• Today is: Tuesday, April 16, 2024

Pse imitimi i Jugosllavisë së Titos prej Serbisë është i destinuar të dështojë

fakti
June03/ 2020

Neo-Jugosllavizmi i Serbisë,në fund të fundit, do të dështojë jo vetëm sepse, ndryshe nga Jugosllavia e Titos, nuk është një shtet me rëndësi të madhe apo një lojtar kryesor në skenën ndërkombëtare. Ajo do të dështojë parësisht sepse ndikimet e Rusisë dhe Kinës në mbarë Europën ka të ngjarë, që pas daljes nga pandemia,  të bien. 

 

Nga Janusz BUGAJSKI

Teksa SHBA dhe BE nxisin rifillimin e bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës, qeveria serbe po e shfaq veten si fuqinë më të rëndësishme të Ballkanit. Sidoqoftë, nëse Serbia vazhdon të zhvillojë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën,  imitimi i Jugosllavisë së Titos prej Beogradit është i destinuar  të dështojë.

Që nga rënia (prej pushtetit) e Millosheviçit njëzet vjet më parë, qeveritë pasuese në Beograd janë përpjekur të rrisin rëndësinë e Serbisë duke kopjuar politikën jugosllave të mos rreshtimit. Por, në përpjekjen për të mbajtur në ekuilibër (marrëdhëniet) me SHBA-në, BE-në, Rusinë dhe Kinën, Serbia rrezikon të përkeqësojë marrëdhëniet e saj me secilin prej (këtyre) partnerëve dhe të zhytet në izolim ndërkombëtar.

Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç gjysmës së Bosnje-Hercegovinës, i kanë zgjedhur pa mëdyshje aleancat e tyre gjeopolitike dhe destinacionet kombëtare: NATO dhe BE. Serbia mbetet e mbërthyer në një vorbull të kohës, në të cilën Rusia, Kina, Europa dhe Amerika konsiderohen si ekuivalente dhe zyrtarët qeveritarë janë përpjekur për (të fituar) avantazhe duke i vënë ato kundër njëri-tjetrit.

Kur përballet me shtetet e NATO-s, Serbia i tregon si më të pakta marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe Kinën dhe pretendon se zhvillon më shumë stërvitje ushtarake me Aleancën e Atlantikut të Veriut sesa me forcat ruse. Kur përballet me Moskën, Beogradi thekson se marrëdhëniet e tij me NATO-n si janë thjesht teknike dhe e portretizon Aleancën si agresor dhe Rusinë si një vëlla sllav e ortodoks dhe mbrojtës kombëtar.

Lidhjet me Moskën kanë vijuar të zgjerohen nën presidentin Aleksander Vuçiç, edhe kur përfaqësuesit e qeverisë pretendojnë se këto politika janë trashëguar nga administratat e mëparshme.  Me zyrtarët perëndimorë, Beogradi pretendon se ka frikë të kufizojë lidhjet me Rusinë për shkak të kundërshtimit të brendshëm nga grupet nacionaliste dhe kisha ortodokse, të cilët kërkojnë një aleancë strategjike më të afërt me Rusinë. Në të vërtetë, qeveria e Vuçiçit nuk përballet me asnjë kundërshtim politik të unifikuar a të fuqishëm dhe ka goditur çdo rezistencë ndaj politikave të saj.
Russia's Putin presents medal to Serbia's Vucic | N1 Srbija

Megjithë kundërshtinë e fortë të BE-së, nën (drejtimin e) Vuçiçit, Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euro-Aziatik të udhëhequr nga Moska. Kështu, ajo i është bashkuar një pjese të vogël të shteteve post-sovjetike që i qëndrojnë besnikë Moskës. Ajo ka refuzuar vazhdimisht t’i bashkohet regjimit të sanksioneve të vendosura kundër Rusisë për pushtimin dhe copëtimin e Ukrainës nga ana e saj. Dhe ajo ka blerë armatime të rënda nga Moska, përfshirë sistemet anti-avionë, pavarësisht paralajmërimeve për sanksione nga Shtetet e Bashkuara.

Beogradi vazhdon të zgjerojë “qendrën humanitare” në jug të Serbisë me shërbimet e inteligjencës së Rusisë, edhe pse nuk i ka ofruar asaj zyrtarisht statusin diplomatik. Qendra i mundëson inteligjencës ruse mbledhjen (e informcionit) nga të gjithë rajonet e Ballkanit. Në sferën ekonomike, Serbia i përmbahet me besim naftës dhe gazit rus. Pjesa e dytë e gazsjellësit Turk Stream të Gazprom do të kalojë përmes Serbisë, e cila është tashmë e varur nga Moska për gaz natyror dhe shumica e kompanisë së saj më të madhe të naftës, Naftna Industrija Srbije, është në pronësi të Gazprom.

Ashtu si Jugosllavia, Beogradi i manipulon lidhjet e tij me Moskën për të përfituar nga Brukseli dhe Uashingtoni. Duke kërcënuar Perëndimin me një kthesë më gjithëpërfshirëse drejt Lindjes, qeverisja e Vuçiçit kërkon lëshime nga BE dhe më shumë  tolerancë për kontrollin që partia në pushtet ushtron mbi institucionet shtetërore. Ajo gjithashtu kërkon të dobësojë shtetësinë e Kosovës si dhe kërkesat e BE-së për të “normalizuar” marrëdhëniet me Prishtinën.

Ndërsa tensionet mes Kinës dhe SHBA rriten në mënyrë dramatike, Beogradi gjithashtu vazhdon të kërkojë lidhje më të ngushta me Pekinin. Investimet dhe huatë e Kinës për Serbinë i lënë pas ata në të gjitha shtetet e tjera të Ballkanin dhe tashmë i tejkalojnë 9 miliardë dollarë. Kjo e ka rritur ndjeshëm borxhin e Serbisë ndaj Pekinit, e borxhet e larta ndaj kompanive të mbështetura nga shteti kinez shndërrohen në kapitale politike që do të garantojnë se, në arenën ndërkombëtare, Beogradi do ta mbështesë diplomatikisht Kinën.

Nëse qeveria e Vuçiç vazhdon politikën e saj pro-Kinë, edhe teksa tensionet midis SHBA-së dhe Kinës përshkallëzohen, atëherë ai rrezikon të largohet nga administrata Trump, në një kohë kur dëshiron të përdorë Shtëpinë e Bardhë për të eleminuar pavarësinë e Kosovës. Beogradi gjithashtu rrezikon rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE, meqë në daljen nga pandemia Brukseli ka të ngjarë të këmbëngulë për kufizim të ndikimit ekonomik të Pekinit në Europë, pasi tashmë e ka shpallur Kinën “rival të sistemit” dhe “konkurrent strategjik”.

Neo-Jugosllavizmi i Serbisë,në fund të fundit, do të dështojë jo vetëm sepse, ndryshe nga Jugosllavia e Titos, nuk është një shtet me rëndësi të madhe apo një lojtar kryesor në skenën ndërkombëtare. Ajo do të dështojë parësisht sepse ndikimet e Rusisë dhe Kinës në mbarë Europën ka të ngjarë, që pas daljes nga pandemia,  të bien. Nëse Serbia zgjedh që të mos rreshtohet me BE-në dhe NATO-n dhe të kualifikohet për anëtarësim në të dy organizatat, ajo do të lihet jashtë në të ftohtë.