• Today is: Friday, April 19, 2024

Pasojat politike të Vendimit të Kushtetueses së Kosovës

fakti
May30/ 2020

Tashmë dihet nga të gjithë se qeveria e Albin Kurtit, u rrëzua që t’i lihet dorë të lirë Hashim Thaҫit për negociatat me Beogradin.

Por ky vendim i Kushtetueses, pikërisht në mënyrën e dhunshme ligjore që u hartua, nuk ka mundësi të prodhojë një ambient të qetë për të nisur një proces dialogu, por do të mbjellë një klimë jo të sigurtë dhe pa stabilitet.

Kjo, që në krijimin e qeverisë së Abdullah Hotit e deri në legjitimitetin e saj.

Lëvizja Vetëvendosje pritet që të mbajë një qëndrim të ashpër politik, së bashku me grupin e Vjosa Osmanit, ambient i cili do të sjellë një polarizim të skajshëm të situatës.

Në radhë të dytë, negociatat për formimin e qeverisë së re, do të jenë një ferr i vërtetë, pasi pikërisht këtu do të dalin në skenë ambiciet e shfrenuara për pushtet të klaneve të klikës së vjetër.

Që sot, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në formimin e qeverisë së re, duke e shpallur veten në opozitë.

Ҫka matematikisht e bën qeverinë ndërmjet LDK-së, AAK-së dhe Nisma-s, plus Listën Serbe, të pamundur.

Kjo sepse pa votat e Pacollit, nuk mund të ngrihet një qeveri e re.

Në Kuvendin e Kosovës LDK ka 28 deputetë, AAK e Ramushit ka 13 dhe Nisma 6. Së bashku, ky koalicion bën vetëm 47 deputetë.

Për të bërë një mazhorancë qeverisëse, aleancës së re do t’i duhen 61 deputetë.

Nëse koalicioni i Isës me Ramushin e Limajn, merr edhe aprovimin e Listës Serbe, që ka 10 deputetë, atëherë bëhen 57.

Për të marrë votëbesimin, do të duhet që kjo mazhorancë e sajuar të “kalojë ylberin” duke marrë borxh deputetë nga PDK, e cila e ka shpallur vetën politikisht jashtë qeverisë.

Nëse Kadri Veseli, i shtyrë nga Thaҫi, e bën këtë, atëherë delegjitimon totalisht politikën e shpallur, duke jetësuar praktikisht koalicionin e vjetër qeverisës, ҫka e kthen Kosovën në një përplasje të vazhdueshme.

Si rrjedhim, ҫdo produkt që do të nxjerrë kjo qeveri, apo edhe Kuvendi i Kosovës, mbi të gjitha dialogu me Serbinë, do të jenë të pamundura të implementohen. Siҫ ndodhi me Asocacionin e Isa Mustafës pak vite më parë.

Pacolli e ka bërë deklaratën e tij për të rritur pazarin, në mënyrë që të marrë pushtet të madh në qeverinë e re, e sipas gjasave do të marrë sërish rolin e numrit dy të qeverisë, ҫka do ta ҫojë në një retrogradë zhvillimin politik në vend.

Dhe në këtë mënyrë, ndahet me thikë politika e Kosovës, ҫka i jep Vetëvendosjes, atributet e një rezistence të vetme ndaj klikës së vjetër.

Ndaj dhe zgjatja e ҫdo kompromisi apo qeverie të re, do të ketë sipas të gjitha skenareve, një termin të vogël.

Me shumë gjasa, në kohën kur të nisë dialogu, faktorë të rëndësishëm politik siҫ është Gjermania, e cila e ka renditur veten jashtë rolit për rrëzimin e Kurtit, do të jetë vendimtare për të ndërtuar një rol politik të Vetëvendosjes në dialog, duke ofruar një marrëveshje për të mëpastajshmen e politikës së Kosovës; që ҫon në zgjedhje të reja dhe fatin e Hashim Thaҫit.

Albin Kurti i ka dhënë mundësi lëvizjes së tij që të kërkojë, natyrisht së bashku me grupin e Vjosa Osmanit, një mandat të plotë politik në zgjedhjet e ardhshme, që sipas gjasave do të jenë maksimumi në fillim të vitit të ardhshëm, kur dhe mbaron mandati i Hashim Thaҫit si President i Republikës./Pamfleti