• Today is: Friday, March 29, 2024

Makbethët e krimit kulturor në zemër të Tiranës

fakti
May20/ 2020

Është për të vënë kujën kur dëgjon ata që morën këtë vendim makabër, se teatri rrezikonte të binte dhe o burra, i vumë fadromën. Sipas kësaj logjike, Notre-Dame në Paris, që është realisht duke rënë dhe paraqet rrezik publik, francezët më mirë ta rrezojnë dhe të ndërtojnë në vend të saj një kishë të re moderne e shumë më të rehatshme. Viktor Hugo, pikërisht veprën Notre Dame de Paris, e shkroi enkas për ta shpëtuar katedralen e famshme nga rrënimi dhe shkatërrimi për mungesë mirëmbajtjeje

 

Nga Genc BURIMI

Të shumtë janë shqiptarët që duhet të jenë zgjuar dje herët në mëngjes, me lajmin e trishtë të shkatërrimit të godinës së Teatrit Kombëtar gjate natës. Të shumtë janë ata që do ta kenë përjetuar fizikisht këtë lajm, sikur t’u kenë shkulur një organ vital nga trupi. Rrallëherë, vendi mund të ketë ndierë një traume të tillë kolektive. Sigurisht, e ushqen këtë ndjenje revolta ndaj pabesisë apo tradhtisë që mbart një akt i kryer tinëz, sikur pushteti të mishërohej nga një grup hajdutësh ordinerë nate. Ndjenjë revolte po ashtu, nga fakti që asgjë nuk i përmbajti fadromat dhe policët, as dhe prania e aktorëve në ndërtesë që mund të kishin vdekur brenda. Kjo vendosmëri barbare gjatë minutave të shkatërrimit u shoqërua në orët në vazhdim nga barbaria e akteve të dhunës ushtruar ndaj qytetarëve, duke të rikujtuar kohët më të errëta të represionit berishist më 1996 dhe 2011. Por përtej revoltës është pafuqia që mbizotëron ndaj asaj që iku e që s’do të mund të rikthehet më kurrë. Është një ndjenjë fatalizmi, veçanërisht sfilitëse, që vetëm humbja e pakthyeshme e objekteve të trashëgimisë kulturore ta krijon. Teatri që iku mund të konsiderohet ndoshta se nuk ishte një kryevepër monumentale. Por arkitekti i saj italian, Xhulio Berte, ishte referencë ndërkombëtare e arkitekturës moderniste të epokës dhe pikërisht pasi Tirana është ndoshta kryeqyteti i vetëm në Europë, në të cilin ka fare pak ndërtesa të vjetra me vlerë monumentale, aq sa ato mund t’i numërosh me gishtat e një dore, që shqiptarët nuk e kishin luksin të ndaheshin përjetë nga kjo godinë e veçantë e periudhës së paraluftës së Dyte Botërore futuriste për epokën.

Ndaj, debati që u instalua nga pushteti për të justifikuar të pajustifikueshmen ishte fals, i rremë, i pandershëm intelektualisht. Nuk bëhej fjala për të zëvendësuar një godinë të parehatshme me një godine luksoze, por thjesht dhe seriozisht, për të ruajtur me çdo kusht të vjetrën se ajo nuk ribëhet më. Dhe po të ishte nevoja të ngrihej një teatër i ri, modern, pse jo, por duke rrafshuar piramidën e ish-diktatorit pa asnjë vlerë të veçantë historike dhe arkitekturore. Është për të vënë kujën kur dëgjon ata që morën këtë vendim makabër, se teatri rrezikonte të binte dhe o burra, i vumë fadromën. Sipas kësaj logjike, Notre-Dame në Paris, që është realisht duke rënë dhe paraqet rrezik publik, francezët më mirë ta rrezojnë dhe të ndërtojnë në vend të saj një kishë të re moderne e shumë më të rehatshme. Sipas kësaj logjike të mbrapshtë, politikat e restaurimit nuk duhet të ekzistojnë, meqenëse e reja dhe modernia janë më komode. Edi Ramën nuk duhet ta gënjente mendja dhe ta kujtonte veten si të ishte prefekti Hausman i Napoleonit të 3-të, që vërtet rrafshoi disa ndërtesa mesjetare, por e bëri i detyruar për të hapur akse të gjera në kryeqytetin francez të gjysmës së dytë të shekullit të 19. Madje, ato shkatërrime që u ndërmorën asaj kohe nga Hausman në Paris, nuk mund të riprodhohen sot në qytetërimet e civilizuara, të cilat nuk tolerojnë më qe t’i vihet kazma së vjetrës për projekte urbane, kur ajo paraqet vlera historike, siç u shokuan së fundmi evropianët me rrafshimin e një pjese të Pekinit të vjetër nga autoritetet komuniste kineze për Lojërat Olimpike. I pari që e hapi dhe e përhapi këtë rrymë mendimi në Europë qe Viktor Hugo, pikërisht me veprën Notre Dame de Paris, që e shkroi enkas për ta shpëtuar katedralen e famshme nga rrënimi dhe shkatërrimi për mungesë mirëmbajtjeje. Dhe ishte ai roman pa ambicie botërore në fillim, që e shpëtoi kishën Notre Dame si thesar kulturor të njerëzimit, sepse autoritetet franceze që e shihnin si një kishë të pavlerë, të rrënuar e të qelbur të shekullit të 12, u ndërgjegjësuan në atë pike sa jo vetëm që e restauruan për herë të parë pas romanit të Hugoit, por nën ndikimin e shkrimtarit të famshëm krijuan listën e monumenteve që duheshin mbrojtur nga shteti, gjë që s’kishte ndodhur kurrë më parë. Pakkush e njeh parathënien e Hugoit në krye të romanit Notre Dame de Paris. Ai e titulloi: “Thirrje për të ruajtur monumentet e vjetra dhe për t’u frymëzuar bashkëkombësve dashurinë për trashëgiminë arkitekturore”. Atë thirrje, në të cilën Hugo tregonte me gisht barbarët, duhej ta kishim ngjitur në katër muret e Teatrit Kombëtar të Tiranës, si kryqe që u vihen para syve vampirëve pas mesnate. Pa asnjë garanci, megjithatë, se kjo do t’i zmbrapste fadromat e kuçedrave të Rilindjes. Ja çfarë u shkruante barbarëve të sotëm Viktor Hugo si Nostra Damus, gati 200 vjet më parë:

“Duhet ta ndalim kazmën që po i çrrënjos monumentet vendit. Do mjaftonte një mbrojtje me ligj, që ta ndalonim këtë çmenduri. Shkatërrimi i një ndërtese historike dhe monumentale nuk duhet t’u lejojë këtyre spekulatorëve maskarenj të udhëhiqen nga interesa financiare, në vend të nderit qytetar. Oh, njerëz batakçinj dhe mizerabël, kaq të mangët nga trutë sa as nuk e kuptoni që s’jeni gjë tjetër, veç barbarë. Ka dy gjëra më vete në një ndërtesë historike, vlera e saj për përdorim dhe bukuria e saj. Përdorimi i takon një grupi njerëzish, por bukuria i takon të gjithë bashkësisë, juve, mua, tjetrit, të gjithëve ne. Të prishësh ndërtesa të tilla është të tejkalosh të drejtat që ke, sepse bëhet fjala për një çështje interesi të përgjithshëm, bëhet fjala për interes kombëtar”.

Le t’i ndjekë pafundësisht ky tekst i gjigantit të literaturës franceze, Makbethët e krimit kulturor në zemër të Tiranës, ashtu siç do t’i ndjekë kudo nga pas hija e godinës së Teatrit, që nuk i bënte krim njeriu!