• Today is: Wednesday, April 24, 2024

Presidenti siguron “votën e artë” për qeverinë Hoti

fakti
June03/ 2020

Deputeti nga radhët e Nismës Social Demokrate, Haxhi Shala ka shpjeguar se pse ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me qeverinë Hoti.

Ai tha se qëndrimin e ndërroi pasi u takua me Presidentin e Kosovës dhe ish-kryeministrin (Ramush Haradinaj).

“Jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve këto ditë në Kosovë sidomos me rrëzimin e qeverisë dhe themelimin e qeverisë së re.Unë para dy dite kam deklaruar se nuk do ta votoj qeverinë Hoti për arsye të monopolizimit të partisë Nisma për Kosovën nga dy persona por mbrëmë me vizitën që kam pasur në familjen time të Presidentit dhe ish-kryeministrit, z. Haradinaj, kam ndërruar mendjen dhe vota ime do të jetë për këta dy persona për qeverinë Hoti”, tha Shala.

Kuvendi sot mbledhje të jashtëzakonshme ka zgjedhur Avdullah Hotin si kryeministër të ri të Kosovës.

Deputeti i LDK’së nga Gjilani nuk jep votën për Avdullah Hotin

Deputeti i LDK’së, Fatmir Rexhepi ka abstenuar në votimin e sotëm të qeverisë që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Në votim morën pjesë 86 deputetë, 61 deputetë votuan pro, 24 kundër dhe 1 abstenim nga deputeti nga Gjilani i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi.

Kabineti i ri i Avdullah Hotit do të ketë 16 ministri dhe 4 zëvendëskryeministra.

SHBA përshëndet votimin e qeverisë Hoti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur votimin e qeverisë së re të drejtuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

“Urime për formimin paqësor të qeverisë së re. Ne mezi presim që të punojmë me qeverinë Hoti për të vazhduar punën e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, përfshirë përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe luftimin e COVID-19”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë formimit të qeverisë së drejtuar nga LDK-ja, SHBA-ja kërkoi respektim të vendimit të gjykatës.

Kuvendi voton qeverinë e re

Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, mori 61 vota gjatë votimit në Kuvendin e Kosovës. 24 vota ishin kundër ndërsa ishte vetëm një abstenim.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 61 vota për, qeverinë e re të Kosovës të drejtuar nga Avduallah Hoti i LDK-së.

Kundër qeverisë së re kanë votuar 24 deputetë dhe një abtestim. Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja arritën marrëveshje për bashkëqeverisje, mirëpo koalicion u prish pasi kryeministri Albin Kurti shkarkoi ministrin e brendshëm, Agim Veliu.

Veseli: Qeveria e re do të jetë vazhdim i mashtrimit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë seancën e sotme se Vetëvendosje dhe LDK i mashtruan qytetarët e Kosovës duke ju ofruar shpresë e në anën tjetër për 100 ditë qeverisje degraduan çdo të arritur të shetit në 20 vite liri duke shkaktuar rrezik nacional për vendin.

Lideri i PDK-së tha se Albin Kurti po ikë prej vetes, jo prej të tjerëve, por e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe këtë, qytetarët do ta përjetojnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt, raporton Ekonomia Online.

“Dilemat që ka hapur brenda – me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore, me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë”, tha Veseli.

Ai tha se në këto 100 ditë, Kosova u qeveris nga një mendësi e paranojave, që shpik armiq në shtëpinë e vet, që shpik armiq në shtëpitë e miqve më të mirë të Kosovës.

“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi”, tha Veseli.

Ai tha se votimi që do të ndodhë sot është vazhdimësi mashtrimi dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë qeverinë e re. “Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet”, tha ai.

Haradinaj tregon si e bindi Haxhi Shalën ta votojë Qeverinë Hoti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur në lidhje me vizitën që i kishte bërë mbrëmë bashkë me presidentin Hashim Thaçi deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala. Deputeti Shala ka thënë se pas kësaj vizite ka vendosur të votojë pro formimit të Qeverisë Hoti.

Haradinaj tha se ai dhe presidenti kanë marrëdhënie miqësore me Shalën dhe pranoi se i ka kërkuar që të votojë këtë qeveri.

“Presidenti ka marrëdhënie miqësore të kahershme me Haxhi Shalën, ashtu kam dhe unë. Janë koincidenca këto. Unë i thashë që e qes votën në këtë Qeveri, pastaj e pyeta nëse më beson a e qet edhe ti…Ai më tha po”, tha Haradinaj.

Sipas tij, nga sot do të fillojë normaliteti në vend dhe shtoi se kjo Qeveria nuk është kundër askujt por është për Kosovën dhe për qytetarët e saj.