• Today is: Saturday, April 20, 2024

DY RRUGË TË SHKUPIT, ME EMRAT E SEFEDIN NUREDINIT DHE FADIL BEKTESHIT

fakti
February20/ 2021

Tash  e tutje dy rrugë në Shkup do të stolisen me emrat e aktorit Sefedin Nuredinit dhe shkrimtarit Fadil Bekteshit, dhe ky është  detyrimi më adekuat moral e institucional ndaj tyre, sepse që të dy lanë gjurmë të çmuara në kulturën shqiptare

Shkup, 20 shkurt/ Gazeta FAKTI – Në Asamablenë e Qytetit të Shkupit kanë kaluar disa emra rrugësh, shesheh e urash që do të vendosen në territoin e kryeqytetit.
Në mesin e këtyre emrave ndodhet edhe aktori Sefedin Nuredini dhe shkrimtari Fadil Bekteshi, që të dy nga Kumanova, ndonëse qyteti i tyre i lindjes asgjë deri më tani nuk ka bërë në institucionalizimin e emrit dhe veprës së tyre.

Nëse është thënë se misioni i teatrit fillon pas përfundimit të një shfaqjeje, atëherë lirisht mund të themi se Sefedin Nuredini është misioni që vazhdon të rrezatoj modelin e elegancës së interpretimit skenik dhe fisnikërimin e jetës kulturore me një arketip modern që si formim nuk e kishte vetëm teatrin, por edhe letërsinë, pas që Sefa ishte edhe një krijues i talentuar i prozës dhe dramatizimit skenik. Shpirti i tij elitar vazhdon të na frymëzoj edhe sot

Teatri në Shkup, ku ai e kaloi gjithë jetën, u bë streha më e ngrohtë e gjithë krijuesve, gazetarëve, artistëve dhe Sefa, me miqësinë që iu falte njerëzve, ishte ai që e krijonte këtë ngrohtësi me buzëqeshjen e tij karakteristike, me batutat  dhe me disa nga karakterert që ai i kishte skalitur me mjeshtrinë e artisit të përkushuar në shfaqjet “Tom Soeri”, “Të shpëtoi shpresa”, “Hamleti”, “Varrtarët”, “Shiu në Uertomonto”, “Pahintikë në ëndër”, “Gof-i”, “Sauna”, “Përbindëshi”, Furka e mistershme”, “Varrezë automobilash”, “Rrëshqitza” etj.
Sefedin Nuredini lindi më 24 janar 1953, në Kumanovë dhe vdiq në Shkup, më   14 janar , 2017.

Ndërkaq shkrimtari Fadil Bekteshi, nga Llopati i Kumanovës, (lindi në Muhoc,  të Bujanocit – 1955, vdiq më 1998),  shkrimtar dhe gazetar i dikurshëm i Televizionit të Prishtinës, i cili në vitin 1982 u dëbua nga puna vetëm pse kishte zbatuar drejtshkrimin e gjuhës shqipe (në kohën kur e larguan nga puna kryente punën e lektorit), shquhet për vlera të pamohueshme në letrat shqipe, duke lënë disa vepra nga fusha e letërisës për fëmijë, për të rritur dhe në publicistikë.
Fadil Bekteshi i takon brezit të shkrimtarëve të viteve shtatëdhjetë që u artikulua me pjekuri krijuese në vitet tetëdhjetë, dhe bashkë me Nehas Sopajn, një përfaqësues tjetër emblematik i këtij krahut të letërsisë shqipe, ndikoi në emancipimin e atmosferës krijuese në rajonin e Kumanovës, dhe më gjerë, duke kontribuuar për shumë vite në zhvillimin e një jete aktive letrare, përmes manifestimeve, botimeve dhe aktiviteteve në kuadër të klubit letrar ‘Jehona e Karadakut’ dhe revistës ‘Doruntina’, e themeluar dhe drejtuar nga ai për shumë vite, që ishte dhe mbeti tribuna kryesore e përfaqësimit dinjitoz të vlerave letrare e krijuese nga ky rajon, por edhe më gjerë. Ai themeloi edhe  manifestimin kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”.
Ndër veprat e tij shquhen ‘Balloni’ (tregime për fëmijë), ‘Filxhan i dashurisë’ (lirika për të rritur),  ‘Udhëtim nëpër skëterrë’ (ese dhe persiatje), “Na ishte njëherë një gjeneral” ( shkrime mbi teatrin e filmin).
Tash  e tutje dy rrugë në Shkup do të stolisen me emrat e këtyre dy artistëve-krijues dhe ky është  detyrimi më adekuat ndaj tyre, duke institucionalizuar dhe memoruar  gjurmët që ata lanë në kulturën shqiptare.