• Today is: Thursday, April 25, 2024

Doli nga shtypi libri me kumtesa Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri

fakti
May20/ 2021

(“Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”, kumtesa të simpoziumit shkencor, mbajtur më 8.9.2018, botues In­st­it­u­ti Albanologjik i Pri­sh­tinës dhe shoqata “Ko­so­va për Sa­n­xha­kun’’, kryeredaktor dhe përgatitja për shtyp prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, Pri­sh­tinë, 2020)

Simpoziumi shkencor “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”, mbajtur më 8.9.2018, në In­st­it­u­tin Albanologjik të Pri­sh­tinës, tuboi studiues nga shumë vi­se e, ndër to, edhe nga Italia e Po­lo­n­ia, dy epikologë të njohur, prof. dr. Ni­kolla Ska­ll­da­feri (Nicola Scaldaferrit) dhe prof. dr. Rigels Halili. Redaksia i ka renditur kumtesat për botim si­pas këtyre fushave: hi­s­to­ri, gjuhësi, hu­lu­mtime kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe në Universitetin e Harvardit, pasqyrime të hulumtimeve kërkimore-shkencore të do­rë­shkri­meve të epi­kës gojore shqiptare në fondet arkivore të Harvardit, si dhe të tjera.

Ky vëllim hapet me kumtesën nga fusha e historisë, mbajtur nga ma. Ismet Azi­zi, Sa­n­xha­ku i Pazarit të Ri në fokusin e historisë”. Autori thekson që në fillim se Sanxhaku gjendet në qe­n­dër të Ga­di­shullit Ballkanik dhe ka pozitë ja­sh­të­­zakonisht të mirë gjeografike dhe gjeo­stra­te­gji­ke. Sanxhaku, ose sak­të­sisht Sanxhaku i Pazarit, ka popullsi shqip­ta­re dhe shqiptare të bosh­nja­ki­z­u­ar, si dhe një pa­ki­cë të po­pullsisë sllave. Popullsia shumicë ka tradita të tra­­shë­guara nga lashtësia ili­re-arbër­ore: të folmen, vesh­jen, doket, ritet, mitet, festat e motmotit, lojë­rat, vallet këngët ku ve­ço­hen këngët e Eposit të Kreshnikëve dhe lahuta, që tashmë janë të njohura për opinionin botëror. Sanxhaku, vazhdon ai, sot u takon dy shteteve, Serbisë dhe Malit të Zi, i cili, në vitin 1790, ishte në kuadër të Vilajetit të Ko­sovës. Sipas studiuesit Ejup Mu­sho­viq, pohon autori, ky rajon që nga lashtësia ka qenë i banuar nga ilirët. Pas gjendjes së krijuar, Sanxhaku, që nga viti 1913, mbeti i ndarë nga Kosova. San­xha­kasit, edhe pse të pushtuar nga Italia dhe Gjermania gjatë Lu­ftës së Dytë Bo­tërore, këtë kohë e përjetuan si çlirim, duke shpre­suar se do t’i bashkohen Shqipërisë etnike, përfundon ai.

U botua libri “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri” | KRYELAJMI

Nga fusha e gjuhësisë pason kumtesa e prof. dr. Rexhep Doçit, nga Ins­tituti Al­banologjik i Pri­sh­tinës, ndër studiuesit tanë më të dalluar në fu­sh­ën e onomastikës, “Onomastika shqiptare – bos­h­nja­ke e Sanxhakut të Pazarit të Ri, sipas këngëve të Koleksionit të Millmen Perit në Universitetin e Harvardit”.  Këngët popullore të trimërisë së her­sh­me të Koleksionit të M. Perit nga ana e Sanxhakut të Pazarit të Ri, the­kson ai, shihet se janë këngë shqipe të kënduara nga lahutarë shqiptarë të atij krahu dhe janë për­k­thyer në serbisht. Në këto këngë të përkthyera janë për­dorur kryesisht trajtat shqipe. To­po­nimet e atje­shme ilire janë dëshmi e vijimsisë shqiptare në ato vise, kurse për ru­ajtjen e emrit ilir Te­utë, oi­ko­nimi i sotëm Tutin dëshmon për një fortifikatë të atyshme. Por, gjendja e so­tme, thotë ai, dë­shmon se shumica e katundeve shqiptare të Rra­f­sh­naltës së Peshterit janë shko­mbëtarizuar, sido­mos në këto njëqind vjetët e fundit, duke e humbur gjuhën e vet. Autori e mbyll këtë kumtesë me pohimin se po­pullit shqiptar është populli më i moçëm evropian me prej­ar­dhje pellazge-ilire-thra­kase, prejardhje kjo për të cilën ai ka shkruar 10 vepra shkencore onomastike-gjuhësore-historike.

Kumtesa vijuese është e prof. dr. Rigels Halilit, epikolog nga Universiteti i Varshavës, i cili në fi­llim të këtij mijëvjeçari ka kryer hulumtime kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri, “Epi­ka heroike legjendare në Sanxhakun e Pazarit-një krahasim midis kërkimeve të Parry-it e Lord-it dhe gjendjes së sotme”. Sanxhaku, pohon autori, mund të quhet një nga laboratorët më të gjallë të traditës gojore të këngës epiko-heroike në Ballkan gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesi lokal Rexhep Shkri­­­jel (me origjinë nga fshati Boroshticë, i cili banohet tërësisht me popullatë me prejar­dhje nga fisi i Shkrelit) dhe disa mësues në Novi Pazar ishin të vetëdijshëm për ekzistencën dhe mjeshtërinë e Salih Ug­la­ninit, thotë ai. Pos këngëtarit Smaka Bibiq, shembull i gjallë i vazhdimësisë së dygjuhësisë shqiptaro-boshnjake në Peshter, autori përmend edhe lahutarin Remo Gorçeviq (Gorçaj), por, mund të thuhet se tradita gojore sot në Sanxhak po shkon drejt humbjes tërësore, thotë autori, për shkak të ndryshimeve të strukturës shoqërore, migracionit masiv të brendshëm dhe të jashtëm, të ndryshimeve modernizuese, sidomos zhvillimit të sistemit shkollor të kontrolluar nga instanca shtetërore dhe mungesës së kujdesit të institucioneve kulturore për traditën e këngës së lahutës.

Doli nga shtypi libri “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri” – Dardania  Press

Kumtesa tjetër e hulumtimeve kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri, në fillim të këtij mi­jëvjeçari, është edhe ajo e dr. Harun Crno­ver­shaninit, “Lahutarët e njohur të San­xh­a­kut, me vështrim të posaçëm për lahutarin Xhemajl Arnautoviqi (1925-2017)”. – Me zgjimin e ndër­gjegjes ko­m­bë­tare të bo­sh­nja­këve në mes të shekullit XIX, u shfaq një valë e ve­p­ri­m­ta­risë kulturore të la­hu­tarëve në for­mën e kri­jimeve epike nga Sanxhaku, e më i famshmi ndër ta ishte Qorr Hysi (Qor Huso Husoviq), nga Kolashini, thotë autori. Pas Luftës së Dytë Botërore, secila komunë e Sanxhakut kishte dhjetëra la­hu­tarë të shkëlqyeshëm. Ai shkruan edhe për një lahutar të Sa­n­xha­kut, Xhemail Arnautoviq, i lindur në vitin 1925 në fshatin Milijesh të Pribojit, që kishte  botuar 11 li­bra dhe kishte shkruar 25 000 vargje, kurse boshnjakët në Suedi e kanë quajtur “Kalorës dhe Hero nga Sanxhaku i zemëruar”. Në vitet 1962-1965, ai kishte mbledhur emrat e të vrarëve gjatë gjenocidit çetnik në Luftën e Dytë Botërore. Kështu, gjatë hu­lu­mtimit të hollë­si­shëm, Xhemajl Arnautoviqi kishte mbledhur emrat dhe mbiemrat e 2 473 viktimave bosh­nja­ke, përfundon autori.

Kumtesa e studiuesit arbëresh prof. dr. Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferri) nga Uni­versiteti i Milanos është re­zu­ltat i hulumtimit të tij kërkimor-shkencor në fondet arkivore të Uni­ver­si­te­tin të Harvardit, Ko­leksioni i Letërsisë Gojore të Millmen Perit (Milman Pa­rry). “Muji dhe Gavran Kapetani”, nga Salih Ugljanini (Salih Uglla). Vërejtje për performancën mu­zikore”: – Millmen Peri kishte pro­jektin pa­ra­prak, ku ende nuk përmendej epika shqiptare, e pastaj materialet e tij përfshijnë një korpus epik me më shu­më se 100 këngë e me mbi 22 000 vargje, që u përkisnin repertorëve të rreth dyzet kën­gë­tarëve, thotë autori. Aty kemi regjistrimin e parë të një kënge të tërë epike shqiptare dhe këngën më të gjatë shqi­pe, të dyja të pabotuara. E para është “Muji dhe Gavran Kapetani”, e kënduar nga Sa­lih Uglla, ndërsa e dyta është “Sirotin Alia, me 2163 vargje, e diktuar nga Adem Brahimi. Kë­ngë­­tari Salih Uglla, një nga fi­gu­rat qendrore të brezit të tij të këngëtarëve, deri në moshën tri­dhjetë vjeç këndoi ve­tëm në gjuhën shqipe. Në këngën “Muji dhe Gavran Kapetani”, me 236 va­rgje, Sa­lih Uglla përdor ve­tëm tre melodi të shkurtra (ose, më saktë, modele melodike), secila prej të cilave ka pozicionin dhe fu­nk­sionin e vet të saktë, pohon ai. Këngët boshnjake të Sa­lihit ofruan elementë të rëndësishëm për zhvillimin e Teorisë së Fo­rm­ulës. Ai ishte i njohur për studiues, si Matija Murko dhe Alois Schmaus. Rasti i tij është shumë interesant dhe tregon se sa të ndërlikuara ishin lidhjet etnike dhe kulturore në atë zonë në atë kohë, përfundon autori.

Edhe kumtesa e profesorit të folkloristikës dhe studiuesit të Institutit Al­ba­­no­logjik të Pri­sh­tinës, prof. dr. Zymer U. Neziri, “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri në Koleksionin e Millmen Perit”, është po ashtu rezultat i kërkimeve të tij në Harvard, në Koleksionin e Letërsisë Gojore të Mill­men Perit (Milman Pa­rry): – Projekti i M. Perit (Milman Parry) është har­tuar më 1933 dhe, në kuadër të tij, është rea­li­z­u­ar edhe poezia popullore gojore shqiptare, nga lahutarët shqiptarë në Sanxhak të Pa­za­rit: Salih Uglla, Avdo ose Avdullah Fer­i­zi, Sulejman Makaj, Ali Fulani, Xhemajl Zogaj, Shaban Nu­hoxha, si dhe Fatime Arifi, Et­h­em Ha­sa­ni dhe Hamdi Mutari. Dy më të mirët ishin Salih Uglla e Av­do (Av­du­llah) Fe­­r­i­zi dhe ko­nsiderohen ndër Ho­­m­e­rët e fundit në Ev­ropë. Dëshmitë se lahutarët shqi­p­­tarë dy­gju­hë­sorë nuk ja­në sllavë, duhet pranuar, pra: deklarimi i tyre për përkatësinë etnike shqiptare, plisi i bardhë shqiptar, mbiemri pa pra­pash­te­sën bo­sh­njake – viq, leksiku shqip në kë­ngët bosh­nja­kisht dhe sin­ta­ksa e përm­by­sur bo­sh­nja­ke, prandaj duhet të rishikohet edhe emërtimi i Ko­leksionit. A. Llordi solli edhe dëshmi shumë të rëndësishme në Harvard se këngët e kreshnikëve i kë­nd­ojnë njësoj la­hu­tarët shqiptarë të dy besimeve, ndërsa Ko­le­k­si­oni i Perit mbetet krye­ve­për arkivore e eposeve he­ro­ike të Ball­ka­­nit dhe renditet ndër kry­e­ve­prat ar­ki­­vo­­­re bo­tër­o­re të letërsisë gojore.

Në kreun Pasqyrime është renditur kumtesa e studiuesit dhe e kandidatit doktor i shkencave të filologjisë, mr. Fitim Veliu, për hulumtimet kërkimore-shkencore të dorëshkrimeve të epikës go­jo­re shqiptare në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit: “Kryelahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, Salih Uglla dhe Avdullah Ferizi, në studimet e deritashme të profesor Zymer Ne­zi­rit në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit”: – Në këtë kumtesë për studimet e deritashme të Zymer Nezirit, autori flet për punën e tij kërkimore-shkencore në fondet arkivore të Universitetit të Harv­ar­dit, në vitet 2002, 2007 e në vijimësi. Ajo, pohon ai, ka si esencë trajtimin poetik të këngës epike në studimet e tij, në një rend substancial të kërkimit të këngëtarit, këngës dhe dëgjuesit (lexuesit), pra një trinom që shënjon poetikën teorike dhe retorikën pragmatike, dy fusha të dijes që Z. Neziri suksesshëm i inko­r­poron në tekstet e tij, për ta dhënë eposin si dije e dëshmi dhe, në fund, si bindje, pra, retorikë të argu­mentuar. Punimi i tij he­t­on këtë idiomatikë në studimet e Z. Nezirit, në relacionin tri­no­m­ik këngë, kën­gë­tar dhe lexues, që, sipas tij, ja­në shenja themelore të epopesë si zhanër.

Në kreun Të tjera, Redaksia ka renditur dy kumtesa të mbajtura në këtë si­m­­pozium shke­ncor për lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri. E para ka të bëjë me shqyrtimin paralel të baladës bo­shnjake të vëllezërve Moriqi me vë­­lle­zërit Kastrati të Malësisë së Madhe, ndërsa ku­m­te­sa e dytë është një pa­raqitje e jetës dhe e repertorit të lahutarit të kra­hi­në­s së Hasit, Jemin Zeneli. Kumtesa e profe­so­rit dhe stu­diuesit të njohur të folkloristikës në Institutin Al­ba­­no­logjik të Prishtinës, prof. dr. Adem Ze­jnullahu, është “Tragjika e vëllezërve Kastrati dhe vë­ll­e­­­zërve Mo­ri­qi në dy balada historike”. – Ba­la­da shqi­p­ta­re e vëllezërve Kastrati dhe balada bo­sh­nj­a­ke e vëll­ez­ërve Moriqi, në rrafshin semantik, info­rma­tiv e artistik janë krijime poetike që kanë pi­kë­takime të shumta, por kanë edhe karakteristika të ve­ça­nta kombëtare të shtresimeve të ndry­shme etno­psikologjike, ambientore, të cilat, po ashtu, i shqu­ajnë për disa veçori të theksuara, thotë autori. Te kënga shqipe, motra, duke u hakmarrë, shëron një plagë, por hap një tjetër të pashëruar për tërë jetën e saj. Në baladën boshnjake, nëna i kërcënohet Di­z­dar agës se do të hakmerret ndaj tij dhe Sulltanit. Kënga shqipta­re e vëllezërve Kastrati dhe balada bo­sh­nja­ke e vëllezërve Mo­riqi kanë lindur dhe janë zhvilluar pavarësisht nga njëra-tjetra në kohë e hapësira të ndry­shme, por në rrethana të caktuara shoqërore, ekonomike, nacionale, sociale, politike, kulturologjike e historike, përfundon autori.

Mbledhësi i dalluar i folklorit shqiptar dhe botuesi i tij, sidomos i epikës heroike legjendare, studiues i njohur i disa fushave të albanologjisë, prof. asoc. dr. Shefqet Hoxha, ka këtë kumtesë për raps­o­din e Eposit të Kresh­ni­këve, Jemin Zeneli: “Jemin Zeneli (Ukperaj), bartës i njohur i Eposit të Kreshnikëve të Hasit. – Krahinat e Kukësit (Lumë, Has, Malzi, Fand) ruajnë tradita të pasura folk­lo­rike, në mes tyre edhe Eposin e Kreshnikëve, i cili ka qenë më i pasur në kra­hi­n­ën e Hasit, thotë autori. Në këtë krahinë, si vegël muzikore përdorej edhe lahuta, me të cilën rapsodët sho­që­ro­nin këngët e ciklit të Mu­jit dhe Halilit. Jemin Zeneli, Ukperaj, është bartësi më i njohur (ndoshta jo më cilësori, por me një re­pertor të gjerë) në Hasin e Brijës, në gjysmën e dytë të shek. XX, pohon ai, që nuk dinte të lexonte dhe të shkruante, por që zotëronte talent natyral, mençuri, kujtesë të fortë dhe ndjeshmëri delikate. Ai ishte ndër këngëtarët e njohur në Has, nga i cili ka mbledhur dhjetëra këngë historike dhe këngë të Eposit të Kreshnikëve. Prej tij, autori ka shënuar dhe botuar 14 këngë të Eposit të kre­sh­nikëve dhe 28 këngë historike.

Ky libër, i hartuar sipas standardve shkencore, me rezyme edhe boshnjakisht e anglisht, është ndi­h­mesë e vogël për krahinën e Sanxhakut të Pazarit të Ri, dikur pjesë e Kosovës, e sot i ndarë dysh ndër­mjet Serbisë dhe Malit të Zi. Ba­no­rët e tij janë për­­­­f­shi­rë në projekte shtetërore edhe për zhve­ndo­sje në Turqi, sidomos në kohën e Kralit, kur këtu bënin kër­kime për Eposin e Kreshnikëve stu­diu­esit e Uni­ver­sitetit të Harvardit dhe ku, për fat të mirë, ta­ko­jnë Homerët e fundit të Evropës. Traj­­timi i keq ndaj këtyre banorëve ka vazhduar edhe në ko­hën e Titos, prandaj sot jetojnë të zhve­ndo­sur në vende të ndryshme, një pjesë e madhe e tyre në Tur­qi, në Ev­ro­pën Perëndimore e gje­tiu. Ky libër, besoj se sa­dopak do t’u ndi­h­m­o­jë të gji­thë­ve që ta njohin të kaluarën e vet të la­vdi­sh­me të etno­kulturës, që ruhet në fondet ar­kivore të Uni­ver­site­tit të Har­vardit.