• Today is: Thursday, March 28, 2024

Deputeti, individ apo robot?

fakti
June23/ 2020

Nëse mund të ankohemi që nuk kemi arritur t’i konkurrojmë Japonisë, bie fjala , në fushën e robotistikës, megjithatë kemi diçka që edhe Japonisë ia bëjmë 8 me 2, duke ricikluar në çdo katër vjet frymorë dykëmbësh, të cilët më tepër janë robot partiak, e më pak individualitete që vendosin sipas bindjeve të tyre

Nga Emin AZEMI – botues i Gazetës FAKTI

Deputetët i përfaqësojnë më tepër interesat e qytetarëve apo qëndrimet partiake? Është kjo një dilemë që hap një varg çështjesh që kanë të bëjnë me statusin e Parlamentit në demokraci dhe rolin e deputetit në forcimin e tempullit të demokracisë.
Në zgjedhjet e caktuara për 15 korrik, ku do të garojnë 15 subjekte politike dhe katër koalicione, qytetarëve iu servohet një listë e mbyllur kandidatësh të cilët ende mbajnë vulën e përshtatshmërisë partiake, para çdo virtyti tjetër profesional e njerëzor. Selektimi ndjek një model tash më të njohur, ku gjithsesi dominon preferenca politike-partiake, mbi çdo atribut tjetër që mund të kenë njerëzit e një shoqërie të gjerë, me diversitete aftësish e prirjesh nga më të ndryshmet.
Arsyeja pse votojnë njerëzit jo gjithmonë është ekuivalente me arsyen atyre që zgjidhen. Këta të fundit kanë interesa të përkohshme që i lidhin me bazën, por me kalimin e kohës ndodhë një tëhuajësim, transformim total dhe në fund të mandati e kemi vështirë ta dallojmë se cilin kemi votuar. E kemi vështirë ta dallojmë njeriun tonë të bazës, nga një njeri tjetër që është transformuar në aparatçik që fuqinë e mandatit politike përdor për të shëruar komplekset individuale dhe për të rehatuar njerëzit e afërm.
Por, kështu nuk është në demokracitë e zhvilluara. Nëse i bëni një vizitë, bie fjala, parlamentit anglez apo atij francez dhe i hidhni një sy arkivave të këtyre parlamenteve, do të vëreni emra të shquar të parlamentarizmit të këtyre vendeve, të cilët gjatë gjithë kohës kanë qenë simbole të përfaqësimit qytetar dhe interlokutorë të denjë të shoqërisë që u përkisnin.
Njohësit e parlamentarizmit këtu te ne thonë se modeli i tanishëm zgjedhor proporcional me lista të mbyllura shoqërohet me probleme sa i përket cilësisë së përfaqësimit të qytetarëve në Parlament. Ky model favorizon më tepër kandidat të dëgjueshëm të cilët janë përçues të ideve politike të shtabeve partiake, por ngulfat kreativitetin e njerëzve me individualitet moral e profesional. Si duket ende si shoqëri nuk jemi pjekur që të udhëhiqemi nga këta personalitete me individualitet, prandaj listat zgjedhore bëhen sa më të mbyllura për të penguar depërtimin e një gjenerate më të avancuar që kërkon dije, rregulla dhe rezultate konkrete.
Parlamenti i Maqedonisë mezi merr notë kaluese (2,6), sipas një sondazhi të realizuar nga ‘Cocietas Civilis’, ku mbi 70 për qind e qytetarëve mendojnë se të zgjedhurit e popullit çdo herë nisen nga interesat e tyre personale ose të partisë që përfaqësojnë.
Sipas këtij hulumtimi rezulton që mbi dy të tretat e qytetarëve janë të bindur se Parlamenti është i kontrolluar nga Qeveria, edhe përkundër faktit që sipas kompetencave kushtetuese është e paraparë e kundërta.
Nëse mund të ankohemi që nuk kemi arritur t’i konkurrojmë Japonisë, bie fjala , në fushën e robotistikës, megjithatë kemi diçka që edhe Japonisë ia bëjmë 8 me 2, duke ricikluar në çdo katër vjet frymorë dykëmbësh, të cilët më tepër janë robot partiak, e më pak individualitete që vendosin si iu thotë mendja dhe bindja e tyre.