Agron Limani në varrezat në Krushë të Vogël. Foto kortezi e Agron LImanit.
Me shtimin e infektimeve me koronavirus në Kosovë, përkujtimet e përvitshme të masakrave të kohës së luftës, në të cilat zakonisht marrin pjesë turma të mëdha vajtuesish, janë zëvendësuar nga vizita modeste në varret e të dashurve dhe nga postime përkujtimore në rrjetet sociale.
Serbeze HAXHIAJ/ Prishtinë, BIRN
Mëngjesin e 26 marsit, fshatarët në Krushë të Vogël në Kosovë ndien të njëjtën dhimbje si çdo vit, ndërsa kujtojnë njerëzit e tyre të dashur që u masakruan nga forcat serbe në vitin 1999.
Njëri prej tyre, Agron Limani, tregoi se si babai, vëllezërit dhe xhaxhai i tij u vranë atë ditë, së bashku me 109 civilë të tjerë nga fshati, në një shtëpi disa metra nga ku ai jeton.
Pjesa më e madhe e kufomave të viktimave nuk u gjetën për vite me radhë pas kësaj që ndodhi. Eshtrat e vëllait të Limanit, Luanit, i cili ishte 21 vjeç kur u vra, u gjetën në vitin 2014 në një varr masiv në afërsi të Prizrenit, por tre viktima vazhdojnë të rezultojnë ende të zhdukura.
Këtë vit, për shkak të epidemisë së koronavirusit, përkujtimorja e përvitshme në Krushë të Vogël ishte ndryshe. Në vend të një tubimi të madh vajtuesish, në varreza bënë nderime vetëm të afërmit e afërt të viktimave.
“Në varrezat ishin edhe dy familje të tjera, disa metra larg”, tha Limani për BIRN.
“Ishte një përkujtimore shumë e shtuar. Më dukej sikur ishte diçka me më pak respekt. Por në një takim këtu në fshat, vendosëm të mos e shënonim këtë përvjetor për shkak të situatës së pandemisë. Duhet të shmangim çdo gjë dhe të qëndrojmë në shtëpi”, tha ai.
Në pranverë në Kosovë zakonisht mbahen një sërë përkujtimoresh të mëdha të masakrave të kohës së luftës të kryera nga forcat e Sllobodan Millosheviçit pasi forcat e NATO-s nisën sulmet ajrore kundër Jugosllavisë në fund të marsit 1999.
Por njësoj si Agron Limani, shumë të afërm të viktimave të masakrës i kanë përkujtuar të dashurit e tyre vetëm duke bërë vizita të shkurtra në varret e tyre ose kanë qëndruar në shtëpi dhe në vend të kësaj kanë postuar mesazhe përkujtimore në rrjetet sociale.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili merr pjesë shpesh në përkujtimoret e mbajtura në të gjithë vendin, i ka shënuar gjithashtu datat e masakrave me postime në Facebook.
Në postimin e tij të fundit në lidhje me këto, Thaçi përkujtoi ata që vdiqën në fshatin Rezallë, ku forcat serbe vranë 98 civilë etnikë shqiptarë më 5 prill.
“Edhe në këtë masakër tipike të shtetit serb ndaj popullatës civile të paarmatosur e pësuan kryesisht burrat, duke treguar natyrën e qartë të krimeve masive kundër njerëzimit, për të cilat nuk u vu para drejtësisë askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e tyre”, shkroi Thaçi.
Kryeministri në largim Albin Kurti përdori gjithashtu Facebook-un për të përkujtuar përvjetorin e një masakre në fshatin Izbicë në komunën e Skënderajt në veriperëndim të Kosocës, ku forcat serbe vranë 147 civilë etnikë shqiptarë më 28 mars 1999.
Për 21 vjet me radhë, ne nuk e kemi shijuar pranverën. Kudo në Kosovë, çdo ditë gjatë këtyre muajve, ne përkujtojmë njerëzit tanë të dashur, familjarët dhe miqtë që u vranë ose u morën nga makineria fashiste e shtetit serb”, shkroi Kurti.
“Është detyra jonë të mos i harrojmë”
Pak zyrtarë kanë vizituar varrezat për të bërë nderime në përvjetorët e fundit të vrasjeve masive të luftës. Por njëri prej tyre, Smajl Latifi, kryetar i komunës jugore të Rahovecit, ka mbajtur fjalime dhe ka vendosur kurora në vendet e të paktën pesë masakrave në komunën e tij.
“Personalisht, kam marrë pjesë në përkujtimoret e 21-vjetorit të masakrave në Pastasel, Belacerkë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Celinë dhe Opterushë. Edhe në këto kohë të vështira të shkaktuara nga pandemia, bëra nderimet dhe homazhet e mia për ata që kanë rënë gjatë luftës, sidomos civilët”, tha Latifi për BIRN.
Latifi tha se edhe pse kishte mbajtur fjalime, kishte pasur shumë pak njerëz të pranishëm për ta dëgjuar atë. “Ishin vetëm kryetarët e fshatrave dhe familjarë të viktimave”, konfirmoi ai.
“Nuk organizova tubime apo thirrje për përkujtimore masive. Mendoj se kam respektuar rregullat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës. Ne kemi mbajtur distancë dhe shumica nga ne kishim maska. Në përgjithësi, ka qenë një homazh i zbehtë, pavarësisht faktit që kam parë që dhimbja e familjeve ishte e njëjtë”, tha Latifi.
Ndërsa përpiqet të frenojë përhapjen e koronavirusit, qeveria e Kosovës ka vendosur kufizime në lëvizje dhe ka bërë thirrje të përsëritura që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.
Por pavarësisht kësaj, Latifi, një ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, planifikon të vazhdojë të bëjë nderime në përvjetorët e vrasjeve të kryera në pranverën e vitit 1999.
“Gjatë kësaj kohe të vështirë kam bërë edhe vetë një shaka. Them se nuk ka arsye për t’i pasur frikë përkujtimoret sepse virusi nuk vjen nga të rënët”, tha Latifi.
Ndërsa anëtarët e familjes dhe zyrtarët përkujtojnë në rrjetet sociale, Latifi tha se mbetet e rëndësishme që të vdekurit të nderohen personalisht. “Është detyra jonë jo vetëm që t’i respektojmë, por të mos harrojmë atë që ka ndodhur këtu”, tha ai.
Shaqir Aruqi nga Rezalla vendosi të shkojë vetë këtë vit në varrezat e fshatit për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së dy vëllezërve të tij.
Jahe dhe Isufi, eshtrat e të cilëve u gjetën në vitin 2015 në një varr masiv në Rashkë të Serbisë, ishin ndër 98 shqiptarët etnikë të vrarë më 5 prill 1999 në fshat.
“Shkova i vetëm dhe vendosa lule në varret e tyre”, tha Aruqi për BIRN.
“Kujtimi dhe dhimbja ishte akoma e freskët dhe ndihej njësoj.”