• Today is: Wednesday, April 24, 2024

HILET E GJYKATËS KUSHTETUESE FAVORIZOJNË HASHIM THAÇIN

fakti
May31/ 2020

Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës specifikon se afati që ka kandidati për Kryeministër të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit është 15 ditë. Ndërsa në rast se ai nuk arrin të formojë shumicën parlamentare në Kuvend, atëherë presidenti emëron kandidatin tjetër të cilit i jep 10 ditë afat për ta formuar qeverinë.

Prishtinë, 31 maj/ Gazeta FAKTI – Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, për Zeri.info, deklaron se afati kaq i shkurtër i caktuar nga Gjykata mund të jetë ndikuar edhe nga fakti që të legjitimojë dekretin e Presidentit dhe të njëjtin mos ta shpallë kundërkushtetues.

“Përderisa, si precedent që mund të ndikojë dhe pengojë në të ardhmen lidhur me formimin e institucioneve, paraqet afati i shkurtër kohor prej 15 dhe 10 ditëve. Një afat sipas mendimit tim ka pasur për qëllim më shumë të legjitimojë veprimet e Presidentit sesa të rregullojë këtë fushë. Një afat i tillë do ishte në frymën e Kushtetutës sikur të mos kufizohej në afate aq të shkurtra por të caktohej një afat i arsyeshëm kohor që mund të ishte prej 30 deri në 60 ditë”, deklaron për Zeri.info, Miftaraj.

Publiku mund të ketë  dyshime

Ai ka bërë thirrje që të zbatohen në përpikëri vendimet e Gjykatës Kushtetuese nga aktorët politikë, përkundër se publiku ka dyshime lidhur me integritetin dhe kredibilitetin e kësaj gjykate, dhe e vë në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e saj.

“Veçanërisht, partitë politike dhe institucionet janë të obliguara të dëshmojnë lojalitet ndaj vendimeve të Gjykatës dhe të njëjtat në publik të mos i komentojnë dhe sulmojnë, qoftë gjykatën si institucion apo vet gjykatësit e kësaj gjykate. Çdo sulm ndaj Gjykatës dhe gjykatësve nga politika hyn në kuadër të ushtrimit të presionit dhe cenimit të mëtejshëm të pavarësisë dhe autoritetit të këtij institucioni. Përderisa vendimi i Gjykatës ka etabluar edhe më tej autoritetin dhe kompetencat e Kuvendit të Kosovës si institucion suprem që përfaqëson popullin dhe institucion që qëndron mbi Qeverinë dhe Presidentin”, përfundon deklaratën e tij, Miftaraj.

Isa Mustafa, lideri i partisë së dytë nga zgjedhjet e 6 tetorit, LDK-së, parti që tashmë e ka mundësinë të formojë Qeverinë e re, ka deklaruar se po presin vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të thirret seanca e Kuvendit dhe të votohet Qeveria.

Pas rrëzimit të qeverisë “Kurti”, dhe pasi presidenti i vendit deklaroi se nga letrat e shkëmbyera me subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të siguronte emrin e mandatarit të ri, kjo e drejtë iu dha LDK-së, e cila shpejt arriti koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe me subjektet politike joshumicë në Kuvend, me qëllim të formimit të qeverisë së re, duke e nominuar zëvendëskryeministrin e shkarkuar në Qeverinë “Kurti”, Avdullah Hotin, për mandatar.

Propozimin e LDK-ja e dekretoi Thaçi pasi iu dorëzuan 61 nënshkrime të nevojshme për votimin e qeverisë, por vendimi u dërgua në Kushtetuese nga LVV-ja për të vlerësuar kushtetutshmërinë e veprimit të Thaçit.

Gjykata, një muaj pas, e mbështeti dekretin e Thaçit.

Kushtetuesesja iu referua normës jorelevante

Gjykata Kushtetuese njëzëri ka vendosur që Dekreti i presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër “është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës”, dhe ka konstatuar që “votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës”.

Ndërkaq, me shumicë votash ka vendosur që “Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës”.

Shtatë nga nëntë gjyqtarët kanë konsideruar se mos-saktësimi i afateve në Kushtetutë përkitazi me propozimin e kandidatit të parë për Kryeministër nga partia politike ose koalicioni fitues nuk nënkupton diskrecionin dhe të drejtën e këtyre të fundit për të mos vepruar në afat të pakufizuar kohor. Sipas tyre, “fryma e Kushtetutës” reflekton qëllimin e qartë dhe të vetëkuptueshëm të nevojës për veprime të shpejta, shkruan KOHA Ditore.

Një ekspert kushtetues i angazhuar në këtë gjykatë i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se Gjykata i është referuar një norme jorelevante për afatin, kur ka vendosur në këtë rast.

Ai ka theksuar se sa i përket nenit 82 të Kushtetutës, Aktgjykimi është korrekt dhe brenda parametrave profesionalë të kontrollit të kushtetutshmërisë së një akti juridik.

Por, ka këmbëngulur se kjo nuk është kështu me nenin 95, meqë ka theksuar se Gjykata në mënyrë arbitrare ka thënë se objekt i çështjes ka qenë neni 95.4 i Kushtetutës. Ai vetëm thekson se “nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”.

“Ky paragraf ka të bëjë me rastet kur mandatari dështon për të marrë votat në Kuvend dhe këtu fare nuk kemi pasur të bëjmë me dështim të z. Kurti në rundin e parë. Ky absurd është përdorur përmes përdorimit të situatës së krijuar nga neni 95.5 të Kushtetutës. Në vend se Gjykata të interpretojë Dekretin në dritën e këtij paragrafi, ajo e ka bërë këtë në dritën e paragrafit 4 të nenit 95”, ka thënë ky ekspert, i angazhuar në Kushtetuese. “Këtë e ka bërë për ta shpallur si kushtetues dekretin e Presidentit, sepse po ta kishte bërë siç duhet dhe siç kërkohet me nenin 95.5, atëherë do të ishte dashur të gjejë dekretin si jokushtetues”.

Për ta mbërritur këtë qëllim, Kushtetuesja është shërbyer me dokumente që u është kontestuar vërtetësia, shkruan Koha DITORE.