formë organizative, por edhe në qoftë se përkundër kësaj u la diçka për të mbijetuar, atëherë kjo sigurisht gjendet në parahistorinë politike të kohëve të nomenklaturës komuniste titiste, që është lojale ndaj zotërve të vetë të vegjël, por jo edhe ndaj ligjit, sepse ligje akoma nuk ka. Ata i janë lënë vetvetes, si jetimët. Në qoftë se në çfarëdo mënyre veprojnë akoma, atëherë kjo ndodh për shkak të inercisë, dhe pikërisht për shkak të inercisë së vjetër. Për shkak të situatës sonë të gjithmbarshme, kështu së paku po thuhet, asnjë politikë nuk do ta marrë përgjegjësinë për ta. Sikur të kishin zbritur nga Marsi dhe sikur të mos ishin prej këndej! Politika në këtë mënyrë i shmanget të qenit serize. Ajo bëhet joserioze. Ajo do ta donte Republikën por nuk do ta donte edhe përgjegjësinë për të. Ndërkaq Republika, sipas definicionit, nënkupton shtetin, dhe shteti duhet t’i ketë edhe ushtrinë edhe policinë – dy karakteristikat e pakontestueshme të shtetësisë së shtetit. Bindjet dhe qëndrimet e mia lidhur me këto çështje janë shumë të qarta dhe të tilla kanë qenë gjithmonë. Politika e Republikës së Kosovës duhet të bëhet serioze. Këtu s’ka më «hem ma kanda hem s’dua». Ajo duhet t’i pranojë si të vetat hem ushtrinë hem policinë. Ajo duhet t’i riorganizojë dhe t’i organizojë ato në frymën e kohës dhe në pajtim me ndryshimet dhe detyrat e tyre. Policia dhe ushtria e Republikës së Kosovës duhet të jenë efikase por edhe meritore për shërbimin në shtetin e ri demokratik. Ato janë pasqyrë e moralit publik por edhe e dinjitetit të popullit sepse për shkak të përbërjes së tyre sociale, ato i reflektojnë të gjitha shtresat e shoqërisë. Ato ndërkaq janë edhe diç më tepër: ato reflektojnë aftësinë e një shoqërie që të organizohet në pajtim me arritjet botërore nga cilado fushë e veprimtarisë shoqërore por edhe aftësinë e asaj shoqërie për të pranuar dhe absorbuar gjithçka të re, progresive dhe të pazvetënuar. Shkurt, me shembullin e vet, dhe me nevojën për të vënë në jetë dhe për të zbuluar gjithmonë arritjet e reja në fushën e shkencës, ato duhet të tërheqin gjithë shoqërinë përpara drejt progresit. Dhe pikërisht ato s’duhet ta heqin mendjen kurrë nga dinjiteti i vet, dinjiteti i popullit të vet dhe i shtetit të vet.
Pranimi i ushtrisë dhe i policisë nuk e nënkupton luftën. Në rastin konkret dhe në çastin aktual ajo nënkupton kthimin e besimit në dinjitetin e vet. Ajo nënkupton edhe marrjen e përgjegjësisë vetiake për zhvillimin e gjërave si në Republikën e Kosovës ashtu edhe për Republikën e Kosovës. Në këtë botë nuk ekziston ndokund ndonjë vend, ndërkaq janë më shumë se 180 sish që veten e quajnë shtet dhe që të mos e kenë ushtrinë dhe policinë e vet. Këto i ka madje edhe Vatikani, së paku në kuptimin simbolik, ndonëse nuk e konsideron veten si shtet të mirëfilltë dhe as që është i tillë në kuptimin klasik. Sikur shtetet të zhvillonin luftëra vetëm për faktin se i kanë në dispozicion policitë dhe ushtritë e veta, atëherë asgjëkundi dhe asnjëherë nuk do të kishim paqe. Ato janë instrumente të luftës dhe në rend të parë të luftës, por ato mund të lindin edhe gjatë luftës. Është më mirë që të krijohen në kushtet e paqes pikërisht për shkak të paqes. Ato gjithnjë e më tepër po bëhen instrumente të paqes.
Sipas hipotezës se Republika e Kosovës po njihet de facto, atëherë ç’kuptim ka që ushtria dhe policia e Republikës së Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës, t’i kryejë punët e ushtrisë dhe të policisë së Republikës së Kosovës? Përse të lejohet në këtë mënyrë nxitja e urrejtjes dhe akumulimi i animozitetit midis këtyre dy popujve?
Gjatë gjysmës së parë të viteve ’80-të, kam ndikuar në përvetësimin e metodave paqësore të luftës për Republikën e Kosovës
Më tej, është e vërtetë se politika e Republikës së Kosovës po thirret në një gandizëm të llojit të vet dhe ajo vërtet është një gandizëm i llojit të vet. Unë vetë jam pionieri i vërtetë i kësaj politike, sepse edhe para burgosjes në vitin 1981 e kam pasur të qartë raportin e drejtë të forcave në botë. Për këtë dëshmon edhe libri im «Lufta e ftohtë dhe detanti» botuar në të dy gjuhët në Prishtinë në vitin 1976. Në burg, gjatë gjysmës së parë të viteve ’80-të, unë gjithmonë kam ndikuar në përvetësimin e metodave paqësore të luftës për Republikën e Kosovës, sepse atëherë kam qenë i vetmi njeri në Kosovë, të cilit i ishin plotësisht të qarta pasojat eventuale të çfarëdo lufte. Ky ishte tek e fundit edhe motivi kryesor për shkrimin e atij libri të vogël por të rëndësishëm, që më vonë për vite të tëra u bllokua dhe pothuajse u harrua. Pastaj vetë përcaktimi im në atë kohë për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë në mënyrë të natyrshme e përjashtonte çfarëdo mendimi për luftën, sepse ç’do të na duhej Jugosllavia po të ishim të detyruar që brenda saj të luftonim për barazi?
Gazetarët e tipit të Halil Matoshit në emër të mësuesve të tyre e predikonin imoralitetin në politikë!
Pas daljes nga burgu me 1985, atje ku isha i përndjekur, i izoluar dhe i ostracizuar padrejtësisht, pa kurrfarë vendimi të shkruar nga çfarëdo instance e pushtetit, për vite të tëra u kam folur fshatarëve që po e deshët Republikën në kuadër të Jugosllavisë, urdhëroni bashkë me mua. Ndërkaq po e deshët Shqipërinë, kjo e nënkupton luftën. Ndërkaq për luftë le të urdhërojnë të tjerët. Unë do të isha vetëm ushtar. Pushteti sigurisht që e dinte këtë. Ai e përcillte çdo hap timin dhe çdo fjalë timen. Ai përpiqej që ca të tjerë, sidomos të rinj, t’i shndërronte në mua me anë të tentimeve të çmendura për të depërtuar në trurin tim dhe me anë të imitimeve tragjikomike. Nëntë vjet të tërë më bëri plotësisht të varur materialisht nga të tjerët, fillimisht nga prindërit e mij të vjetër, nga vëllëzërit e mij më të rinj, dhe pastaj edhe nga fshatarët tjerë. Nuk më lejonte të punësohesha askund duke i frikësuar punëdhënësit eventualë. Asnjëherë nuk më dha pasaportë për udhëtim jashtë vendit. Dy herë themelova familje me femra intelektuale dhe që të dy herët dështova. Ky fakt natyrisht është shfrytëzuar që të më pamundësohet ikja, sepse çfarë do të bëja unë në të vërtetë me komoditetin jetësor të jashtëm pa fëmijët e mi të mitur? Mos do të ketë qenë vallë e nevojshme që ndryshimet të kryhen me një dialog aq të çuditshëm me mua, apo vetë unë të kem qenë tepër ambicioz? Nuk e di. Me fjalë të tjera, është plotësisht e qartë nga ajo që u tha, se lufta për Republikën e Kosovës me mjete paqësore nuk u zhvillua vetëm me një siguri rutinore prej zotërinjsh elegantë nga kancelaritë e gjera e nga kabinetet e bukura. Ajo ka kërkuar privacione kolosale, viktima e flijime. Ndërkaq privacionet dhe flijimet i bëjnë vetëm ata që kanë shkallë të lartë të moralit vetiak por edhe që besojnë fuqimisht në ndershmërinë dhe në fisnikërinë e qëllimeve për të cilat luftojnë. Sepse një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metodat makiaveliste të intrigave dhe të shpifjeve. Bashkimin e Italisë nuk e solli mendimi politik i Makiavelit por vetëm mendimi politik i Macinit dhe lufta vetmohuese e një morali tejet të lartë e Garibaldit. Makiaveli e ka përshkruar luftën politike për pushtet të sundimtarëve të ndryshëm të paskrupullt dhe të princërve të Italisë feudale. Ai u jepte atyre udhëzime se si ta përforcojnë pushtetin dhe ka pasur besim se ndonjëri prej tyre do ta shfrytëzojë atë pushtet në favor të bashkimit të Italisë. Mjeshtritë të cilat i përshkruan dhe i rekomandon ai sigurisht që janë shfrytëzuar edhe më parë, por edhe pas tij, në luftërat e përgjakshme për pushtet nga ana e oborrtarëve të ndryshëm dhe despotëve, nga ana e tiranëve dhe diktatorëve të vjetër e modernë, por kurrë ndonjëherë ato, gjatë gjithë historisë, nuk e kanë sjellë fitoren e çfarëdo lëvizjeje politike serioze dhe as forcimin e çfarëdo pushteti demokratik. Ato mund të sjellin forcimin e pushteteve dhe të pushtetmbajtësve despotikë, autokratikë, autoritarë dhe totalitarë; ato janë metoda të një lufte të paskrupullt, të paturpshme dhe të përgjakshme për pushtet, por ato janë në kundërshtim të ashpër dhe të thellë me vetë nocionin e demokracisë. Mjafton që të shfletohen faqet e «Zërit» që të shihet se me ç’zjarr e ç’pasion gazetarët e tipit të Halil Matoshit në emër të mësuesve të tyre e predikojnë imoralitetin në politikë! Implikimi i vetëm i metodave të tilla është lufta e përgjakshme qytetare, dhe këtë gjë ata do të duhej ta dinin.
Në artikullin tim «Për një qasje më shkencore ndaj politikës në Kosovë» (DeA, 1-1991), e kam nënvizuar në mënyrë indirekte trajtimin e gabuar dhe të njëanshëm të mendimit politik tek ne. Pasoi një reagim i vrazhdët, histerik, vëllimor dhe gjithëpërfshirës i qarqeve të përmendura politike. Kjo më dha të kuptoj se nomenklatura politike intelekuale e Kosovës kishte vendosur të vinte në jetë ostracizmin e vjetër grek ndaj meje, gjë që dukej dhe interesante, sepse kurrë nuk kam qenë kundër asaj që ajo ta zinte vendin që i takonte në shoqëri. E dija se ishte fjala për një grupacion të fuqishëm politik pa ndonjë konkurrencë të veçantë, dhe duke insistuar për një luftë konkurrente të ideve dhe të mendimeve, e dija që ajo do të fitonte dhe do të bëhej forcë udhëheqëse e shoqërisë. Mirëpo unë doja vetëm që ajo fitoren ta meritonte dhe që të mos ishte forcë e vetme e shoqërisë dhe as forca e vetme udhëheqëse e shoqërisë. Desha që gjatë asaj lufte konkurrente të ideve dhe të vlerave të konkurrojnë dhe të integrohen në politikë edhe forcat e reja që atëherë ndodheshin në procesin e formimit. Mendoja që nga kjo të shpërthente një kualitet me anë të të cilit do të fitonim një elitë politike intelektuale të shoqërisë më të gjerë, më të fortë, më të larmishme dhe më të pasur me ide. Për vete kërkoja që vetëm të më pranonin si të barabartë. Siç shihet tani në faqe të shtypit e gjithë kjo edhe po realizohet, por edhe tash në një formë disi të ngurtë, sikur brenda kësaj forme, me ndryshime të vogla kozmetike, po kthehet realiteti i para vitit ’81. U desh që tamam unë të riarrestohesha që një përshtypje e tillë të kompletohej. U dashka vallë vërtetë që e kaluara të kthehet në një formë të pandryshuar? Përse vallë pikërisht me ardhjen dhe me konsolidimin e saj në pushtet 400 mijë njerëz u desh të iknin në botën e jashtame?
Harold Lasuelli, njëri nga frojdistët e shquar të Universitetit të Çikagos në SHBA, në vitet 30-ta të këtij shekulli e botoi librin «Psikopatologjia dhe politika» (Psychopathology and politycs). Në faqet e tij ai argumeton se si njeriu, për t’u marrë me politikë, i duhet që motivet e veta personale, me anë të procesit shoqëror të racionalizimit, t’i shndërrojë në interesa shoqërorë të pranueshëm nga të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë, vlerëson ai, një veprim i individit bëhet veprim politik. Mbase duke u mbështetur në këtë formulë të tij, nomenklatura titiste-komuniste e viteve ’80, të gjithë të dënuarit e atyre viteve i shpalli si marksistë-leninistë. Në artikullin tim «Viti ’81 dhe proceset e demokracisë» iu kundërvura një trajtimi të tillë të atyre të rinjve dhe të rejave me tezën se ata nuk po e merrnin parasysh shkallën e vetëdijes së tyre politike dhe veprimin e përgjithshëm sintetizues të parullës për Republikën. E kam bërë këtë sepse e kam ditur se kjo gjë do ta sillte thellimin e vetëdijes për përkatësinë klasore dhe për dallimet klasore. Atëherë kam besuar, por besoj edhe tani, se populli shqiptar në Kosovë kurrë nuk e ka përjetuar shtresëzimin e njëmendët klasor të shoqërisë. Atë që unë e quaj nomenklaturë komuniste-titiste të Kosovës, në të vërtetë është ajo elitë e brishtë dhe e ndjeshme e pushtetit e cila përfaqëson pjesën udhëheqëse të shtresës sunduese të shoqërisë. Por edhe kjo pjesë udhëheqëse e kësaj shtrese të shoqërisë është shumë e hollë, e ngushtë dhe e ndjeshme. Ajo përfaqëson bazën prej rreth 100 mijë njerëzve për elitën sunduese të pushtetit prej rreth 30-40 mijë njerëzish. Thënë kushtimisht, pjesa aktive e popullatës në luftën për Republikën e Kosovës gjithashtu nuk e tejkalon këtë numër. Të dy këto pjesë me supozimin e integrimit të barabartë në shoqëri, do të duhej të përfaqësonin dy shtyllat mbajtëse të Republikës së Re. Mirëpo nëse njëra nga këto dy shtylla vazhdimisht duhet sulmuar për majtizëm, për ideologjizim e për anim kah prosllavizmi, që sipas kritereve të tanishme të shtypit është baras me tradhëtinë kombëtare, atëherë borgjezia e re shqiptare do të duhej të gjente një popull tjetër në të cilin do të mbështetej, pasi që ata njerëz që i sulmon ajo janë plotësisht nga populli dhe në popull. Atëherë do të duhej t’i ruante përjetësisht një tjetër polici dhe një tjetër ushtri nga populli i vet dhe atëherë e gjithë filozofia e tyre s’do të ishte gjë tjetër pos një përmbledhje e mjerë parullash demagogjike dhe marrëzirash të ndryshme.
Mirëpo në qoftë se policia e Republikës së Serbisë, e cila këtu po e kryen detyrën e policisë së Republikës së Kosovës, megjithë faktin se kjo e fundit ekziston dhe njihet de facto njëherësh kryen edhe funksionin e ruajtjes së pozicioneve të asaj elite të hollë të pushtetit, atëherë ajo këtë detyrë nuk e bën mirë. Në rend të parë sepse popullit shqiptar i duhet të mësohet me borgjezinë e vet. E dyta, sepse ajo borgjezi duhet të mësohet që ta respektojë popullin vet si dhe kufizimet morale e tradicionale që ia imponon ai, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, dhe e treta, sepse në këtë mënyrë, siç po ndodh tani, krijohet urrejtja midis dy popujve. Në qoftë se politika është në esencë matematikë, siç mendojnë disa me të drejtë, atëherë operacionet matematikore me të cilat do të përmblidheshin rezultatet e një politike të tillë thjesht do t’i vërtetonin implikimet e saj tejet të dëmshme për të dy popujt. Si do të dukej për shembull, po të bënim një supozim teorik, që rastësisht borgjezia serbe nesër të kërkojë shërbimet e një policie të huaj kundër popullit të vet? Këto janë supozime të cilat duhet të tregojnë për paqendrueshmërinë e situatës në të cilën gjendemi dhe për nevojën imperative që ajo të ndryshohet urgjentisht. Me fjalë të tjera, politika e Republikës së Kosovës duhet ta marrë përgjegjësinë për ushtrinë dhe policinë e vet, ndërsa politika e Republikës së Serbisë më në fund duhet ta kuptojë se po fillon epoka e familjes evropiane të popujve, se në të të gjithë anëtarët do të jenë të barabartë, se populli shqiptar në Kosovë me të cilin do të jetojnë plotësisht të barabartë edhe joshqiptarët, me metoda demokratike të luftës e ka fituar Republikën e vet, ka vendosur që në atë familje të popujve të Evropës të hyjë si i njësuar. Populli shqiptar është i barabartë me të gjithë popujt e Evropës. Ai nuk është i gatshëm për luftë. Politika që e përfaqëson nga të gjitha pjesët ku ai jeton në emrin e tij ka hequr dorë nga shfrytëzimi i metodave jodemokratike të luftës për realizimin e qëllimeve nacionale, por ai, ashtu si çdo popull, ka të drejtë për vetëmbrojtje dhe për zhvillimin e vet të papenguar kombëtar. Për këtë shkak ai vetë dhe në mënyrë sovrane do të vendosë për ato forma të luftës së vet të cilat do t’i përgjigjen mundësive të tij në kushtet dhe në kohën e dhënë. Është plotësisht e pakuptimtë që të gjykohet dikush për potezat e ardhshëm eventualë të popullit të tij, të cilët ai në asnjë kuptim s’ka mundësi t’i dijë.
Lidhur me këtë vetëm dua të shtoj se nuk do të duhej tepruar me atë që gazetarët e quajnë gandizëm të popullit shqiptar, dhe që sërish bazohet në metodën e luftës së tij. Ajo që sot nëpër faqet e shtypit po lavdërohet si gandizëm, për ç’shkak individë të caktuar që s’kanë asnjë lidhje me të ngriten gjer në qiell, fitojnë shpërblime, u rrahen shpatullat, falenderohen etj., vërtetë që s’kanë asnjë lidhje me gandizmin. Unë e di se çdo metodë e luftës paqësore e demokratike s’mund të quhet gandizëm, sepse çdo metodë e tillë e luftës nuk është njëherit edhe produkt i një filozofie të tërë të antidhunës, ashtu siç ishte në realitet dhe siç është filozofia e Gandit, por vetëm një pasqyrë e situatës së caktuar dhe e kushteve të caktuara. Ashtu siç e di edhe se sot atë e lavdërojnë pikërisht ato qarqe në botë të cilat kanë bërë, dhe vazhdojnë të bëjnë edhe sot gjithçka, që njerëzit të mos e kuptojnë. Mirëpo kjo është punë e tyre. Unë e mendoj veten si tepër larg Gandit. Pastaj, dhe kjo është më e rëndësishmja, një pjesë e inteligjencisë shqiptare, do të duhej më së fundi të mësonte që për popullin e vet të mendonte me kokën e vet, sepse edhe krahas shumicës së tij islamike, populli shqiptar kurrë nuk ka qenë dhe as që do të jetë ndonjëherë popull aziatik. Ndonëse edhe islamizmi nuk ka me të ndonjëfarë lidhje, t’i imponosh popullit shqiptar vlera që janë në kundërshtim me frymën e tij praktike, nuk do të thotë vetëm moskuptim dhe keqinterpretim i tij, por edhe dhunim të dinjitetit të tij, d.m.th. të një populli të lashtë evropian. Nuk e kam ndjerë veten të goditur personalisht. Ishte obligim i imi intelektual kundrejt një kolosi të mendimit dhe të frymës njerëzore, që të reagoj kundër atyre teprimeve. E bëra këtë në pjesën II të artikullit tim “Bëje ose vdis” (Fjala, shkurt 1992). Dhe qëndroj edhe tani, si prapa kuptimit, edhe prapa çdo fjale, pike e presje të shkruar në të.
Përse nuk po më gjykojnë Zonjë kryesuese e gjyqit, Zotërinj të kolegjit gjykues,
Me këtë i jemi përgjigjur edhe pikës së tretë dhe të fundit të aktakuzës e cila bazohet në esencë në çështjen e luftës dhe të paqes d.m.th., në karakterin dhe në llojet e metodave me të cilat unë, si përfaqësues i popullit shqiptar e si kryetar i një partie që do të mund të bëhej e rëndësishme, do të mund të shërbehesha eventualisht në luftën për realizimin e qëllimeve kombëtare. Besoj se prokurori publik i Republikës së Serbisë në Prizren zoti Dobrivoje Periç bazat për shkrimin e aktakuzës së tij i ka gjetur në disa elemente të cilat do të mund të shpjegoheshin me atë që unë e përshkrova më sipër si formulë të Harold Lasswellit mbi racionalizimin e motiveve personale dhe përkthimin e tyre në qëllime të gjithëpranueshme politike. Besoj madje se në këtë drejtim ai është treguar i kujdesshëm, për ç’gjë e falenderoj, por që megjithatë aktakuzën i është dashur ta shkruajë, që do të thotë se ajo përkujdesje nuk është e lidhur me implikimet e veprës të cilën unë kurrsesi dhe në asnjë rast nuk e kam bërë dhe as që është bërë nga ana ime. Por nëse kufizimet njerëzore na pengojnë që gjërat t’i sqarojmë qysh më parë, d.m.th., para se të kenë pasur fare mundësi që të lindin, a mos ka qenë vallë më e arsyeshme po t’i ishim përmbajtur porosisë së atij filozofi paraprijës të logjikës atomistike të cilit për shkak të kuptimit të fjalës dhe të pyetjes i është cfilitur mendja dhe i është çjerrë zemra – Ludvig Wittgensteini, i cili pas një lufte të mundimshme prapa vetës, vetëm disa çaste para se të vdiste, konkludon: «Por për gjërat për të cilat s’bën të flitet duhet të heshtet». Unë kësaj, duke ia ndajshtuar rastit tim, vetëm do t’i shtoja: Çdo përgjigje e kuptimësuar fillimisht, në fund megjithatë bëhet plotësisht e pakuptimtë. Prandaj është plotësisht e pakuptimtë që të gjykosh të pakuptimtën.
Në bazë të gjithë kësaj që u shtrua, duket sikur tani u bë e mundur që të ofrohet përgjigja në pyetjet e bëra në fillim: përse jam i burgosur dhe përse po më gjykojnë? Për shkak të interesimit që ka zgjuar ky gjyq në opinionin publik të Kosovës dhe për shkak të spekulimeve të shumta lidhur me të dëshiroj të përgjigjem shkurt edhe në pyetjen: përse nuk po gjykohem?
1. Në burg nuk kam ardhur me dëshirën time, por kam qenë i arrestuar. Është gjë e paparë që të sulmohet i burgosuri vetëm për faktin se ai pa dëshirën e tij është burgosur. Burgu nuk është vend për zhvillimin e çfarëdo bisedave politike, por aty zhvillohen sulme dhe mbrojtje, sulmon shteti dhe mbrohet individi i burgosur. Aty është vendi ku individi jep llogari për veprat ose për bindjet të cilat shoqërisë nuk i kanë pëlqyer. Burgu s’është hotel apo shtëpi pushimi, por është vend i vuajtjes. Nëse zotërinjtë që më sulmojnë nuk e besojnë këtë, përse vallë nuk provojnë që të bëjnë diçka që do t’i çonte në burg për t’u bindur vetë lidhur me këtë? Ndërkaq nëse i frigohen faktit se mos kam thënë diçka që atyre s’do t’u pëlqente, për fat të keq nuk kam mundur të them asgjë më shumë se ç’nuk e kanë ditur ata vetë dhe ç’nuk e kam thënë dhe botuar tashmë publikisht; asgjë që do të mund t’i çonte në burg, sepse tek e fundit, ata janë të mbrojtur, ndërsa mua po më burgosin. Këta zotërinj e dijnë këtë gjë, por e di edhe unë. Është e udhës që të mos më sulmojnë. Këtu nuk po zhvillohen kurrfarë bisedimesh politike, ndërsa unë vetëm po i mbroj bindjet e mia politike. Në rast se kjo disave nuk u pëlqen, le ta përkujtojnë se për këtë shkak unë jam burgosur dhe le të mendohen se mos i kanë kontribuar edhe vetë kësaj pune, duke i ndjekur mësimet e makiavelizmit, konsekuencat e të cilit nuk i kanë kuptuar kurrë dhe as që do t’i kuptojnë ndonjëherë sepse nuk e kanë kuptuar edhe vetë atë. Ndërkaq populli i pamësuar mendon se titujt akademikë dhe dijet e vërteta janë e njëjta gjë, gjë që nuk ndodh veçse në raste të rralla. Mirëpo do të duhej së paku të pranohej ndershmërisht se Republika e Kosovës nuk është pronë private e askujt ndonëse po insistohet edhe më tej që ajo të jetë e tillë.
2. Nuk po gjykohem për shkakun që e përshkruan «Bujku» pak kohë pas arrestimit tim, d.m.th., se jam arrestuar për shkak se jam «i tillë», duke mos sqaruar se çfarë qenkam në të vërtetë, «që ecën i vetmuar nëpër teh shpate», por nuk e thotë se me kë qenka dashur të shoqërohem dhe se për çfarë tehu të shpatës është fjala? Më në fund ai thekson se jam personifikim i politikanit dhe i intelektualit largpamës, por nuk e shpjegon se si qenka e mundur kjo gjë, kështu që del sikur unë paskam aftësi parapsikologjike të fallxhorit, të profetizuesit e të parashikuesit. Edhe këto pikëpamje për mua u gjasojnë atyre që u përshkruan më lart. Janë të frymëzuara nga po ato qarqe të cilat me vite e dekada u përpoqën dhe ia dolën ta denigrojnë personalitetin tim dhe aftësitë e mia intelektuale me qëllim që me to të shërbehen për shkëlqimin dhe lartësimin vetjak. Këtë ua mundësoi sistemi dhe zhdërvjelltësia e tyre për t’i shitur të fortit gjithçka që s’është e tyre në këmbim të asaj që do të duhej të ishte vetëm e tyre. Ky mentalitet i kopesë mendon seriozisht se kjo praktikë është e përjetshme dhe e pandryshueshme. Ata mendojnë seriozisht se individi mund të ngritet vetëm me ndihmën e tyre. Për shkak të këtij besimi tragjik, baza e të cilit ndodhet në edukatën e tyre patriarkale të tradicionalizmit fisnor akoma të gjallë ndër ne, ata më me dëshirë e me lezet do ta hanin pjesëtarin e tyre se sa ta lejonin që të pavarësohej plotësisht prej tyre. Ky mentalitet i kopesë më ka vënë tashmë në një situatë jashtëzakonisht të rëndë, por ai po vazhdon të veprojë me vrull, agresivitet dhe intensitet të pazbutur. Prandaj po u drejtohem sërish: Më lini të qetë! Nuk po më gjykojnë për shkakun tuaj. Asnjëherë nuk jam gjykuar për shkakun tuaj edhepse ju keni dashur ta besoni një gjë të tillë. Nuk e kam ngrënë asnjëherë ndonjërin prej pjesëtarëve të kopeve tuaja të shumta sepse ndjej neveri nga një gjë e tillë. Po pata mundësi do të përpiqem t’i ndryshoj themelet tuaja në mënyrë që në të ardhmen të vdesin dhe të zhduken manitë tuaja njeringrënëse. Ndërkaq po qe se nuk ja dal dot kësaj pune, atëherë më gllabëroni më në fund të tërin, ose më lini të qetë!
Pastaj intelektualët e vërtetë nuk presin që të jenë të kuptuar nga çdokush dhe nga të gjithë, por edhe ata kanë të drejtë për mbrojtjen e jetës së vetë private dhe për respektimin e personalitetit të vet. Pavarësisht se ç’mendojnë për mua qarqet e caktuara politike, unë veten e vlerësoj në raport me të qenit dhe me qenjen e kohës. Prandaj mendoj për vete se në këto çaste këtu po gjykohet njëri ndër intelektualët më të mëdhenj të popullit shqiptar. Nuk dyshoj aspak se në të ardhmen do të lindet dikush, nëse nuk ka lindur tashmë, që do të dij ta përqasë veprën time dhe jetën time në raport me mundësitë e veta. Mënyra e sjelljes suaj ndaj meje nuk flet për mua por për ju. Në këtë gjykatë nuk gjendet asnjëri nga anëtarët e familjes sime të ngushtë. Asnjë prej tre fëmijëve të mi të mitur.
3. Mendoj se do të ishte një gjë pretencioze po të pohoja se jam burgosur dhe se po gjykohem për shkak të punimeve të mia të botuara ose të pabotuara apo edhe vetëm për shkak të mendimeve të mia. I kam shkruar disa punime dhe artikuj të rëndësishëm studimorë. I kam shkruar qëllimisht në atë mënyrë që secili prej tyre, duke i llogaritur edhe letrat e mia të hapura, të përfaqësojnë një vepër të vogël kapitale, por njëherësh edhe një syzhe apo përkujtues për shkrimin e shumë veprave kapitale ose ndoshta vetëm për një vepër të madhe kapitale të lidhur organikisht. Ndërkaq, nuk kam shkruar vepër të madhe kapitale. Më ka munguar paqja e duhur në këto 15 vjetët e fundit që t’i përkushtohesha seriozisht një gjëje të tillë. Jam mbrojtur prej kafshimeve të ndryshme të kopeve të përshkruara. Vepra ime e madhe kapitale megjithatë është inkorporuar në Republikën e Kosovës dhe në lëvizjen e gjithëmbarshme të shoqërisë përpara. Mirëpo për këtë unë një herë e kam mbajtur dënimin me burg. Për këtë arsye tani as jam burgosur as po gjykohem.
Më ka arrestuar Serbia ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare
Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa shkaqet juridike që i përmban aktakuza s’mund të qëndrojnë absolutisht dhe angazhimet e gjertanishme të mbrojtësve jashtëzakonisht të përgatitur e profesionalistë të Republikës së Kosovës këtë e vërtetuan patundshmërisht. Prandaj besoj se Republika e Kosovës nga aspekti juridik është në gjendje që të mbrohet absolitisht vetëm. Mbrojtësit e saj për këtë arsye janë në lartësinë e thirrjes së vet dhe të profesionit të vet si dhe të dinjitetit të Republikës apo të shtetit të vet. Për këtë shkak unë iu falenderohem dhe u dëshiroj sukses në të gjitha luftërat juridike për forcimin e themeleve dhe të ndërtesës ashtu si dhe të pamjes së jashtme dinjitoze të shtetit të tyre, Republikës së Kosovës.
Me faktin se shkaqet juridike nuk qëndrojnë ngaqë janë shembur në mënyrë të argumentuar nga ana e mbrojtësve të mi të Republikës së Kosovës, vetëm vërtetohet se ky gjyq është i një natyre politike. Shkaqet politike të mbajtjes së tij edhe më tej mbeten. Për ato shkaqe të natyrës politike ky gjyq duhet të marrë vendimin e vet gjyqësor. Me kumtesën time të gjerë për prapavijën politike të këtij gjyqi, në mënyrë të ndershme dhe objektive kam dashur t’i ndihmoj këtij gjyqi që të marrë vendim objektiv, jo sepse dyshoj në objektivitetin e tij, por sepse tek ai arrihet me njohjen e plotë dhe zbulimin e argumenteve kundërshtuese dhe kontradiktore.
Ndërkaq vetë fakti se kam mundur të jem i burgosur për shkak të mundësisë së ndikimit tim në lëvizjet e gjithëmbarshme politike në këto hapësira, i përforcon dyshimet e mia të sipërpërmendura për mundësinë e zgjidhjes së çështjes shqiptare në bazë të përkatësisë së tij religjioze në kundërshtim me interesat e tij të vërteta nacionale. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të theksohet se është e drejtë e çdo populli për informim të drejtë dhe objektiv lidhur me rëndësinë e akteve politike në të gjtiha vendet në këto hapësira. Duke mos dashur të prejudikoj asnjë zgjidhje, gjë për të cilën janë kompetentë organet politike shtetërore dhe trupat e tyre, mendoj se si qytetar i rëndomtë i Republikës së Kosovës, dhe si pjesëtar i kombit tim, i thirrur në gjyq për shkak të bindjeve të mia politike, kam të drejtë të nxjerr në pah qëndrimet e mia për gjërat që mendoj që janë në interes të përgjithshëm. Prandaj mendoj se është në interesin tonë, e për të gjithë ata që jetojnë në këto hapësira dhe që s’kemi ndonjë atdhe tjetër, që:
Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni
1. Republika e Serbisë ta njohë edhe de jure dhe jo vetëm de facto Repubikën e Kosovës.
2. Që Republika e Kosovës ta kryejë më në fund formimin e organeve të veta shtetërore.
3. Që Republika e Serbisë t’i lirojë nga burgu të gjithë të burgosurit politikë, sidomos ushtarët dhe oficerët e Republikës së Kosovës.
4. Që Republika e Kosovës t’i njohë si të vetët dhe t’i qaset seriozisht marrjes së përgjegjësisë shtetërore duke i riorganizuar dhe organizuar ato shërbime (policinë dhe ushtrinë) në pajtim me rendin demokratik të shtetit të saj.
5. Që organet kompetente të Republikës së Shqipërisë t’i shqyrtojnë edhe një herë vendimet e të burgosurve politikë dhe që t’i lirojnë më në fund nga burgu. Mendoj se është plotësisht e pakuptimtë të mbahen njerëzit nëpër burgje vetëm për shkak se i takojnë një kohe tjetër. Nëse janë gjykuar se kanë mundur eventualisht që të ndikojnë në lëvizjet politike të kohës së sotme, atëherë për ç’drejtim të atyre lëvizjeve bëhet fjalë vallë, kur një regjim demokratik nuk mund të hapë një diskutim të lirë dhe të përgjegjshëm për çështjet thelbësore të kombit?
6. Shqiptarët e krishterë ortodoksë janë ndër pjesët më të arsimuara të kombit shqiptar. E kanë kishën e vet autoqefale të cilën e ka themeluar shumë i përndershmi Fan Noli. Intelegjencia shqiptare e këtij konfesioni është tejet e ngritur dhe ajo padyshim ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në ndërtimin e kombit shqiptar. Ata kanë të drejtë dhe detyrë që ta artikulojnë disponimin e vërtetë të pjesëtarëve të thjeshtë të bashkësisë së vet fetare që janë ndjerë gjithmonë si shqiptarë dhe jo si grekë, ashtu siç është e drejta e tyre që t’i shprehin lirisht bindjet dhe ndjenjat e tyre nga pozitat e përkatësisë së tyre nacionale në raport me të gjithë popujt tjerë që i përkasin kishës së krishterë lindore. Një gjë e tillë nuk i bën më pak shqiptarë se ç’janë në realitet. Për këtë shkak diskutimet politike midis shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, duhet të lirohen nga mosbesimet në baza të tilla. Shqiptarët janë komb evropian dhe s’mund t’ia lejojnë vetes luksin e të shprehurit në trajtë despotike aziatike.
7. Bashkimi i popullit shqiptar dhe i trojeve shqiptare në një shtet duhet të jetë parakusht për çfarëdo rregullimi të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë pjesë të Ballkanit. Ky bashkim duhet të bëhet në bazë nacionale dhe jo religjioze. Mundësisht me rrugë institucionale. Prandaj njohja edhe de jure dhe konstituimi i plotë i Republikës së Kosovës është një akt me rëndësi të shumëfishtë për zhvilimin e mëtejshëm të situatës në këtë pjesë të Evropës, sepse bashkimi i popullit shqiptar është e drejtë e tij historike, imperativ i kohës, dhe fundja, është fati i tij historik. Popullit shqiptar i duhet të ndeshet me fatin e tij personal politik dhe pa kurrfarë dyshimi, në çfarëdo mënyre qoftë, ai këtë do ta bëjë.
8. Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni. Kjo i takon historikisht këtij qyteti, ndërsa i përgjigjet edhe gjeografikisht, pasi që gjendet në qendër të trojeve shqiptare. (FUND)
VIDEO E RRALLE E UKSHIN HOTIT. FJALIMI I UKSHIN HOTIT NE FSHATIN NAGAVC!