• Today is: Sunday, May 5, 2024

NË ORËT E PARA TË MËNGJESIT SHEMBET GODINA E TEATRIT KOMBËTAR

fakti
May17/ 2020

Ditën e sotme (17 maj 2020), në orët e para të mëngjesit godina e Teatrit Kombëtar është shembur nga fadromat e IKMT-së, të cilat ende vijojnë aksionin për heqjen e inerteve. Gjithashtu pritet që fadromat të rrëzojnë edhe godinën e Teatrit Eksperimental.

Ky aksion i policisë u shoqërua edhe me protesta nga shoqëria civile, aleanca për mbrojtjen e teatrit dhe opozita. Një prej protestuesve u gjakos, një grua e mbuluar u rrëzua në shesh teksa përplasej me policinë, emra të njohur të opozitës dhe gazetarisë u morën zvarrë nga policia, por sërish aksioni nuk u ndal.

Në këto momente duket se situata, që para pak orësh ishte e tensionuar, tashmë është qetësuar dhe në shesh qytetarët thuajse janë shpërndarë.

Raportimi

Transmetimin e situatës në vend dhe shembjen e teatrit e kanë raportuar media ndërkombëtare, mes tyre ReutersDaily MailBalkan InsightExit NewsDaily IndipendentThe Washington PostAssociated Press.

“Reuters” ndër të tjera shkruante:

Autoritetet shqiptare filluan rrënimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, mëngjesin e kësaj të diele, pasi tërhoqën duzina aktorësh dhe aktivistësh, që e mbronin atë. Teksa i tërhiqnin ata brohorisnin “turp” dhe “diktaturë”.

Për më shumë se dy vjet aktorë, aktivistë dhe opozita kanë kundërshtuar planet e kryeministrit, Edi Rama për të ndërtuar një teatër të ri, duke thënë se ndërtesa ekzistuese ishte pjesë e trashëgimisë së vendit, dhe e akuzuan atë për praktika korruptive.

Protesta çoi në 37 arrestime dhe një polic u shtrua në spital pasi u godit nga protestuesit. Ndërsa një dëshmitar i ‘Reuters’ gjithashtu se kishte parë një protestues me lëndime në kokë.

Njëri nga të arrestuarit, analist i medieve, Alfred Lela, tha pas lirimit të tij se policia kishte përdorur dhunë të pajustifikuar dhe abuzim verbal. Policët shkelmuan protestuesit, të cilët hodhën shishe uji, sipas një dëshmitari të Reuters, por policia tha se akuzat për dhunë ishin të pavërteta.

Reagimet

Lidhur me këtë akt të shembjes së Teatrit Kombëtar reagimet ishin të shumta dhe “Panorama” ka raportuar hap pas hapi ngjarjen.

Artistë, aktorë, politikanë, ndërkombëtarë dhe organizata ndërkombëtare nuk u kursyen se theni se Teatri Kombëtar nuk duhet të shembej.

Presidenti i Republikes, Ilir Meta e konsideroi krim kushtetues, ligjor dhe moral të pa amnistueshëm shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa shtoi se dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për mafien në pushtet.

Eurodeputeti, Michael Gahler (Gjermani) dhe përfaqësues për çështjet e jashtme e të zgjerimit i grupit parlamentar të PPE në Parlamentin Europian kërkonte nga kryeministrit Rama që të ndalte shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar. Më herët ai bënte thirrje për ndaljen e dhunës ndaj artistëve e aktivistëve dhe të angazhohet në dialog me të gjithë grupet e interesuara përfshirë Europa Nostra dhe Institutin e Bankës Evropiane të Investimeve.

Po ashtu ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf reagoi pas vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke theksuar se shembja në këtë mënyrë është e vështirë për t’u kuptuar për të.

Edhe reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian David Lega iu bashkua deklaratës së eurodeputetit gjerman, kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ndërsa kryetari i PD-se, Lulzim Basha ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha hapave demokratik për të larguar Edi Ramën, ndersa theksonte se Kreu i opozitës si sot tri vete më parë ka gabuar kur u ul në një tryezë me Edi Ramën. Por ai tha se këtë e ka bërë vetëm për të mirën e shqiptarëve.

Kryetarja e LSI-se, Monika Kryemadhi tha se pas shembjes se Teatrit Kombetar lufta është hapur, ndërsa u kërkoi qytetarëve që të mos njohin postblloqet e policisë.

Me zë të emocionuar, në lot, artistja e madhe, aktorja Roza Anagnosti nuk ka mundur të mos e shfaqë trishtimin për atë që po ndodh tek Teatri.

Ça të jem, e trishtuar me këtë pamje që shikoj. Jam shumë e trishtuar, nuk kam fjalë që të them, më vjen keq,. nuk kam fjalë. Është e dhimbshme, nuk e justifikoj Policinë e Shtetit dhe njerëzit që janë aty pranë kanë bindjen e tyre, duhet respektuar gjithsecili. Policia nuk duhet t’i prekë me dorë asnjëri”, tha aktorja Anagnosti ndër të tjera.

Së fundmi ka reaguar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili nëpërmjet një deklarate për mediet kërkoi bashkëpunim për të ndërtuar godinën e Teatrit të ri.

 

 

Rama i drejtohet Edmond Budinës: Nuk jam shenjt dhe as i pagabueshëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për prishjen e Teatrit Kombëtar. Ai i është drejtuar personalisht regjisorit Emdond Budina, ndërsa shprehet se është e drejta e tij të mendojë ndryshe, por jo të shajë dhe të ofendojë.

“Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika,Luftar Paja, Gëzim Kame, Viktor Zhusti, Ruzhdi Pulaha, Pirro Milkani, Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë,që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…Je në të drejtën tënde të mendosh njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin,kulturën,teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre me bishtin kular në këmbët e Shqipërisë,ku çdo punë e jona përbaltet me fjalorin ekstrem të vulgaritetit.

Por ty nuk të takon të shash,fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë,bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd”, shkruan Rama.

Budina i përgjigjet ashpër Ramës: Po bëni një punë të ndyrë

Regjisori Edmond Budina i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit, Edi Rama, i cili tha se regjisori është në të drejtën e tij të mendojë njësojë me Partinë Demokratike, por nuk i tolerohen sharjet dhe ofendimet.

Budina i ktheu përgjigje Ramës në Euronews Albania, ndërsa u shpreh se kryeministri po bën një punë të ndyrë  duke shkatërruar artin dhe historinë e Tiranës.

Ai theksoi se nuk është pjesë e Partisë Demokratike, siç pretendon shefi i mazhorancës.

“A është gjest kriminal të fillosh të prishësh Teatrin Kombëtar ku e gjithë Europa është kundër prishjes së tij? A është krim, a është fashizëm, a është nazizëm, është më shumë, është krim i jashtëzakonshëm. Po bëni një punë të ndyrë për të mbushur xhepat. Unë nuk jam pjesë e asaj partie”, tha ai.

Ai më tej zbuloi një deklaratë të kryeministrit të bërë në “Qytetin Studenti”, ku sipas tij, Rama kishte kërkuar vrasjen e komunistëve.

“Ke qenë ti që kë thënë në “Qytet Studenti: “t’i vrasim të gjithë komunistët”. Unë nuk vras njëri, ju sollët fadromat dhe deshët të vrisnit njerëzit. Prandaj, mua mos m’u drejto mua ashtu, dhe po nxit një përleshje sociale. Popullsia do të ngrihet dhe turpi do të jetë me ty, që nuk arritët të mbroni dot kulturën shqiptare: Turp të të vijë!”, shtoi ai.

Paraprakisht në një intervistë për Euronews Albania, regjisori Bundina, u shpreh se ka ardhur kohë që shqiptarët të ngrihen dhe të kërkojnë shpërndarjen e parlamentit, të cilën e cilësoi si “parlament ilegjitim”.

Ai tha se mafia tashmë është ulur këmbëkryq në Shqipëri.

“Shumë mirë, sepse më në fund arritëm atë që deshëm. Përfundimisht jemi në diktaturë, talebanët fituan!. Ne përfundimisht jemi në diktaturë. Ky është një fashizëm i hapur, sepse vepruan fshehurazi dhe shkelën çdo të drejtë dhe çdo normë. S’ke si të ndihesh mirë. Ne duhet të bëjmë një mosbindje civile, ku të gjithë qytetarët të ngrihen dhe të protestojnë dhe të kërkojnë shpërndarjen e këtij parlamenti ilegjitim, që nuk e ka numrin e duhur. Edhe kur është zgjedhur është zgjedhur me vota të  blera. Mafia është ulur këmbëkryq në këtë vend. Secili ka turpin dhe nderin vet. Unë besoj se e kam bërë detyrën  si qytetar. Mos të më fshihen vrimave”, tha ai.

I pyetur se si do të veprojnë tashmë që është prishur godina e Teatrit Kombëtar, Budina dha këtë përgjigje: “Nuk jemi dorëzuar dhe ne do të mblidhemi prapë dhe do të propozojmë mosbindje civile, të ngrihemi të gjithë. Do shkojmë në protestë para parlamentit dhe para presidentit. Ne do të kërkojmë të shpërndahet parlamenti i injorantëve, mafiozëve dhe parlamenti i derrave, që ngrenë kartonët më keq se derrat”, theksoi Budina.

 

Pas lirimit nga komisariati, aktori Neritan Liçaj i është bashkuar sërish protestuesve tek Teatri Kombëtar. Ai u prit me duartrokitje nga qytetarët, ndërsa më pas është ulur këmbëkryq para godinës, e cila tashmë është hedhur e gjitha përtokë.

 

Veliaj: Vendimi më i vështirë i jetës, mbrojtëm jetën e artistëve protestues

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në reagimin e parë pas shembjes së Teatrit Kombëtar ka kërkuar bashkëpunim me artistët që e kundërshtonin këtë ide, për realizimin e planit të teatrit të ri. Z. Veliaj e konsideroi si vendimin më të vështirë të jetës shembjen e godinës, por theksoi se ka qenë vendim i drejtë.

“Me zemër në dorë, dua t’u shtrij dorën që këtë projekt ta bëjmë më të mirë. Në finale do të triumfojë produkti. Vendimi më i vështirë i jetës sime. Gjëja e drejtë do të gjykohet me gjakftohtësi më vonë”, u shpreh kryebashkiaku duke kërkuar që të bëhen bashkë.

“Teatri i vjetër iku, ka ardhur koha që të bëhemi bashkë. Nuk mbaj mend kur kemi bërë një projekt të madh në Tiranë që nuk është kundërshtuar”, deklaroi z. Veliaj duke përmendur projektin e parkut të lojërave në Liqenin Artificial, ndërtimin e sheshit “Skënderbe”, “Pazarin e Ri”, që janë kundërshtuar fillimisht ndërsa tani i shijojnë të gjithë.

Për godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se, raporti i Institutit të Ndërtimit që e klasifikonte si ndërtesë të rrezikshme u konfirmuar nga shembja. Z. Veliaj gjithashtu tha se, godina nuk ka qenë Monument Kulture dhe as në listën e ndërtesave të mbrojtura.

Basha: Do të nisim organizimin e protestave mbarëpopullore

Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike prezantoi pas takimit me aleatët veprimet që opozita e bashkuar jashtëparlamentare do të ndërmarrë pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Kryedemokrati njoftoi se opozita do të nisë nga sot përgatitjen e protestave dhe do të mbështesë çdo protestë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

“Si sot 3 vjet më parë, unë u ula me këtë njeri me shpresën dhe besimin se forcat politike mund të arrinin një marrëveshje në të mirë të unitetit të vendit dhe garantimin  e zgjedhjeve të lira, koha tregoi shumë shpejt se u gabova. Ky gabim nuk do të përsëritet më kurrë se opozita është e vendosur që të ndërmarrë hapa demokratikë, por të vendosur për largimin të së keqes së shqiptarëve, të së keqes së Shqipërisë të se keqes së fëmijëve tuaj që është Edi Rama. Vendimi ynë i parë është mbështetja për të gjitha protestave e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Shoqërisë Civile, dhe qytetarëve kudo ku ndohen dhe nisja e organizimit nga opozita për nisjen e protestave qytetare dhe mbërpopullore . Duke nisur me efekt të menjëhershëm, sepse aty ku sot u dhuna teatri, u përgatit flijimi i të drejtave themelore të çdo qytetari. Ky është vendimi ynë i parë”, tha Basha.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha lajmëroi se opozita do të kërkojë ndëshkimin e autorëve të veprimeve të shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Dita e sotme është një shembull që vendi drejtohet nga një kriminel e hajdut, i cili ka marrë peng shtetin e shqiptarëve, bukën e gojës së shqiptarëve. Ka marrë peng kulturën. Me ndihmë e qytetarëve dhe mediave kemi ekspozuar ditë pas dite shkatërrimin kushtetues. E sotmja, është një tjetër aferë e radhës, por nuk është vetëm kaq, por është guri i rëndesës në shpirtin e shqiptarëve që merakoset për të ardhmen e fëmijëve të vet.Po kështu, dua të ritheksoj angazhimin me shkrim të marrë në emër të opozitës së bashkuar, që nesër në pushtet një qeveri e zgjedhur me votat e shqiptarëve, jo vetëm sipas angazhimit me shkrim që kemi bërë verën e kaluar do të restaurojmë në gjendjen e mëparshme Teatrin Kombëtar, por do të  kryejmë ndëshkimin shembullor nga Edi Rama deri tek i keqpërdoruri më i fundit.” shtoi ai.

 

Albin Kurti: Ata që përfitojnë sot nga shembja e Teatrit, nesër do të humbin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke theksuar se është bërë për interesa që lidhen me persona të veçantë. Kreu i qeverisë së Kosovës bën thirrje për rezistencë duke thënë se ata që po fitojnë sot, nesër do të humbin.

Reagimi i Kurtit:

Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.

Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.

Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë.


Ambasadori gjerman: Shembja e teatrit e nxituar dhe e vështirë për t’u kuptuar

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf një deklaratë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar e ka cilësuar të nxitur dhe të pakuptimit. Ai bëri thirrje për dialog dhe vetëpërmbajtje dhe shpreh shqetësim dhe për grumbullimin e qytetarëve në kohë pandemie.

Deklaratë e Ambasadorit Peter Zingraf:

“Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar.

Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme.

Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”.

BE e shqetësuar për rrënimin e Teatrit Kombëtar

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëria ka reaguar pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Me një shënim në “twitter”, BE-ja shpreh zhgënjimin e saj, ndërsa thotë se pavarësisht thirrjeve për dialog, institucionet shqiptare nuk e ndoqën këtë këshillë.

 

“Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore”, thuhet në reagim.

 

Mes tjerash, BE-ja fton palët politike që të tregohen të përmbajtura dhe të shmangin përshkallëzimin e konfliktit social.

 

“Që në orët e para të këtij mëngjesi, kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e situatës në terren. Ne u bëjmë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin një përshkallëzimin të situatës”, thekson më tej BE-ja.

Altin Basha tregon arsyet pse është pro shembjes së Teatrit

Regjisori, Altin Basha në një intervistë për ‘Ilva Now’, është shprehur se Shqipëria ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar, që do të jetë i pari, pasi ai që ekziston sot është emëruar i tillë, por nuk ka qenë parashikuar që të funksionojë si teatër. Idenë e ndërtimit të teatrit me para të buxhetit të shtetit, sipas regjisorit të njohur është ideja më e mirë e mundshme.

“Ideja për ta ndërtuar me para publike është ideja më ë e mirë e mundshme, duhet të ketë entuziazëm pasi do t’u shërbejë qytetarëve. Ai teatër e ka humbur funksionalitetin e tij 20 vjet pasi është ndërtuar. Nuk ka qenë i projektuar për teatër, është adoptuar për teatër. Aktualisht nuk mund të quhet një teatër, e ka humbur krejtësisht funksionalitetin”, u shpreh z. Basha.

Sipas tij pjesa dërrmuese e artistëve e mbështesin idenë e ndërtimit të një teatri të ri, ndërsa solli në kujtesë dhe rastet kur vende të tjera kanë shembur teatrin kombëtar.

“Po u jap dy shembuj, Hungaria e ka shembur tre herë teatrin kombëtar. Njëherë e ka shembur për të ndërtuar hyrjen e metrosë së Budapestit. Suedia e ka shembur, ka pasur një teatër prej druri. Nuk shoh ndonjë gjë dramatike në shembjen e asaj ndërtesë dhe ndërtimin e një teatri. Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër. Për sa kohë marrim më shumë salla dhe teknologji”, deklaroi regjisori.

  1. Basha duke folur për projektin e Teatrit të ri Kombëtar tha se do të jenë tri salla me një kapacitet prej 1 mijë spektatorë, ndërsa vetëm investimi në teknologji do të arrijë në 10 milionë euro.

“Ka tri salla të mbyllura, një sallë të hapur një ka kapacitet 650, një 350 dhe 150 dhe do të përdoret një teknologji nga më të përparuarat në rajon. Është marrë për model teatri kombëtar bullgar dhe ai i Maqedonisë së Veriut. Ka një kosto shumë të madhe, 10 milionë euro vetëm në teknologji. Do të jetë një teatër jo vetëm në parametra ndërkombëtarë por një teatër jashtëzakonisht funksional. Jemi në prag të një zhvillimi shumë të rëndësishëm kulturor në këtë vend. Produkti do të jetë teatri i ri i Shqipërisë”, tha ai.

Regjisori thotë se ka një acarim artificial për këtë çështje nga ndërhyrja e politikës, duke thënë se po ndikojnë disa militantë dhe funksionarë të opozitës. Ai kujtoi se, PD gjatë kohës kur ishte në pushtet, nuk investoi për rikonstruksionin e teatrit, por shndërroi Piramidën në teatër.

“Pjesa politike është padyshim pjesa ku nuk do të doja të hyja sepse nëse do të duhet të futem në pjesën politike do të doja t’i kujtoja të gjithë atyre që kundërshtojnë teatrin, kanë qenë në pushtet dhe kanë pasur mundësi që ti shpenzojnë ato para që kanë shpenzuar tek Piramida dhe mund t’i shpenzonin për rikonstruksionin e Teatrit, por ndërtuan një teatër që nuk funksionoi asnjë ditë, e nxorrën nga lista e mbrojtjes së monumenteve të kulturës.”, përfundoi z. Basha.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=2&v=DMTtfqWZ8jQ&feature=emb_logo