• Today is: Wednesday, April 24, 2024

Jashaaaaaa me coronavirusin, rrezikun që mund të na kanoset !

fakti
July12/ 2020

Coronavirusi e bën “aventurën” aty ku njerëzit pinë, merren n’gryk, vallëzojnë në dasma e ahengje tjera. Ka tipa që thonë: Mue s’ma ndien për qeverinë, e mbaj dasmën…
Vëllait tim që erdhi nga Londra në Ferizaj i thash: Mos i merr n’gryk dostat, qysh e ke zakon, se mundesh me na batis… Vendasi im, dr. Lul Raka tërheq vërejtjen të mbahet distanca antivirus dhe t’i lajmë duart. Jo vetëm kriminologët por edhe mjekët e kanë devizën: Parandalimi nga e keqja është ilaçi më i mirë.


Nga Agim MUHAXHERI

I cakërronim gotat me mikun e kolegun tim, Dautin (Shehun), në verandën e kafes së Xhelës në Kaçanik, në mbrëmjen e së shtunës. Bënte vapë, fryente si prej furrës.

Flisnim për virusin kinez – Covid – 19 që ka kapluar botën.
Shprehëm dilemën: Në këtë kohë pandemie, të mbahen dasmat apo jo !
Si të mbahen dasmat, kur në restorante tubohen 300 – 400 vetë dhe s’dihet kush ha e kush pi… ! Si të mos frikësohesh kur ngrehet vallja, jashaaaaaa, kalle, kalle !
Ka tipa që thonë: Unë e mbaj dasmën, s’ma ndien për qeverinë !
Ja ndien, ja ndien – kur ta çojnë në “karantinën” e policisë dhe e bën sabah. Pastaj i thotë vetes: Jam në ëndërr a zgjëndërr.
Derisa pinim me Dautin, më thërret në viber vëllai Qazimi dhe më thotë se ka ardhë në Ferizaj nga Londra.
Këtij i them: O vëlla, mirë që ke ardhë, por ruaju nga coronavirusi. Mos i merr dostat n’gryk – qysh e ke zakon, se mundesh me na batis…
Vëllait i ra zhetoni, ia plasi gazit.
Aty rreth orës 21:00, bri rrugës – te kafja e Xheles ia behu makina e policisë. Polici i përshpëriti diçka padronit… Ky i fiku dritat, duke na lënë të kuptojme se erdhi vakti i fajronit…
Pas fajronit në qytet i shoh restorantet dhe kafiteritë e mbyllura… Njerëzit kishin dalë në sheti. Binte në sy makina e policisë.
Në një lajm të Indeksonline, të 10 korrikut lexoj: Edhe pse numri i rasteve me Covid – 19 veç po rritet, kosovarët nuk po i ndalin dasmat.. Në një video shihet teksa në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë – dasmorët vallëzonin…
Dhe lajmi tjetër: Sonte (10 korrik) janë konfirmuar 205 raste të reja… Gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 3 të infektuar me Covid – 19.
Vendasi im, mikrobiologu dr. Lul Raka tërheq vërejtjen:
Mbani distancën antivirus, maskat dhe lani duart.
Ai që s’i lanë duart, i lanë duart në spital.
Jo vetëm kriminologët por edhe mjekët e kanë devizën:
Parandalimi nga e keqja është ilaçi më i mirë.

Kaçanik,

12 korrik, 2020

Fotografia e Agim Muhaxheri

Fotografia e Agim Muhaxheri