• Today is: Wednesday, April 24, 2024

MIJALKOVI IKU, APO E FSHEHËN?!

fakti
February22/ 2021

Ndodhi ajo që pritej. Ish-kreu i shërbimit sekret të Maqedonisë, Sasho Mijalkov është arratisur. Dje autoritetet lëshuan një fletë-arresti duke iu trembur faktit që Mijalkov mund të arratisej pak orë para dhënies së vendimit. Sot në ora 18:00 disa aktivist nga organizata joqeveritare “Mos u bëj plehrë” do të protestojnë kundër, sipas tyre, shtetit të kapur dhe lejimit të ikjes të ish shefit të Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov.

 

Shkup, 22 shkurt/ Gazeta FAKTI – Gjatë kontrollit që është bërë, ai nuk është gjetur askund duke u zhdukur pa gjurmë. Kjo ka sjellë reagimin e fortë të partive në Maqedoni, teksa opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit, Zaev.

Por, si u zhduk ish-drejtori i DSK-së para syve të policisë? Prokurorët Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov të premten informuan Ministrinë e Brendshme se gjykimi ka mbaruar dhe se ka ngelur vetëm shqiptimi i vendimit. Pas informacioneve se mund të arratisej prokuroria lëshoi fletë arrestin.

Deri në orën 18:45 pasditen e djeshme, prokuroria ka pasur informata se Mijallkov nuk ka ikur, shkruan Alsat. Por pas orës 21:47 është zhdukur. Prokuroria dyshon se Mijallkov kishte ndihmës dhe e dinte se ndaj tij kishte masë paraburgimi dhe se ai po ndiqet nga policia. Procesi gjyqësor për “Target-Fortesa” ku ai akuzohet ka filluar me 22 dhjetor të vitit 2017 dhe tani pritej vendimi.

Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi që policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”

Reagimet….

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka ftuar institucionet që të ndërmarrin të gjitha masat, me qëllim që ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundëzbulim, Sasho Mijallkov të paraburgoset.

“Këto raste janë të papranueshme për vendin i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe e cila me mund punon në reformimin e sistemit gjyqësor dhe ndërtimin e besimit për shtetin e së drejtës”, tha Pendarovski mes të tjerash në reagimin e tij.

Sipas tij, rasti i Mijallkovit i diskrediton të gjitha përpjekjet për luftim të krimit dhe korrupsionit të lartë, dhe ka bërë thirrje që institucionet gjithashtu ta hetojnë rastin, dhe nëse konstatohet lëshime, të kërkohet përgjegjësi.

Ndaj rastit të mosgjejtes së të akuzuarit në rastin “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov, ka reaguar lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Sipas tij  Mijallkovi ka ikur duke u ndihmuar nga politikanët, dhe ikja e tij është politike, ashtu siç janë reformat në drejtësi.

“Mos keni asnjë dilemë, reforma çdoherë është vetëm politike e tillë është edhe ikja e Mijallkovit sot me përkrahje nga politikanët, dosta të vjetër e të ri të qeverisë. Prandaj, politikisht Zoran Zaev duhet të mbaj përgjegjësi dhe të jap dorëheqje. Po njëjtë dhe akoma me zëshëm se dje, POSHTË REGJIMI!”, ka thënë mes tjerash Sela.

Ai me këtë rast, vlerëson se nuk ka kuptim që reformat në drejtësi të bëhen nga koalicioni qeverisës, pasi sipas tij, kjo mundëson të mbahet gjallë regjimi i djeshëm.

“Asnjë kuptim nuk ka që reformën dhe sidomos atë në drejtësi ta bëjnë grupet pjesë të koalicionit politik që e ndërtuan një regjim dje dhe që po e mbajnë gjallë akoma sot. Lista vetëm se është zgjeruar. Nikollës dhe Aliut, Sashos dhe Agimit, i është shtuar Zaevi dhe Oliveri. Reforma kurrë s’është një proces teknik ose më sakt thënë, është fare pak teknik, ajo është një proces kryekëput politik”, shkruan më tej Sela, transmeton TV21.

Sipas tij janë të pabaza deklaratat e kryeministrit Zoran Zaev, se ikja ka ardhur për shkak të problemeve teknike, duke kujtuar rastin e arratisjes së ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili edhe sot gjendet në Budapest.

Nga ana tjetër, Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit tashmë ka hedhur dyshime se Mijallkovi është arratisur dhe se për këtë e kanë ndihmuar ndokush, pasi ka filluar procedura për shqiptim të masës së arrestit shtëpiak.

Familjarët merren në pyetje

Ndërkohë, siç mëson TV21, nga burime brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, familjarë të afërm të të akuzuarit në rastin “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov janë duke qëndruar në stacion policor.

Bashkëshortja, i biri dhe sigurimi Mijallkovit po merren në pyetje pasi ky i fundit nuk mund të kapet nga organet e rendit.

Thirrja në stacion policor ka për qëllim të sigurohen informacione se ku mund të jetë Mijallkovi, thonë nga MPB-ja për TV21.

Në stacionin policor “Beko”, vëllai i Sasho Mijallkovit, Vllatko ka përfunduar intervistimin.

Edhe pse u pyet disa herë nga gazetarët, se a ka pasur njohuri se vëllai i tij Sasho do të arratiset, Vllatko u përgjigj shkurt.

“Nuk jap deklaratë”.

A pati marrëveshje me Mijalkovin?

 

Aleksandar Nikolovski nga VMRO-DPMNE u shpreh: “Shpërblimi për këtë shkatërim të Maqedonisë nga ana e Zaevit arriti këtë fundjavë me mënyrën se si u mundësua ikja nga drejtësia. Edhe në këtë moment kemi të arratisur nga drejtësia. Oliver Spasovski po hesht, Radmila Sheqerinska nuk duket askund, kurse Zoran Zaevi shpre keqardhje dhe hedh fajin. Kanë 24 orë ta gjejnë të arratisurin. 24 orë, Zoran Zaevi, Oliver Spasovvski dhe të tjerët nga Qeveria ta nxjerrin të arratisurin para drejtësisë. Për atë që folëm gjatë viteve të kaluara, por edhe sot që e themi po konfirmohet, e kjo është se me Maqedoninë sundon koalicioni criminal, që cënon vlerat themelore, që cënon systemin e sundimit të së drejtës, jetën normale në Maqedoni, që ndikon ndaj biznesve dhe të njëjtat I zhvat. Me Maqedoninë – udhëheq krimi-koalicioni.

Kryeministri Zoran Zaev, sot deklaroi se nuk ka marrëveshje politike për arratisjen e ish shefit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, njofton Portalb.mk.

 

“Absolutisht nuk ka kurrfarë marrëveshje politike, fillimisht unë jam i lumtur që si pushtet ekzekutiv kemi siguruar kushte që në kohën pas regjimit është organizuar proces gjyqësor dhe pres që këtë javë ashtu siç është paralajmëruar të finalizohet dhe tanimë është paralajmëruar dënim, dhe sipas të gjitha gjasave ajo është arsyeja se pse nuk është mundur të gjendet personi Sasho Mijallkov në shtëpi. Pres që të ketë zgjidhje të plotë të rastit dhe pres që sa më shpejtë të lokalizohet dhe të vendoset në paraburgim shtëpiak”, tha Zaev.

Në pyetje gazetareske se si do të pritej përgjegjësi për arratisjen e Mijallkovit, kur nuk ka përgjegjësi as për arratisjen e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, Zaev porositi se pret hetim të plotë për atë nëse dikush ka qenë i përzier në zbatimin e vendimit për paraburgim.

“Nuk do të hyjë në detaje pasi që jam transparent por mund të prish hetim dhe do të del se unë jam hetues, prokuror, gjykatës dhe ngjashëm. Edhe njëherë do të them se populli ynë është i dëshpëruar dhe pres që të lokalizohet dhe gjendet që nëse do të dënohet ta mbajë dënimin. Pres detaje për atë se çfarë ka ndodhur, ku a qenë kur është zbatuar vendimi pse nuk është gjetur personi dhe ngjashëm. Në pajtueshmëri me atë, paralajmëroj përgjegjësi. Nëse do të jetë BSP, ASN, ministri, kryeministri dhe kushdo qoftë, nëse ka gabuar. Nëse ekziston përgjegjësi, do të kërkohet përgjegjësi nga kushdo qoftë”, tha Zaev.