• Today is: Thursday, March 28, 2024

FOTOSHOPI PARAZGJEDHOR I ANALISTËVE!

fakti
January12/ 2021

Fotoshopi parazgjedhor i analistëve nuk mund të na prezantohet si diskurs i ri i të menduarit politik, sepse askush nuk i merr seriozisht këto fizkultura të liderëve partiak të cilët kanë nevojë ta fshehin mungesën e rentabilitetit politik në kapotat e grisura nëpër studio televizive  të analistëve dhe figurave të ndryshme publike.  

Nga Emin AZEMI

Prurjet (frik e frik) parazgjedhore çfarë lidhje kanë me strategjitë e sukseshme elektorale të partive?
Kjo edhe po ndodhë aktualisht në Kosovë, kur po shohim emra të ndryshëm të jetës publike, të cilët po iu bashkëngjiten karvanit parazgjedhor të partive.

Dilema që vazhdon ta mundojë opinionin publik është: Pse partitë politike kujtohen se ka ndokund inetelektual vetëm në prag të zgjedhjeve dhe pse intelektualët pranojnë të luajnë rolin e fotoshopit për të korrigjuar imazhin e keq të partive politike?

Një parti serioze politike për çdo ditë të Zotit (jo vetëm në prag të zjedhjeve) duhet  të mishërojë në programin e saj ide e projekte që janë rezultat i konsultimeve e debateve të vazhdueshme intelektuale e shkencore brenda forumeve partiake.
A ka ndodhur kjo te ne?

Një parti serioze politike nuk angazhon analistë në prag të zgjedhjeve, sepse në këtë mënyrë tregon pafuqinë e konsistencës paraprake programore e doktrinare, e cila nuk mund të kompensohet me dy-tre emra analistësh, vetëm pak ditë para ‘ringut’ zgjedhor,  qofshin ata edhe ‘tarzanat’ më të mëdhenj të mendimit publik!
Pse ndodhë kjo te ne?

Mund të shtrohen edhe shumë pyetje të tjera, por njerëzit kanë shumë nevojë për një përgjigje që shuan dilemën kruciale: Për çka shërben te ne politika?

Nëse analistët futen nëpër parti politike për të rregulluar imazhin e degraduar të tyre dhe për të bërë argatin e radhës, nga kjo nuk ka kurrfarë hajri politika dhe shoqëria, përveç individëve të cilët angazhimet e tyre i valorizojnë edhe në parametra financiar, paçka se ata kanë mundur komod ta kryejnë punën e këshilltarëve të paguar prapa perdeve të zhvillimeve politike.

Nëse analistët pretendojnë se përfshirja e tyre në organizimin partiak vetëm disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, mund të ndikojë në ndryshimin e kursit politik të partisë ku ata aderojnë, kjo mund të jetë baras me një utopi shterpë, sepse deri më tani asnjëherë nuk ka ndodhur që të porsaardhurit e një partie të bëjnë çudira. Madje ka ndodhur e kundërta. Ata, posa të kenë përfunduar zgjedhjet, i kemi dëgjuar të ankohen për anashkalimet dhe degradimet që iu kanë bërë nga drejtuesit e partive dhe pahetueshëm janë shndërruar  nga tifozë të verbër në armiq të liderëve dhe kolegëve tjerë partiak.

Fotoshopi parazgjedhor i analistëve nuk mund të na prezantohet si diskurs i ri i të menduarit politik, sepse askush nuk i merr seriozisht këto fizkultura të liderëve partiak të cilët kanë nevojë ta fshehin mungesën e rentabilitetit politik në kapotat e grisura nëpër studio televizive  të analistëve dhe figurave të ndryshme publike.

Fundja, çdo njërin prej këtyre facave që tani po aderojnë nëpër parti politike, i kemi pa nëpër studio televizive teksa mundoheshin të na shesin dushk për gogla duke na i shitur pikëpamjet e tyre gjoja të pavarura si teza e qëndrime partiake. Pra, me fjalë të tjerat, analistët e tillë asgjë të re nuk po sjellin në skenën politike, por vetëm po ndikojnë në rrënimin e besimit të publikut tek analistë tjerë dhe për rrjedhojë mendimin publik po e varfërojnë dhe reduktojnë në suaza të ngushta të militantizmit partiak dhe asgjë më tepër.