• Today is: Thursday, April 18, 2024

Reuters: Turqia në vitin 2023 synon të arrijë në Hënë

fakti
February11/ 2021

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij ka zbuluar programin e saj kombëtar hapësinor, një udhëzues bazuar në qëllime realiste dhe konkurruese, raporton Anadolu Agency (AA)

Në takimin prezantues të mbajtur në Ankara, presidenti Erdoğan tha se “programi kombëtar hapësinor do ta çojë vendin në një ligë më të lartë në garën globale të hapësirës”.

Duke theksuar se programi u përgatit dhe do të realizohet nga Agjencia Hapësinore e Turqisë (TUA), Erdoğan tha se Turqia, e cila për shekuj me radhë hapi derën e drejtësisë, moralit dhe paqes, “po hap derën e civilizimit të saj drejt udhëtimin qiellor”.

“Misioni kryesor dhe më i rëndësishëm i programit është të arrijmë kontaktin e parë me Hënën në qindvjetorin e republikës sonë (2023)”, u shpreh Erdoğan.

Ai shtoi se vendi i tij do të grumbullojë aktivitetet e prodhimit satelitor nën një autoritet të vetëm.

Nën programin e saj hapësinor kombëtar, tha ai, Turqia synon të themelojë një sistem rajonal të pozicionimit dhe kohës. Ai po ashtu theksoi se Turqia po planifikon të themelojë një transport hapësinor duke siguruar qasje në hapësirë.

Një tjetër qëllim i programit, tha më tej presidenti turk, është rritja e konkurrencës së vendit në hapësirë, duke investuar në motin e hapësirës dhe në meteorologji.

Ai tha se sipas programit Turqia do të zhvillojë më tej ekonominë e industrisë së saj hapësinore.

Më tej, presidenti njoftoi se do të themelohet një Rajon i Zhvillimit të Teknologjisë Hapësinore për të mirëpritur investitorët vendas dhe ato të huaj.

Zbulohet logoja e Agjencisë Hapësinore të Turqisë (TUA)

Agjencia Hapësinore e Turqisë (TUA) zbuloi logon e saj të martën në një takim në kryeqytetin Ankara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Logoja u zbulua në Programin Kombëtar të Hapësirës të Turqisë me pjesëmarrjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrit të Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank.

Logoja përshkruan shkronjat TUA me të kuqe dhe me një prerje të yllit.

“Logoja TUA simbolizon një lëvizje të pandërprerë dhe vendimtare që shtrihet në të panjohurën dhe thellë në univers”, shkroi agjencia në Twitter.

“Karakteri i kësaj lëvizjeje shkon nga lexueshmëria funksionale e tipografisë perëndimore deri në kaligrafinë e kulturës antike të Lindjes me një frymë”, shton agjencia, duke theksuar se ylli përfaqëson flamurin turk.

Agjencia hapësinore u themelua në dhjetor të vitit 2018 me dekret presidencial.

Një  lajm që bëri bujë ndërkombëtare

Programi Kombëtar Hapësinor i Turqisë që u njoftua nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan gjeti një vend të gjerë në shtypin amerikan kryesisht nga agjencitë e lajmeve si Associated Press (AP) dhe Reuters, transmeton Anadolu Agency (AA).

AP e dha lajmin e saj me titull “Turqia njoftoi programin hapësinor që përfshin misionin në Hënë në vitin 2023” dhe me deklaratat e presidentit Erdoğan gjatë fjalimit në programin e zhvilluar në Ankara.

Në lajm u vlerësua se Programi Kombëtar Hapësinor i Turqisë shihet si “një pjesë e vizionit të Erdoğanit për ta vendosur Turqinë në një rol të zgjeruar global dhe rajonal”.

Në vitin 2018 Turqia formoi Agjencinë Hapësinore Turke (TUA) thuhet në lajmin në të cilin potencohet ideja se Programi Kombëtar Hapësinor do të ndikojë në hapjen e fushave të reja të punës për hulumtimet e shkencëtarëve dhe në uljen e largimit të “trurit” nga vendi.

Ndërsa edhe Reuters në lajmin me titull “Turqia në vitin 2023 synon të arrijë në Hënë” ka bërë një vlerësim për Programin Kombëtar Hapësinor të Turqisë të prezantuar nga presidenti Erdoğan.

Në lajm vihen në dukje 10 objektivat strategjike që Erdoğan përcaktoi në fjalën e tij në program, si dhe u nënvizua sateliti i ri Türksat 5A që Turqia lëshoi në hapësirë më 8 janar nga baza Cape Canaveral që ndodhet në Florida të SHBA-së.

Lajmet e AP-së dhe Reutersit lidhur me këtë temë u përdorën gjerësisht edhe në televizionet kombëtare dhe lokale si dhe në gazetat e SHBA-së.