• Today is: Wednesday, April 24, 2024

WILSONI DHE GRIPI SPANJOLL

fakti
April28/ 2020

Në mbrëmjen e 3 prillit, 1919, në Paris, Presidentin Woodrow Wilson e zuri kolla; gjendja e tij u përkeqësua sa që kaloi në regjim shtrati, me temperaturë të lartë dhe pa fuqi për t’u ngritur. Sipas një raporti të fshehtë, të dërguar në mirëbesim Shtëpisë së Bardhë, nga mjeku i tij personal presidentin kishte zënë sëmundja që po merrte emrin Gripi Spanjoll. Dhe e kishte vënë përfund. Gripi kishte mbërthyer në fakt mbarë botën që prej një viti tashmë dhe në fund do të numëronte 20 milionë të vdekur prej tij, mes të cilëve edhe 600,000 amerikanë.

Presidenti Wilson nodhej në Paris për traktatin e paqes që po mbyllte Luftën e Parë Botërore.

Kur u sëmur, Presidenti Wilson ishte duke debatuar ashpërsisht me kryeministrin francez Zhorzh Klemanso dhe kryeministrin britanik Devid Llojd Xhorxh, për çmimin në territore dhe dmshpërblime që Gjermania, si humbëse e luftës do të duhej të paguante.

Wilsoni mendonte se Aleatët duhej të tregoheshin më të kujdesshëm me republikën e sapokrijuar gjermane duke propozuar një marrëdhënie të re në kuadrin e Ligës së Kombeve, projektin e tij idealist, që u realizua në fakt vetëm kur u krijua Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ai mendonte se e drejta e vetëvendosjes së kombeve dhe një epokë e re marrëdhëniesh të ndërmjetësuara dhe mbikqyrura nga Lidhja e Kombeve më shumë sesa ndëshkimi e sakatimi i vendeve humbëse ishte zgjidhja e duhur.

Franca nuk ishte dakord. Ajo ishte pushtuar nga Gjermania dy herë në një gjysëm shekulli. Në 1970 dhe 1914-1918 dhe tani donte hakmarrje. Donte që Gjermania të paguante shtrenjtë, të humbiste territor që do të shërbente si zonë mbrojtëse, si dhe vendosje trupash franceze në Rhineland.

Kur Wilson u sëmur në prill. Debatet ngecën në vend. Kur Klemanso mori vesh si Wilson ishte sëmurë dhe nuk dilte nga dhoma, ai pyeti Llojd Xhorxhin. “Ja njeh doktorin? A mund ta anashkalojmë duke i dhënë rryshfet?”

Amerikanët e tjerë të delegacionit nuk dinin çfarë të bënin ndërkohë. Presidenti Wilson që ishte izoluar në “Hôtel du Prince Murat”, një ndërtesë elegante në Rrethin e Tetë të Parisit, dukej tërësisht i transformuar prej gripit. Ishte bërë i fiksuar me gjëra për të qeshur, kishte shpejguar në mënyrë të pakuptueshme një ndihmës i tij. U fiksua mbas mobiljeve të caktuara në shtëpi dhe ishte i bindur se rrethohej nga spiunë të Francës.

“Diçka e çuditshme po ndodhte në mendjen e tij”, tregon Irvin Huver, shoqëruesi kryesor i Presidentit. “Një gjë është e sigurtë: ai nuk qe më kurrë i njëjti pas kësaj sëmundjeje”.

Kjo është treguar nga historiani John Barry në “The Great Influenza,” një libër i mrekullueshëm  për pandeminë e viteve 1918 dhe 1919. Sipas tij çorientimi që karakterizoi Wilsonin mund të ketë qenë një ndërlikim shëndetësor nga gripi i rëndë.

Ajo që pasoi ishte që Wilsoni, i shpartalluar nga sëmundja, nuk e kundërshtoi më si më parë kryeministrin francez dhe pranoi kërkesat e tij. Sipas gjykimit të Margaret MacMillan, autores së njohur të lirbit “Paris 1919: Gjashtë muajt që ndryshuan botën”, Klemansoja papritur pa se kishte siguruar “marrëveshjen më të mirë të mundshme për Francën”. Ironia është se Traktati i Varshavës, i nënshkruar në 28 qershor 1919, që çimentonte të gjitha masat që Wilson kishte kundërshtuar si të rrezikshme dhe tepër të rënda për Gjermaninë, u përdor më vonë nga Adolf Hitleri për të nxitur ndjenjat nacionaliste gjermane. Në vend të një Gjermanie më të dobët e më të nënshtruar që imagjinonte Klemansoja, Traktati krijoi një Gjermani të etur për hakmarrje, që u ndëshkoi klasën politike liberalizuese dhe solli në fuqi Partinë Naziste. Më shumë se 20 vjet më vonë, Gjermania do ta pushtonte Francën për herë të tretë.

Sipas historianit Barry, sikur Wilson të mos ishte sëmurur, ai do të kishte vazhduar të ishte një negociator kokëfortë dhe i fuqishëm dhe ndoshta mund t’i kishte detyruar Aleatët të hiqnin dorë nga planet për Gjermaninë, ashtu si i detyroi që të hiqnin dorë nga planet për copëtimin e Shqipërisë.

Llojd Xhorxh, i cili kishte kundërshtuar sidomos pushtimin francez të trojeve gjermane, më vonë shkroi në linrin e tij me kujtime “se urrejtja që shoqëroi këtë pushtim të qytezave gjermane … ndikoi shumë në shpërthimin e fuqishëm të sentimentit patriotik në Gjermani, që gjeti shprehjen e vet te Nazizmi”.

Pa sëmundjen e tij nga gripi, fati i Europës dhe mbase i gjithë botës shkruan Barry do të kishte qenë ndryshe. Shumica republikane në Kongres nuk e pranoi kurrë Ligën e Kombeve dhe angazhimin amerikan në të. Wilson nuk ishte i njëjti pas kthimit në SHBA. Gjashtë muaj pas shërimit prej gripit spanjoll, ai pësoi një goditje të rëndë në tru, që e la të paaftë për periudhën që i kishte mbetur nga mandati presidencial. Ai nuk mundi ta fitonte betejën për të zyrtarizuar Ligën që krijoi. Shihej si hero në Europë, po jo në SHBA, ku hyrja në luftë kishte pasur shumë kritikë dhe Liga shihej si një tejzgjatje angazhimi të panevojshme përtej luftës.

(Përgatiti Ruben Avxhiu bazuar në një shkrim nga revista “New Yorker”)