• Today is: Thursday, April 25, 2024

Politika si ombrellë e (pa)diturive

fakti
June04/ 2020

Në Europë, Amerikë, Japoni, një ish-deputet a ish-ministër shumë komod i kthehet profesionit të tij të mëparshëm, qoftë si pedagog universiteti, qoftë si avokat, qoftë si inxhinier. Cilit profesion t’i kthehen këta tanët? Përveç disave që vërtetë me dije dhe mund kanë arritur në karrierë, të tjerët lirisht mund të kthehen në zanatin e vjetër të tredhjes së mickojave.

 

Nga Emin AZEMI, botues i Gazetës FAKTI

 

Në pesë ciklet e fundit zgjedhore në Maqedoni, zgjedhjet kanë qenë të parakohshme, përfshi edhe zgjedhjet e ardhshme, por shumë pak flitet se cilat do të jenë efektet e paskohshme të këtyre zgjedhjeve. Ata që e kanë zbuluar patentën e jetëgjatësisë në politikë, e kanë menduar mirë mekanizmin e funksionimit të pushtetmbajtjes, por kanë lënë pa përgjigje shumë pyetje e dilema. Bie fjala, a e kenë menduar ndonjëherë se po qese nuk zgjidhen deputetë këta që do të rikandidohen sërish, me çka do të merreshin në jetën e përditshme?
Në Europë, Amerikë, Japoni, një ish-deputet a ish-ministër shumë komod i kthehet profesionit të tij të mëparshëm, qoftë si pedagog universiteti, qoftë si avokat, qoftë si inxhinier. Cilit profesion t’i kthehen këta tanët? Përveç disave që vërtetë me dije dhe mund kanë arritur në karrierë, të tjerët lirisht mund të kthehen në zanatin e vjetër të tredhjes së mickojave. Ata “dinë” të bëjnë edhe politikë. Sepse vetëm te ne politika është kuptuar si profesion që mbulon të gjitha (pa)aftësitë e akumuluara në përroskat e margjinës së jetës sociale e kulturore. Vetëm te ne politika kuptohet si mbulim global i (pa)diturive parciale. Ata që do të rikandidohen sërish nuk kanë ndonjë profesion për të qenë, ama lezetin politikës ia dinë.
Pse? Kush ka kërku prej tyre përgjegjësi për mospërmbushje të obligimeve që dalin nga mandati i deputetit, ministrit, a drejtorit? Kush nga ta është shkarku në gjysëm të mandatit për mungesë perfomance? Cili prej tyre dha llogari për ndonjë projekt të premtuar elektoral, e që për iks arsye nuk është realizu?
Ata që do të rikandidohen, sigurisht do të jenë “rrush me mend”, sepse gjithë kohën e lirë e kalojnë duke meditu mbi ato që kanë lexu në fëmijëri. Kanë lexuar shumë, që nga koha e fëmijërisë kur i kishin obligim “Ujku te dentist”, “Si e humbi lepuri bishtin”, “Lugjet e verdha”, ose “Posta e porositun”. Pastaj janë frigu me lexu shumë që të mos ndikohen nga të tjerët. Ata duan të mbeten origjinal edhe në idiotësinë e tyre. E keni vërejt se kur flasin këta të “paprofesion” janë shumë origjinal, flasin me gjuhën që ata e kuptojnë. Ç’është e vërteta, të tjerët shumë pak e kuptojnë atë gjuhë, për atë arsye parapëlqejnë të mos mbajnë shumë takime me bazën.
Madje edhe kur mbajnë ndonjë takim protokollar, nuk marrin fare shënime, sepse “krejt në krye i kanë”. Ata në krye kanë aq sa të shkojnë deri në shtëpi, t’i tregojnë gruas se janë fotografu me një “jabanxhi” të rëndësishëm, dhe aq. Shumë rrallë ka ndodhur që dikush nga elektorati t’ua ketë pa hairin përfaqësuesve të tyre nga ato fotografime. Të shkëputur nga baza, politikën “e madhe” e dirigjojnë nga kabinetet, ani çka se projektet e shumta u “flenë” nëpër sirtarë.
Kjo  ndodhë për shkak se politika vazhdon të jetë si ombrellë e (pa)diturive